Nitaj: Presidenti mund të tregohet tolerant për mandatarin për 3-4 ditë, por jo në pakufi
Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund ta pres pafundësisht liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti për çështjen e mandatarit të qeverisë së re.
Pavarësisht kësaj, Nitaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se por me gjasë edhe Thaçi po tutet nga “Kushtetuta Gogol” e cila me kontributin e tij është shndërruar në instrument për rrëzimin e njerëzve nga pushteti!
Postimi i plotë i Nitajt:
Mandatari që mrizon nën hijen e Kushtetutës
Kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë situata se një ditë një njeri mund edhe të mos shkojë ta marrë mandatin për krijimin e Qeverisë!
Ata që e kanë hartuar (ekspertët e huaj) nuk e kanë llogaritur se politikanët e këtij vendi janë marifetxhi dhe nuk e kuptojnë se disa gjëra, edhe pse të pashkruara, janë të përcaktuara sipas procedurave elektorale demokratike dhe prandaj janë të nënkuptueshme! Kjo i bie sikur të mos e njohësh ditën-ditë e natën-natë, sepse kjo nuk qenka e specifikuar në Kushtetutë!
Ekspertët e brendshëm, shumica të përlloçur politikisht, tash na shesin mend dhe asnjëri prej tyre nuk thotë se marrja e mandatit menjëherë e pa vonesa është e nënkuptueshme dhe s’ka pse të sanksionohet me Kushtetutë sepse është një çështje puro procedurale, por nxjerrin vickla për hesape politike!
Marrja e mandatit është procedurë dhe presidenti mund të tregohet tolerant për 3-4 ditë e jo në pakufi, por me gjasë edhe ai po tutet nga “Kushtetuta Gogol” e cila edhe me kontributin e tij, është shndërruar në instrument për rrëzimin e njerëzve nga pushteti!
Kushtetutat në asnjë vend nuk shkruhen për“kabullxhi” por për njerëz të përgjegjshëm që nuk mrizojnë nën hijen e Kushtetutës!
/Epoka e re/