Nitaj tregon për problemet e Kosovës rreth ekipit dhe platformës së bisedimeve me Serbinë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj, ka folur për problemet e Kosovës rreth ekipit dhe platformës së bisedimeve me Serbinë.
Nitaj ka thënë nëpërmjet një shkrimi në “Facebook”, se gjasat janë që edhe këtë herë do të vendosin të tjerët për Kosovën.
Shkrimi i plotë i Nitajt:
Pikë e pesë për Dialogun
Pse dialogu me Serbinë është një proces kaq I vështirë për të mos thënë i pamundur!
A ka Kosova telashe me platformën e bisedimeve apo me përbërjën e ekipit të vet negociator.
Duket edhe e para edhe e dyta.
Në debatin për dialogun në Kuvend, thash se krejt propozimet, kërkesat apo kushtëzinet, prej atyre se nuk bisedojmë me Serbinë pa u kthyer të zhdukurit e deri te ajo se s’kemi çka flasim me Vuçiqin, pa pasur reciprocitet ekonomik e politik me Serbinë, janë të drejta dhe të sakta, por ato krijojnë përshtypjen sikur Kosova këto bisedime i bën prej qejfit e jo prej zorit!
Secili grup politik i shpërfaqi idet e propozimet e veta dhe ato janë të ndryshme e të paharmonizuara dhe për të qenë hala më keq, përmes këtyre propozimeve u hpërfaq edhe një garë se kush është më “patriot” se tjetri.
Po ku është problemi që spektri politik i Kosovës nuk po mund të merret vesh për një çështje kaq jetike për vendin, ndoshta më të rëndësishmën ç’prej shpalljes se pavarësisë?!
Mund të ketë shumë detaje, por boshti i mospajtimit e ka veç një emer dhe ai është Presidenti Hashim Thaçi!
Një pjesë e opozitës thot se dialogun duhet ta bëjnë institucionet e shtetit, por që këto institucione, gjithnjë sipas tyre, nuk kanë legjitimitet për një gjë të tillë!
Ata harrojnë se legjitimiteti nuk është perceptim por rezultat i votës dhe Hashim Thaçi është bërë president në bazë të një vote. Edhe Qeveria dhe Kryeministri, kanë dalë nga një votë!
Tani nëse opozita vlerëson se paska humbur ky legjitimitet, le t’i përmbysin nëse munden, ose në të kundërten le t’i lënë ta kryejn punën e tyre!
Për mandatimin e një ekipi për bisedime me Serbinë nevojitën dy të tretat e votave të Kuvendit dhe Opozita po thotë se nuk do ta votojnë Hashim Thaçin, ndërkohë që PDK-ja nuk e ka ndërmend të lëvizë nga insistimi për Hashim Thaçin udhëheqës të bisedimeve. Kjo dmth se nuk ka as dy të tretat, as votim e as koncenzus.
Nuk ka bisedime, apo nuk ka pajtim dhe duhet të bëhëmi gati për “diktatin” e të tjerëve.
Sot në Kuvend u pa se nuk ka as interesim e as gatishmëri për tu marrë vesh! Sot të gjithë ishin kundër të gjithëve, shumë prej tyre edhe kundër vetes!
Prandaj gjasat janë që edhe këtë herë do të vendosin të tjerët për ne, sepse ne nuk po mund të merremi vesh!
MN