Nitaj: Zgjedhjet, pas katër vjetësh
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, është tallur me parashikimet e zëvendësit të Ramush Haradinajt në Qeveri, Behgjet Pacollit, se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje.
Nitaj ka thënë se lideri i AKR- së ka hyrë në fushën e Nostradamusit. “Këto parashikime janë në sferën e ‘Nostradamusit’! Duhet me qenë tepër i ‘mbërrimë’ që të parashikosh se kur do të ketë zgjedhje. Ato mund të ndodhin edhe vitin e ardhshëm, edhe pas katër vjetësh. Kush e di”, ka thënë Nitaj për “Express”.
Ai ka thënë se Qeveria është duke e vazhduar punën e vet.
“Unë vlerësoj se Qeveria është duke kryer punët e veta, pavarësisht se formalisht ka më pak vota sesa do të duhej. Ju kujtoj se Qeveria është duke kaluar ligje edhe me dy të tretat e votave dhe ka një klimë bukur bashkëpunuese në Kuvend. Kjo një. Dhe, e dyta, nuk është shumë e qartë nëse Qeveria i ka 52 vota, siç është formalisht, apo 62. Unë vlerësoj se Lista Serbe ende është pjesë e Qeverisë”, ka thënë Nitaj.