Niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve me EULEX-in, i ulët
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka publikuar të hënën raportin me titull ‘Legjitimimi i misioneve të huaja: Dekonstruktimi i perceptimeve të qytetarëve ndaj EULEX-it në Kosovë’, me autore Emma-Louise Rose.
Qëllimi kryesor i raportit është përdorimi i provave empirike të perceptimit të qytetarëve që kanë të bëjnë me nivelet e kënaqshmërisë ndaj EULEX-it. Qëllimi i misionit të EULEX-it ishte ndërtimi dhe përmirësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës në vend. Ai e ka zgjatur mandatin e tij disa herë, me ndryshime të ndryshme të personelit dhe ristrukturime, me mandatin aktual që duhet të skadojë në 2021.
Barometri i Sigurisë së Kosovës (BKS) ka matur kënaqësinë e qytetarëve ndaj të EULEX-it për vitet 2012-2018. Këto të dhëna nga BKS formojnë një bazë të rëndësishme për këtë përmbledhje e cila përdor të dhënat e BKS-së për të analizuar nëse dhe si nivelet e kënaqësisë kanë ndryshuar me kalimin e kohës, mbështetur nga hulumtimet tjera përkatëse si nga individët ashtu edhe nga organizatat.
Kjo përmbledhje gjeti se pavarësisht se EULEX-i ishte misioni civil më i madh i BE-së ndonjëherë, në sytë e publikut të Kosovës ai ka arritur shumë pak që nga fillimi i misionit në vitin 2008. Gjatë gjithë viteve që u matën, kënaqësia mbeti e ulët me arsyetimet e lidhura me një dështim për të kryer qëllimet e tij dhe skandalet e shumta që kanë ndodhur gjatë pranisë së saj në Kosovë të cilat përfshijnë thashetheme për korrupsion dhe ndërhyrje politike, si dhe një dështim për të ndjekur penalisht individë të shumtë. Për më tepër, shumica e të anketuarve nga BKS menduan se koha e misionit në Kosovë duhet të ishte e kufizuar.
Megjithëse ka pasur disa ‘kulme’ të niveleve më të larta të kënaqësisë, ai kurrë nuk u rrit mbi 31.4 për qind në fund të 2013-s që sjell legjitimitetin e misionit në pikëpyetje. Mungesa e suksesit për misionin mund të shihet duke përdorur masa të tilla si Indeksi i Transparencës, i cili tregon nivele të ulëta të përmirësimit në lidhje me korrupsionin në përgjithësi në Kosovë – diçka që u reflektua edhe në BKS. Për më tepër, përmbledhja zbuloi se, krahasuar me misionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Kosovë siç është KFOR, EULEX-i ka nivele shumë të ulëta të kontaktit me publikun e Kosovës dhe ku ka pasur kontakt, cilësia e kontaktit ishte e pamjaftueshme.
(Qendresa Rama/ Epoka e re)