Një vend për Bacën Adem në Kuvend
Shkruan: Lulëzim Etemaj
Që nga viti 1958, kur burgoset për herë të parë, nuk ka edhe një njeri të vetëm të gjallë, të cilit i është përmendur emri si Bacës Adem Demaçi. E kam fjalën për shqiptarët në Kosovë. Përgjithësisht për ata të Shqipërisë së këndej Drinit.
Prandaj, duke qenë shembull qëndrese, që nga viti 1968 e deri në ditë çlirimi, nuk ka asnjë demonstratë të vetme në Kosovë dhe në mërgatë ku nuk është brohoritur fuqishëm emri i tij. Grupe dhe organizata të shumta politike, janë formuar dhe kanë vepruar duke pasë si frymëzim dhe udhëheqje pikëpamjet e tij politike kombëtare.
Po të mos kishim një Demaç, shumë vështirë do të ishte t’i kishim të 68-tën, 81-tën, 89-të, 90-tën, 97-tën me vetë UÇK-në, si dhe qershorin e 99-tës e 17 shkurtin e 2008-tës!
Përderisa Mandelen, për 27 vitet e burgut, afrikanët e tij, me ngjyrë dhe të bardhë, e bën President, afrikanët e Bacës Adem nuk qenë në gjendje t‘ia gjejnë atij as dhe një vend të vetëm, as në institucionet e përkohshme dhe as në ato të pavarura të shtetit të Kosovës!
Mirë bën!
Ai ishte dhe mbetet institucion më vete! Kryeinstitucion!
Asnjë institucion i vetëm s‘mund ta zinte brenda!
Porse, shteti ka mundësi ta korrigjoj një gabim, një nga gabimet e shumta, në raport me Bacën Adem. Në tempullin e demokracisë duhet të gjejë patjetër vend fotografia e tij!
Me Bacën Adem në Kuvend, ndjehen të përfaqësuara të gjitha format e qëndresës së popullit tonë, përfshirë edhe UÇK-në, projektin e tij më kapital dhe më përbashkues të shekullit.