Një afrikano-amerikan gradohet Shef i Shtabit të Forcave Ajrore

11 qershor 2020 | 10:11

Për herë të parë në histori, një oficer afrikano-amerikan tani do të drejtojë një degë të shërbimeve ushtarake të SHBA.

Gjenerali Charles Brown Jr. u konfirmua të martën nga Senati si Shef i Shtabit të Forcave Ajrore të vendit me një votim të njëzëshëm prej 98 votash pro dhe asnjë kundër.

Para konfirmimit, Gjenerali Brown ka qenë komandant i Forcave Ajrore amerikane të Paqësorit, që përgjigjej për aktivitetet e Forcave Ajrore në teatrin e Indo-Paqësorit, me përhapje në gjysmën e globit.

Ai ka qenë gjithashtu zv / komandant i Komandës Qendrore të SHBA, që përgjigjet për veprimtarinë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa para kësaj, ka qenë komandant në Komandës Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA.

Konfirmimi historik i Gjeneralit Brown vjen ndërsa vendi është përfshirë nga protesta kundër padrejtësive racore dhe sociale, pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë muajin e kaluar.

“Mendoj se emërimi im mund të sjellë një farë shprese, por ai shoqërohet gjithashtu me një barrë të rëndë. Unë nuk mund të ndreq atë që është shkaktuar pas shekujsh racizmi në vendin tonë, dhe as nuk mund të ndreq diskriminimin prej dekadash që mund të ketë ndikuar tek anëtarët e Forcës sonë Ajrore,” tha Gjenerali Brown në një video për Forcën Ajrore.

Në video, ai tha se shpreson që njerëzit të udhëhiqen nga mençuria në këto “periudha të vështira” dhe që të bëhen përmirësime “në mënyrë që të gjithë njerëzit e forcës ajrore, si sot ashtu edhe nesër, të kuptojnë vlerën e diversitetit dhe të shërbejnë në një mjedis ku ata të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë.”

  • “As the Commander of Pacific Air Forces, a senior leader in our Air Force, and an African-American, many of you may be wondering what I’m thinking about the current events surrounding the tragic death of George Floyd. Here’s what I’m thinking about…” – Gen. CQ Brown, Jr. pic.twitter.com/I2sf1067L6
  • — PACAF (@PACAF) June 5, 2020

Ai foli me sinqeritet për përvojën e vet të racizmit, për të cilën tha se “jo gjithmonë të kujtonte lirinë dhe barazinë”. Për shembull, kishte njerëz që e pyesnin “Jeni pilot?” edhe pse mbante të njëjtin konstum dhe emblema si pilotët e tjerë të bardhë në skuadronin e tij. Nga ana tjetër, kishte disa afrikano-amerikanë që i thoshin se nuk ishte sa duhej afrikano-amerikan pasi kalonte më shumë kohë me skuadronin e tij sesa me ta.


Senator James Inhofe

Senatori Jim Inhofe, kryetar i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, e quajti Gjeneralin Brown një “udhëheqës frymëzues – i guximshëm, autentik dhe unifikues” – ekspertiza e të cilit në teatrin Indo-Paqësor do të jetë një pasuri, tani që ushtria po përqendrohet më shumë në atë pjesë të globit.

Ish Kreu i Shtatmadhorisë, Admirali në pension Mike Mullen, e quajti konfirmimin e Gjeneralit Brown “një hap të madh në drejtimin e duhur”, por ai shqetësohet për faktin se numri i afrikano-amerikanëve që mbajnë pozita drejtuese në ushtrinë amerikane ka ardhur duke u tkurrur.

“Jam larguar tetë vjet e gjysmë më parë dhe shqetësohem shumë për faktin që kemi ecur prapa që nga ajo kohë pasi numrat nuk janë aty ku duhet të ishin”, tha ai.

Brown, pilot i avionit luftarak F-16, ka bërë gati 3,000 orë fluturime dhe 130 orë luftim gjatë shërbimit të tij më shumë se 35 vjeçar. Ai përfundoi studimet me diplomë nderi në Universitetin Texas Tech.

Gjenerali Brown u emërua më 2 mars për të zëvendësuar Gjeneralin David Goldfein, i cili pritet të dalë në pension në javët e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut akuzohet se po përfiton miliona dollarë, në…