Një autore që hedh hapin suksesshëm në letërsinë për fëmijë
Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi
(Fragmente nga shënimet për shkrimtaren Dritë Ruhani dhe kolanën e saj prej 12 librash)
Subjekti… kompozicioni
E tërë kolana është një korpus prozash të shkurtra artistike për fëmijë me një gjetje të këndshme “tregime për gjumë të ëmbël”. Kjo bashkësi copëzash kësisoj, e parë nga larg, formon një mozaik të bukur letrar. Fragmentarizmi sfumohet pa të rënë fort në sy.
Secili vëllim më tepër ka formën e një tollumbaci, të cilën mund ta fryje ende. E pra, secili vëllim ka formën e një antologjie me tematikë të caktuar.
Autorja e ka lënë numërimin me aq ditë sa ka muaji referues (pjesa e parë vendoset në muajin janar, e dyta – në shkurt e me radhë). E gjithë kolana është konceptuar me 12 libra, sa muaj ka viti. Lexuesit, – prindi qoftë, i afërm tjetër i familjes, mësuesja a vetë fëmija – i serviret një tregim për çdo natë. Kësisoj, çdo vëllim i ngjan më tepër një novele a romani; ndonjëri madje një reportazhi që përshkruan një udhëtim nëpër Shqipëri.
Veçori e përbashkët kompozicionale e librave të Dritë Ruhanit është se ata e ndërtojnë veprimin mbi dy linja karakteristike: atë të njerëzve dhe atë të kafshëve (qenve). Këto dy linja herë ecin paralelisht, herë mbizotëron njëra e herë tjetra, herë kryqëzohen, përplasen a bashkohen e udhëtojnë së bashku. I gjithë libri i tretë, për shembull, është fantastik. Ngjarja a veprimi pothuajse zhvillohet ndërmjet qenve. Në pjesën e nëntë “O vendi im!”, veçori është se mbizotëron linja njerëzore. Qysh në kreun e parë “Rilindje”, kemi zotëri Dimalin që mban në duar fotografinë e Marës dhe mediton me vete rreth saj…
Në kërkim të së resë
E lexojmë kolanën e librave të zonjës Ruhani dhe në fund i shtrojmë vetes pyetjen: Cila është e reja që sjell kjo autore në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj?
Së pari mendja na shkon te sasia, te bashkësia prej 12 copë librash, të cilat i lidhin personazhet e njëjta. Jo, letërsia jonë shqipe për fëmijë, këndej e andej kufirit të shtetit shqiptar, njeh shkrimtarë që kanë botuar të tilla kolana. Mos ndoshta e reja qëndron te tematika, jeta e qenve? Nuk besojmë. Tregime mbi jetën e qenve kanë shkruar e botuar autorë që nga Naim Frashëri e këtej. Atëherë?
Mendimi ynë është se e reja që sjell Dritë Ruhani me kolanën e saj për qentë qëndron jo vetëm në trajtimin e një teme aq gjërë e aq thekshëm, por edhe në idetë që sjell kjo shkrimtare.
Madje, është një problem i madh shoqëror. Autorja bën kryepersonazhë qentë endacakë në Prishtinë, por edhe në Tiranë ku gjendja paraqitet ende më keq.
Zgjohet shpirti gazetaresk
Si ish-gazetare, autorja edhe në pozitën e saj të re si shkrimtare, na ngre me guxim një sërë problemesh shoqërore të tjera në këtë kolanë librash. Veçse tani (në romane e jo më nëpër gazeta) ato mvishen me petk letrar.
Si më të nxehtin do të vlerësonim atë të fesë (vëllimi V), veprimin e disa shoqatave humanitare të rrejshme, siç është ajo që ndihmon familje të tëra me ushqim, me kusht që të shtojë numrin e besimtarëve myslimanë. Këtë problem tani autorja e trajton të mveshur me petk artistik, me një rast konkret. Tregon për një familje në nevojë, ku vajzës Arbëresha, i kërkojnë që të braktisë shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm, të mbulohet e të vazhdojë medresen…
Edhe gjetkë, gratë besimtare të mbuluara, autorja i sheh vrëngër, me sy jo të mirë. Diku njërës prej tyre sikur ia ndyn pak mantelin një qenushe-nënë, tek mbarte e gjora këlyshin e saj të pajetë, dhe gruaja i kthehet kafshës me mallkimin: “Oh Zot, plasësh!”
Autorja qorton edhe ndonjë gazetar të huaj për reportazhin e tij të realizuar në Kosovë: “Emisionet e huaja çdo herë e tregojnë qytetin tonë përmes fotove me xhamia, sikur të ishte ndonjë qytet nga shtetet arabe.” (IV, 64)
Në kolanën letrare gëlojnë edhe një tufë problemesh të tjera shoqërore bashkëkohore, si:
– Herë pas here, në detaje të veçanta, na rikujtohet Kosova heroike me luftën e saj qëndrestare.
– Futet edhe lufta në Siri, ku kanë marrë pjesë disa kosovarë dhe pasojat e rënda të saj. Autorja e quan “luftë e kotë” dhe vë gishtin te traumat e saj me një rast konkret: për të shpëtuar, vajza personazhe vetëplagoset.
Nuk mungojnë në kolanë probleme të politikës shqiptare:
– Ngacmohet problemi i partive, i pasurimit të disa njerëzve nga ato.
– Tek trajtohet çështja e gardhit që duhet hequr midis dy fqinjëve, autorja gjuan më larg, aludon për kufirin ndarës të dy shteteve të kombit shqiptar, “murit tonë të Berlinit”.
Kemi pastaj probleme të jetës shoqërore:
– “Gratë nuk mund të trashëgojnë! Meshkujt janë gllabërues të pronave”.
– Shitblerja e fëmijëve.
Nuk mungojnë probleme të qytetit:
– Pastërtia e mjedisit.
– Rastet ku biznesmenë a fabrikantë të korruptuar sjellin nga jashtë ushqime të skaduara dhe ua ndërrojnë etiketat…
– ...në tërë qytetin nuk kemi asnjë këshillimore për sjelljen e qenve.
Më tej, nuk harrohen edhe probleme të fshatit:
– Fshatarët nuk kanë treg për shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore e blegtorale, të cilat u shkojnë dëm… Etj. etj.
Dora e gazetares duket edhe në episode të tjera, p.sh, kur rrëfen që në kishën e qytetit Velbert të Gjermanisë prifti gjerman kishte organizuar një meshë kushtuar Kosovës…
A nuk dëshmojnë tërë këta shembuj, e të tjerë që nuk i përmendëm, për shpirtin me të vërtetë luftarak qytetar të autores Dritë Ruhani?
Vektori i përparuar shkencor
Konstatojmë me kënaqësi që gjeografia e krijimeve është bukur e gjerë. Diku direkt, diku indirekt, veprimi i tregimeve vendoset në vende të njohura e të shkelura, të përjetuara nga autorja. Koha e ngjarjeve brenda secilit vëllim kufizohet brenda një muaji të caktuar. Por kemi kujtime të një kohe më të gjerë.
Si anë pozitive të kolanës mund të shënojmë se lexuesi përfiton njohuri nga gjeografia e Shqipërisë. Kështu, marrim njohuri (veç Prishtinës e rrethinave të saj) edhe për Tiranën, Elbasanin, për qytetin e Kukësit (të vjetër e të ri), për Krujën, për Durrësin, për Shkëmbin e Kavajës, Sarandën, Gjirokastrën, Butrintin etj. Nuk mungojnë njohuritë për luftërat e Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë dhe për historinë e Shqipërisë në përgjithësi.
Por gjithsesi, më dominuese në kolanë janë dijenitë për botën e kafshëve, sidomos të qenve. Qysh në çastin kur autorja merr e na tregon për kafshët (qentë në rastin tonë), e ka siguruar një pjesë të suksesit për veprën e saj.
Dhe vlerësojmë se autorja ka dijeni të gjëra shkencore për botën e kafshëve, të shpendëve e të kandrrave në përgjithësi (kujtojmë macet, bletët etj.) dhe atë të qenve në veçanti. Në të gjithë kolanën veprojnë si personazhe një bashkësi e tërë qensh të rracave të ndryshme: Koko, Agena, Pastori, Bulldogu, familja Haski, Mjalta, Loçkushi, Syrrushi, Liza, Goldi, Lala e të tjerë e të tjerë. Dhe për secilin jepen cilësi të veçanta trashëguese të tyre.
Vektori i vlertë artistik
Pohojmë që në krye të radhës se shkrimtarja ka stil të rrjedhshëm dhe të përshtatshëm për lexuesit fëmijë. Pozitiv është fakti që autorja është kujdesur tejet që mos t’i përsërisë të dhënat.
Mendimi ynë është se këta libra u adresohen, në radhë të parë, gruplexuesve të shkollarëve të vegjël, klasa I-V të shkollës sonë nëntëvjeçare. Por, këto krijime letrare për fëmijë tërheqin edhe lexuesit e moshës së rritur.
Por çka i bën të ngritura artistikisht këto tekste? Cili është vektori artistik i tyre?
Së pari, vlerësojmë që ai vektor përbëhet nga dukuria e personifikimit. Kjo është vlerë artistike e gjithë kolanës.
Dihet që letërsia për fëmijë e ka për zemër animizimin dhe personifikimin e sendeve, të kafshëve e të shpendëve etj. Këtu u jepet shpirt, gjallërohen, animizohen; u jepet edhe logjikë, pra personifikohen, sende të ndryshme: herë varka e herë lulet. Mbretëresha e luleve, Trandafili i bardhë, bisedon me lulet e tjera, të cilat i sheh nga lartësia.
Gjerësisht autorja ka personifikuar qentë.
Së treti, mendojmë që vlerë të veçantë artistike në kolanë përbën humori i pranishëm në çdo vëllim. Dihet që humori është shëndeti i një krijimi letrar, sidomos kur ajo vepër u adresohet fëmijëve. Në bashkësinë që shqyrtojmë këtë dukuri kaq të rëndësishme e tërheqëse për lexuesit, e shikojmë të pranishme në disa forma:
Kemi humor që buron nga situata: P.sh., nga veprimi i një kurnaci:
“– Që të mos shpenzojë të holla për veteriner e mjete të tjera higjiene, natën fshehurazi e ka rruar qenin…”
Rasti tjetër, kur humori buron nga batuta e personazhit. Për shembull:
“Shkon një qen në spital dhe e pyet qenushen në informacion: – Më fal, ku merren injeksionet të dielave? – Në prapanicë, si çdo ditë,- i përgjigjet ajo”
Ose:
“Kur një njeriu i kishte ikur qeni, e kishin pyetur: – Pse s’po e jep për humbjen e qenit një lajmërim në gazetë? E ai ishte përgjigjur:- Se qeni im nuk di të lexojë!”
Kemi edhe humor të naivitetit fëminor:
“– Pse qan, vogëlush?- e pyeti zonja Luljeta.
– Më ka humbur qeni!
– E ku banon ti?
– Nuk e di. Këtë e di vetëm qeni im!
Ky lloj humori në këtë kolanë është i pranishëm edhe nga ana e personazheve qen. P.sh.:
Një qen vjen te dera e ambulancës.
“- O sa simpatik!- klithi Morea me ta parë.- Doktor, një bukurosh te dera ka një dhuratë për ju!
– Ha-ha-ha,- u qesh ai.- Ky bukuroshi nuk ka dhuratë për mua. Gjethi sipas tij është monedhë. Ai vjen çdo ditë, në kohë të njëjtë, për të blerë ushqim tek unë. Më paguan me një gjeth”
Rasti i veçantë është humori anekdotik i pranishëm. Një mori anekdotash tregohen nga ana e Rronit në çdo vëllim të kolanës. Ja:
“A e dini që fjala matematikë rrjedh nga shqipja, nga një shqiptar që ka kaluar shumë duke mësuar dhe pastaj ka ikur: mat e mat, mat e mat, mat e mat – ikë”
Këto anekdota jo vetëm që e individualizojnë Rronin si karakter, por e bëjnë tekstin tërheqës për lexuesin fëmijë.
Së fundi, vemë në dukje që përveç humorit, autorja përdor me sukses shumë frazeologji popullore e fjalë të urta, si:
-… edhe te njeriu më i mirë fshihet një tigër;
-... ai që mbjell erën, do të korrë furtunën;
– Fatit si t’i thërrasish ashtu të përgjigjet ;
– Çdo qen ka hijen e vet;
– Kafshata e madhe ta zë fytin;
– Mos e prek në bisht, se të ha në gisht!;
– ... nëse nuk do që muzgut t’i kërkosh lëmoshë, përqafoje mëngjesin me vrull pune;
– Njerëz të tillë, që me gojë të lajnë e me dhëmbë të çajnë…
– Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen ;
– Fusha ka sy e gardhi ka veshë etj. etj.
Nuk mund të lëmë pa përmendur peizazhet e bukura që përshkruan herë-herë autorja. Ja një i tillë:
“Edhe pse kemi hyrë në pranverë, mëngjesi sot gdhiu i mbuluar me borë. (…) Sidomos manushaqet, ashtu me kokën e qitun jashtë, dukeshin sikur po flinin në shtrat të bardhë. Një kombinim shumë i bukur ngjyrash, por disi rrëqethës. Një peizazh me pranverë e dimër në një, që me mëngjes brohoriste: “Jam një pranverë e bardhë, një pranverë e bardhë përrallore!”(IV, 5).
Të gjitha këto dukuri që renditëm padyshim që përbëjnë vlera artistike në pendën e shkrimtares.
Vlerësuam që shkrimtarja vërtet ka stil të rrjedhshëm dhe të përshtatshëm për lexuesin fëmijë. Le t’u gëzohemi pozitiviteteve të padiskutueshme që na ka sjellë shkrimtarja Dritë Ruhani dhe që patjetër e pasurojnë letërsinë tonë shqipe për fëmijë.
Duke përfunduar, shtojmë edhe diçka informative. E pyetëm autoren për tri vëllimet e ardhshme që do të mbyllin kolanën. “Vëllimin e dhjetë mendoj ta titulloj Qeni i lidhur, – na shpjegoi ajo,- të njëmbëdhjetin: Në komë. Vëllimi i fundit, ndoshta-ndoshta, mund të vërtitet si përmbledhjeve e paraardhësve të tij.”
I urojmë shkrimtares shëndet, vullnet e suksese të mëtejshme për ta shpënë cilësisht deri në fund nismën e saj artistike, nismë e guximshme e jo e lehtë.