Një bllok tjetër i KEK-ut del jashtë operimit
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se nga sot deri më 27 shkurt njësia A3 e Termocentralit Kosova A do të jetë jashtë operimit shkaku i servisimit të tij të rregullt.
Këtë e konfirmoi për media, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli i cili tha se me kapacitetet e tanishme do të prodhohen afër 750 megavat orë.
Kjo i bie që Kosova sërish do të importojë më shumë energji elektrike.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se nga sonte në ora 24:00 dt. 28.01.2022 njësia A-3 e TC Kosova A do të nxjerret nga operimi dhe sipas planit pritet të rikthehet në operim me dt.27.02.2022 ora 24:00”, ka thënë ai.
Bucolli tha se KEK tani operon me njësitë tjera me kapacitet afër 750 MW/h rrymë.
“Konform bilancit energjetike të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MË/h energji elektrike. Po ashtu sipas rregullave të operimit kompania përgjegjëse për furnizimin e konsumatorëve universal si dhe të gjitha palët e interesit janë njoftuar me kohë”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut.