Një botë e lashtë në një libër të veçantë
Sali Bytyçi
(Vlora Nikçi, “Betimet dhe mallkimet”, “Albas”)
Sonte na ka mbledhur libri paksa i veçantë, si në pamje ashtu edhe në përmbajtje, i Vlora Nikçit, “Bekime dhe mallkime” apo edhe e kundërta, “Mallkime dhe bekime”.
Siç thotë Lasgushi, libër të përkryer nuk ka, por, promovimi është festa e librit, prandaj në festa fliten vetëm fjalë të mira, fjalë miradije, fjalë përkrahjeje që autori, në këtë rast autorja, të vazhdojë edhe më tej në punën e saj fisnike në të cilën tanimë e ka sprovuar veten dhe është treguar e suksesshme.
Puna që ka bërë autorja zakonisht bëhet nga njerëzit e instituteve shkencore, të cilët edhe përgatiten gjatë studimeve për t’u marrë me punë të tilla, por që edhe pastaj, për punë të tilla paguhen, dhe jo pak. Vlora gjithë këtë punë e ka bërë vetëm nga dashuria për etninë e saj, për shqiptarët.
Bekimet dhe mallkimet shprehin dy anë të kundërta të njësë së jetës – që shënjojnë kompleksitetin e të jetuarit të njeriut në këtë botë të së mirës dhe të së keqes apo në mes të së bukurës dhe të së shëmtuarës.
Opozicionin në mes të së mirës dhe të së keqes, në etikë apo të së bukurës dhe të së shëmtuarës, në estetikë, populli e ka shënjuar përmes bekimeve dhe mallkimeve, të cilat Vlora Nikçi i ka bërë bashkë në një libër, i cili tani është para nesh. Pra, edhe etika edhe estetika nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, sepse gjithnjë janë bashkë, janë në njëra-tjetrën, pra janë një.
Në librin e Vlora Nikçit këto çështje etike dhe estetike janë shprehur përmes frazeologjizmave dhe anekdotave popullore dhe shprehin opozicionin në mes të së bukurës dhe të së shëmtuarës. Ndërsa të parën, të bukurën, njeriu ynë, që në fillimet e jetës së tij në këto hapësira, e ka bekuar me fjalët më të bukura, përkundrazi, të dytën, të shëmtuarën, e ka mallkuar me fjalët më të rënda.
Përveç bekimeve e mallkimeve, në këtë libër ka edhe besime apo siç quhen ndryshe, besëtytni, si “E marta e të lidhunave”, pastaj “Shenjat që sjellin fat”, në të cilat, përmes formulimeve gjuhësore, njerëzit janë përpjekur të bëjnë diçka të mundur apo të pamundur etj. Në Bibël thuhet se Fjala ishte e para, pastaj vjen bota, apo u krijua bota, ndërkaq në besimet apo besëtytnitë popullore, fjala është ka mundësi të ndryshojë rrjedhën e të ndodhurave, si për mirë, si për keq.
Libri është i strukturuar në dy pjesë opozicionale: “Bekime dhe mallkime” dhe “Mallkime dhe bekime”, të cilat përbëjnë dy tërësi të barabarta, por që edhe mund të qëndrojnë më vete sy dy libra.
Bekimet dhe mallkimet, dhe e kundërta, siç e do edhe rendi, në libër fillojnë nga ato më të lashtat, që lidhen me mitologjinë dhe kozmogoninë, pastaj me ato me të cilat jetojnë njerëzit – me natyrën, me shëndetin, me kafshët, për të ardhur deri tek më të vonshmet, siç janë ato me motive religjioze, me besëtytni, me ato që ndërlidhen me thënien artistike si dhe me ato të ditëve tona, që ndërlidhen me jetën e përditshme dhe politikën.
Të dy pjesët përfundojnë me besëtytni, të cilat, siç duket, e kanë shoqëruar njeriun që në zanafillë, për të ardhur deri në ditët tona.
Si përfundim, rëndësia e këtij libri nuk qëndron vetëm në vlerat etnologjike, por edhe në ato për gjuhën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Njëkohësisht ky libër është edhe model se si duhet të veprohet në vjeljen, sistemimin dhe botimin e thesareve popullore, të atyre thesareve që na i kanë lënë të parët dhe të cilat flasin për qenien dhe qenësinë tonë në histori, parahistori dhe për të ekzistuarit e etnisë sonë në botë.
Pra, është koha e fundit për t’i mbledhur këto sepse, me ikjen e brezave deri te të cilët kanë arritur, ik edhe mundësia për t’i mbledhur këto.
Në fund të librit, autorja ka dhënë edhe Fjalorthin e fjalëve të rralla, si dhe emrat e njerëzve që kanë kontribuuar me frazeologjizmat popullore apo anekdotat që ndërlidhen me temën e përmbajtjes së këtij libri sa të veçantë, po edhe të rrallë dhe me një strukturë të lidhur mirë.
Me një dizajn të veçantë, këta janë dy libra brenda një palë kopertinash, të cilët duhet të jenë jo vetëm në çdo bibliotekë, por edhe në çdo familje.
Në fund autores i urojmë shëndet, suksese të mëtejme në punën që bën, si dhe vepra të reja në fushën e kulturës dhe të etnokulturës shqiptare.