NJË BOTË E PASUR POETIKE – SHPIRTËRORE

17 tetor 2024 | 09:39

(Lidhur me përmbledhjen me poezi të Ismet Rashitit “Palca e gurit”, botoi Lena,2024)

Shkruan: Isak Ahmeti

Përmbledhja me poezi “Palca e gurit”, e shkruar përgjatë periudhave të ndryshme me përkushtim, dashuri dhe elegancë nga Ismet Rashiti, një personalitet i njohur në opinionin shqiptar, për faktin se ai, si njeri dhe krijues, ka kontribuuar në shumë fusha. Prandaj lirisht mund të pohohet që në hyrje të këtij shkrimi, se ky libër është shkruar me mendje, me shpirt dhe me zemër dhe, si i tillë, shpreh botën e pasur poetike të autorit, i cili tërë jetën ka vepruar me shumë përkushtim e devotshmëri, pa u lodhur kurrë, për Kosovën, për çështjen kombëtare, punë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
Dy fjalë për autorin
Ismet Rashiti ka lindur më 1956 në Sllatinë të Poshtme të komunës së Vitisë, tash rezident në Zvicër. Tërë jetën dhe veprimtarinë ia ka kushtuar Atdheut, Kosovës, kulturës shqiptare dhe humanizmit. Prandaj jo rastësisht ai do të këndojë:

Tërë jetën u dogja për Ty, Kosovë,
Me dhembje të mëdha në shpirt.
Për Ty Atdhe, për tokën, fshatin, fushat,
për njeriun, malet, dritën dhe bukën…

Pas shkollës fillore në vendlindje dhe gjimnazit në Viti dhe Ferizaj, ai ka mbaruar Fakultetin Filozofik, ku ka studiuar në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për shkak të përndjekjes nga pushteti serbo-sllav, Ismeti ishte i detyruar ta braktiste Kosovën dhe të emigronte në Zvicër, ku do të zhvillonte një aktivitet të dendur në shumë fusha si veprimtar i devotshëm dhe i palodhur i çështjes kombëtare, si gazetar dhe publicist. Ka botuar qindra shkrime interesante dhe me vlerë. Është autor i disa veprave me vlera shumështresore. Po ashtu Ismeti është i njohur edhe si autor i dhjetëra filmave dokumentarë, si dhe autor i filmit të njohur dokumentar për Nënë Terezën, që është përkthyer në katër gjuhë të huaja (anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht).
Vlen të theksohet, se për kontributin që ka dhënë në shumë fusha, autori Ismet Rashiti është vlerësuar me shumë mirënjohje dhe çmime.

Mbi vëllimin “Palca e gurit”
Te kjo përmbledhje me poezi, siç shihet edhe nga titujt e cikleve dhe nga titujt e vetë poezive që janë përfshirë në këtë vëllim, kuptojmë se ato, ndonëse të shkruara në periudha dhe rrethana të ndryshme të jetës së autorit, që tashmë ka një përvojë letrare poetike mjaft të stabilizuar, karakterizohen nga një frymë e thellë patriotike dhe liridashëse. Kjo dëshmohet fuqishëm në poezinë “Palca e gurit”, sipas së cilës autori me të drejtë e ka titulluar edhe këtë vëllim:

Nga palca e gurit kam dalë,
E shkëmb në tokën time jam.
Nga vendi kurrë s’lëviz,
Se askund s’peshoj më mirë!

Le t’më shkelin shekujt,
Era gjak le t’më vijë çdo stinë.
Unë kurrë nuk do të shkulem,
Gur përmbi gur, kala përsëri!

Kjo poezi, titullin e së cilës e mban edhe kjo përmbledhje, është programatike, shumë përmbajtësore dhe shenjëzuese e jetës dhe e shpirtit krijues të poetit, i cili me shumë përkushtim, me shumë dashuri dhe elegancë poetike u ka kënduar figurave më të ndritura të kombit, siç janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Rexhep Qosja, Bekim Fehmiu etj.
Nëpërmjet vargjeve të tij, Ismeti ka treguar se është po ai, poeti ynë i dashur, që tërë jetën ia ka kushtuar atdheut, Kosovës dhe është djegur nga malli për të, prandaj shumë sinqerisht edhe këndon:

Me ashtin tënd jemi ngjitur,
Tokë e ndezur nga zjarri,
Në frymën tënde gjejmë prehjen,
Tokë e kuqe, e përgjakur.

“Palca e gurit” e poetit Ismet Rashiti është vetë Kosova, toka dhe atdheu që e ka lindur dhe rritur poetin; heronjtë dhe atdhetarët e saj, që janë të shumtë e të cilët kanë luftuar për të ndër vite dhe shekuj, duke e ujitur këtë tokë të shenjtë me gjak…
Në këtë vëllim kemi plot vargje kushtuar figurave të ndritura të kombit shqiptar. Poeti u ka kushtuar vargje antologjike jo vetëm Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Ukshin Hotit, UÇK-së etj., por edhe figurave të mëdha të artit e të kulturës shqiptare, siç janë Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Bekim Fehmiu etj.
Ndërkaq, te cikli i fundit i këtij vëllimi, jo rastësisht poeti ka shpalosur revoltën dhe protestën e tij kundër dukurive negative në shoqërinë tonë.
Dhe në fund le të theksojmë edhe një herë, se në këtë vëllim poetik, autori ka shpalosur mjaft bukur dhe me elegancë poetike botën e tij të pasur poetike dhe shpirtërore. Prandaj ky vëllim, sipas vlerësimit tim, jo vetëm për shkak të përmbajtjes, por edhe për shkak të vlerave që ka, lexohet me një frymë dhe, si i tillë, të jep kënaqësi të veçantë estetike, për çka autori meriton një mirënjohje të veçantë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…