Një burrë

03 shkurt 2025 | 22:02

Shkruan: Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension.

Një burrë i zakonshëm ndërroj jetë dje. Një burrë shqiptar, i cili me jetën e tij kishte ndërtuar një kështjellë që mbahej në mënyrë të palëkundur në veprat që ai kishte kryer.

Ky burrë ishte Fadil Kelmendi nga Balinca e Malishevës, i cili njihet për:

Së pari, se ishte një mësues, që për gjithë jetën e tij kishte mësuar vajzat dhe djemtë shqiptarë si të ishin të mirë, si të ishin të sjellshëm, si të ishin të ditur, si të ishin të suksesshëm, si të ishin atdhetarë, si të ishin të dashur midis tyre, si të ishin besnikë dhe si të ishin të luftëtarë të drejtës dhe zhvillimit. Një detyrë kjo që e bëri të dashur për gjithë plejadën e nxënësve të cilët kaluan nëpër klasën ku ai mbajti mësimin në shkolla të ndryshme ku punoi.

Fadil Kelmendi në punën e tij u bë simbol i korrektesës dhe përgjegjësisë, për të transmetuar mirësi, intelekt dhe kulturë për të gjithë, duke treguar se si duhet të jetë një mësues edukator e patriot, që e donë vendin e tij dhe popullin e tij.

Së dyti, Fadil Kelmendi ishte një veprimtar, që familjen e tij e lidhi me rrugën e ecurisë kombëtare nën pushtim, duke e kthyer shtëpinë e tij në një bazë të fshehtë të ilegalitetit. Aty në shtëpinë e tij kaluan dhe qëndruan ilegalë, të cilët u strehuan, u ushqyen dhe u mbrojtën, duke u dhënë siguri për të vijuar më tej me detyrat e tyre. Është ky një akte trimërie, që e bën Fadilin një patriot dhe qëndrestar që nuk trembet nga pasojat prejveprimeve të armikut kur është fjala për çështjen e lirisë dhe të identitetit kombëtar.

Së treti, Fadili kur doli në skenën e luftës për liri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk u tremb të identifikohej me këtë ushtri familjarisht, bashkë me bashkëshorten Elmije Kelmendi dhe me të tre vajzat e dy djemtë e tij, jo vetëm duke u bërë pjesë e luftës, por duke u bërë luftëtarë të pandashëm dhe të patrembur të UÇK-së deri në çlirimin e vendit. Edhe ky një tregues i forcës që mbante brenda vetes ky burrë shqiptar, me bindje të plota për të bërë çdo sakrificë për atdheun e tij me të gjithë familjen e pasardhësit pa e përfillur kërcënimin e rrezikut.

Së katërti, Fadili pati mjaft dashuri për t’i dhënë familjes së tij. Ai ishte modeli i prindit, për të edukuar pasardhësit e tij me dashuri të pafundme për njëri tjetrin, duke i bërë të gjithë të ishin shumë mirëkuptues dhe me ndjenjën e sakrificës për njëri tjetrin. Në atë familje kurrë nuk kishte ngritje të zërit, kurrë nuk shihej ndonjë shikim i vërejtur a pakënaqësi. Aty ishte ligj të kishte veç mirësi dhe ndjenjë të lartë mirëkuptimi. Për çështje të ndryshme edhe politike, edhe kulturore të cilat ishin më të shpeshtat, edhe humanitare, edhe atdhetare, edhe shoqërore etj., merrnin pjesë të gjithë, por gjithnjë duke e dëgjuar njëri tjetrin me nderim. Aty kam parë një familje që vërtetë kanë arsye për të qenë bashkë. Dhe gjithë këtë harmoni e kishin mbjellë me shumë kujdes Fadili me bashkëshorten e tij Elmijen. Jam i bindur se kjo harmoni do të jetë në atë familje edhe në vijim në mungesë të këtyre dy prindërve të mrekullueshëm.

Së pesti, Fadili i ka edukuar pasardhësit me një dashuri të pasosur për librin. Mendoj se në atë familje libri ishte pronë e të gjithë anëtarëve të familjes, çka e vlerësoj si një veçori për kohën dhe një tregues se aty ku shfrytëzohet libri ka edhe dije dhe sukses në jetë. E këtë e vërteton fakti se të gjithë pasardhësit e tij janë intelektualë dhe me dashuri të madhe për të arritur sukses në jetë. E mund të them se megjithëse bijat dhe bijtë e tij kanë arritur suksese të mira intelektuale, po duket se nipërit dhe mbesat por ecin me më shumë rezultate dhe jam i bindur se siç duken sot të shkëlqyer nëpër nivelet e ndryshme të shkollavederi në universitete, do të jenë të shkëlqyer edhe në të ardhmenkur të jenë në frontet e punës për të ndërtuar portretet e tyre.

Së fundi, dua të vë në pamje se Fadili nuk ishte zhurmaxhi. Ai nuk dilte të bënte deklarata me zhurmë e bëra e bëra e bëra, ai kryente punën dhe heshtte. Por vërtetë e kryente detyrën që i kishte vënë vetes, që i kishte vënë situata e koha a që i kishte vënë atdheu dhe kombi i tij.

E sot është bërë modë, që ata të cilët nuk kanë bërë e nuk bëjnë asgjë, bëjnë zhurmë thuajse gjithë Kosova e kombi marrin frymë nëpër frymëmarrjen e tyre.

Ndërsa Fadil Kelmendi ishte burrë. Ai i kreu detyrat e tij. Ai ishte nga ata burra që nuk e vendosnin të drejtën duke ngritur zërin e duke bërë zhurmë, por duke arsyetuar e duke vepruar.

Ky burrë bëri një jetë të lumtur. Bëri një jetë të pasur e të plotësuar me të gjitha veprat më të mira. U largua nga kjo jetë për në amshim, duke lënë trashëgim gjithçka bëri në këtë botë për ta bërë atë më të kulturuar, më të pasur, më të bukur dhe më të sigurt.

Jam i lumtur dhe krenar që e kam njohur këtë burrë dhe veprën e jetës së tij, ashtu si dhe familjen e pasardhësit te të cilët kam bindje të plotë se do të vijojnë të sjellin në mjedise, mirësi, kulturë, dije dhe qëndresë.

Ai ishte një burrë shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, shprehu mirënjohje dhe…