Një burrë tenton t’i japë fund jetës me armë zjarri, e shpëton vëllai
Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Prizren, ku një person tentoi t’i japë fund jetës, por vëllai i tij arriti ta ndalojë.
Bëhet fjalë për një 44-vjeçar, i cili, nën ndikimin e alkoolit, e kishte marrë një armë zjarri dhe ka tentuar të bëjë vetëvrasje.
Posa vëllai i tij e ka kuptuar që diçka nuk është në rregull, i ka shkuar pas 44-vjeçarit dhe ka arritur që në momentin kur ai kishte nxjerrë armën, t’ia largojë nga duart.
Sipas burimeve të Sinjalit, si pasojë e tentativës së vëllait të viktimës për ta parandaluar këtë akt, arma ka shkrepur në dhomë, por askush nuk është lënduar.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimi është iniciuar si ‘vetëvrasje në tentativë’.