Një çerekshekulli pas Konferencës së Rambujesë, shqiptarët nuk janë më ata që ishin dikur
Imer Xhemail Lladrovci
Me 15 mars të vitit 1999 në qendrën Kleber (Kléber) në Paris u nënshkrua Marrëveshja e Rambujesë (Rambouillet) pas dështimit të bisedimeve mes delegacionit tonë dhe delegacionit jugosllav. Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë e filloi punën e saj me 6 shkurt 1999 në kështjellën e Rambujesë dhe u mbyllë pa një pajtim mes palëve, dmth. pa arritjen e një marrëveshjeje politike mes tyre me 23 shkurt 1999. Delegacioni shqiptar në krye me Hashim Thaçin u rikthye tre javë më vonë në Paris dhe e nënshkroi Marrëveshjen e ofruar nga ShBA-ja, BE-ja dhe Rusia e asaj kohe në mënyrë unilaterale, pa Serbinë si partner i bisedimeve, sepse ajo e refuzoi në tërësi këtë Marrëveshje që u ofronte bashkësia ndërkombëtare palëve në konflikt.
Ky fakt është shumë i rëndësishëm për rrjedhojat politike e historike që prodhoi që atë vit dhe më vonë kjo Marrëveshje, kështu që për kujtesën tonë kombëtare përbën një moment kthese historike, sepse pas saj ndryshoi gjithçka, që nga themelet, në jetën tonë kombëtare. Kosova para dhe pas Rambujesë nuk ishte i njëjti vend. Nga një provincë serbe, ajo u kthye në një subjekt shtetëror me njohje të madhe ndërkombëtare. Kosova sivjet festoi 16 vjetorin e pavarësisë. Vetëm ky fakt mjafton për ta kuptuar thelbin e ndryshimeve epokale që janë bërë. Qëndrimi kooperativ i palës shqiptare në mars të vitit 1999 u shpërblye me bombardimet e NATO-së mbi Jugosllavinë e Zhablakut që atëbotë përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi, kurse Kosova kishte statusin e mjerë të një obllasti në kuadër të Serbisë dhe shtypej në mënyrë brutale që prej vitit 1981. Mendësia rankoviçiane në politikën serbe ishte ringjallur dhe radikalizuar. Serbia u kyq në traditën e saj represive ndaj shqiptarëve të periudhës kohore mes viteve 1948 e 1966. Përndjekja dhe diskriminimi i shqiptarëve që nga koha e Pranverës së Madhe shqiptare nuk u zvogëlua, por shkoi duke u intensifikuar dhe në vitet 1990 mori përmasat e apharteid-it racor, sado që serbët dhe shqiptarët të paktën përkah ngjyra e lëkurës nuk mund të klasifikoheshin si dy raca të ndryshme, por racizmi në politikë manifestohet në forma të ndryshme malinje, kështu që ai nuk mund të rrëgjohet në një dukuri politike që ka të bëjë vetëm me tiparin e ngjyrës së lëkurës. Racizmi më i rrezikshëm është ai që që ndërtohet mbi paragjykimin e aftësive të mangëta mendore të një grupi etnik a kombëtar. Ky demonizim në fund ka si rezultat luftën e hapur ndaj një populli. Politika zyrtare e Beogradit ishte ndërtuar mbi premisat se shqiptarët janë qenie me deficite të theksuara antropologjike, mendore e kulturore, kështu që ata për këtë arsye në politikë s‘mund të trajtoheshin kurrësesi të barabartë me serbët si qytetarë të shtetit modern serb që quhej Jugosllavi, por që de facto ishte një formë e Serbisë së Madhe. Nga politika serbomadhe nuk vuanin vetëm shqiptarët, por vetëm ata kishin një ndjeshmëri të madhe ndaj pabarazisë politike, e cila tashmë kishte marrë trajtja të një politike brutale. Edhe malazezët, hungarezët dhe grupe të tjera etnike më të vogla trajtoheshin në mënyrë diskriminuese, por statusi i tyre ishte objektivisht i ndryshëm nga ai i shqiptarëve. Sidomos pozita kushtetuese e malazezëve ishte larg më e mirë se ajo e shqiptarëve. Malazezët kishin një status tjetër politik që në dukjen e jashtme të jipte përshtyojen e një statusi të privilegjuar, por në thelb ata gjithë këtë e paguanin me një çmim tmerrësisht të lartë: me humbjen e shtetësisë së tyre, të cilën e rifituan tek në vitin 2006. Në këtë kuptim edhe ata duhet llogaritur në anën e fitimtarëve në rrethanat historike që prodhoi Konferenca e Rambujesë në rrjedhën e kohës.
2.
Një çerekshekulli është një kohë e gjatë për njeriun. Jeta e tij mund të ndryshojë shumë, ndonjëherë duke marrë një kahje të habitshme. Nga delegacioni shqiptarë një pjesë nuk jeton më: Fehmi Agani u vra brenda në Kosovë nga serbët qysh në kohën e bombardimeve, kurse Ibrahim Rugova vdiç 7 vjet më vonë në Kosovën nën administrimin ndërkombëtar sipas rezolutës së OKB-së 1244 dhe me KFOR-in brenda, pa asnjë prezencë policore e ushtarake serbe në territorin e saj, saktësisht dy vite para shpalljes së pavarësisë, kryetari i tij Hashim Thaçi dhe zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi ndodhen në një burg ndërkombëtar, në Burgun e Hagës në Holandë, në ndërkohë që pjesa tjetër e delegacionit jeton kryesisht jashtë politikës. Fati njerëzor i tyre ka qenë krejt i ndryshëm, por fati politik i Kosovës mund të thuhet se ka shënuar një ndryshim thelbësor. S’ka asnjë dyshim që populli shqiptar ka përfituar shumë nga kjo Marrëveshje. Këtë gjë ka mundur ta konstatojë çdo njeri qysh në vitin 1999, kurse sot, pas një çerekshekulli, vetëm një i çmendur mund të thotë diçka tjetër që bie ndesh me realitetin historik. Sot kemi shtetin e pavarur të Kosovës me subjektivitet ndërkombëtar të kufizuar ndërkombëtar për shkak se sovraniteti i saj ende kontestohet nga Serbia, Rusia, Kina, Irani dhe aleatët e tyre. Në këtë botë të ndarë, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, ne jemi në anën e duhur, në sferën e civilizuar të botës. Para kësaj konference ndërkombëtare Kosova ishte pjesë e një shteti që ushtronte ndaj saj dhunë dhe represion të gjithëfarshëm. Ne ndoshta kemi të drejtë të harrojmë shumëçka, por kurrësesi faktin se dikur ishim të pushtuar dhe sot jemi njerëz të lirë të një shteti që përditë e më shumë po bëhet pjesë e botës së qytetëruar, duke u anëtarësuar në organizatat më të rëndësishme perëndimore, atje ku nuk mund të pengohet nga vetoja e Serbisë dhe e aleatëve të saj.
3.
Shteti i Kosovës nuk është një produkt rastësor i rrethanave historike, por fryt i një politike të zgjuar afatgjatë dhe i luftës sonë të armatosur kundër Serbisë që lidhet drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Rambujesë dhe kryetarin e delegacionit shqiptar Hashim Thaçi. Udhëheqës politik i UÇK-së, kryeministër i Republikës së Kosovës që e lexoi Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, më pas ministër i saj i jashtëm dhe, në momentin e arrestimit, President i Republikës së Kosovës, trajektorja politike e Hashim Thaçit s‘ka sesi të jetë më mbresëlënëse. Shteti i Kosovës ka obligime institucionale ndaj këtij njeriu, për mbrojtjen e tij, pa ndikuar aspak politikisht në vendimet e gjyqit, të cilat i përkasin një domeni tjetër. Sidoqoftë, lufta për mvetësi shtetërore dhe pavarësia e Kosovës lidhen me nyje të pazgjidhshme me veprimtarinë politike të këtij njeriu.
Neve si shqiptar ndoshta na lejohet të harrojmë shumë gjëra në jetën tonë, por nuk na lejohet kurrësesi ta harrojmë kontributin politik të këtij njeriu dhe të gjithë të burgosurëve në Hagë, nëse duam të jemi një popull serioz. Këtë gjë ne thjesht nuk guxojmë ta bëjmë nga pikëpamja morale. Nicolo Machiaveli ka thënë se politika duhet shkëputur nga morali, por një politikë e tillë dështon pa asnjë dyshim. Rruga e popujve drejt lirisë së tyre nuk është drejtvizore dhe pa gabime. Por, siç ka thënë Krishti kur po vendosej për ndëshkimin e një mëkatareje, se gurin e parë mbi të mund ta hedh secili që mendon se është pa asnjë mëkat. Ata nuk janë atje ku janë për arsye personale e private, por për shkakun tonë. Ne e dimë sesi filloi e gjithë kjo histori. Senatori zviceran Dick Marty, që vdiç vitin që shkoi, e tematizoi në Këshillin e Europës çështjen e përgjegjësisë së shqiptarëve për krimet e luftës dhe ngriti një sërë akuzash të rënda në rradhë të parë kundër Hashim Thaçit. Dihet gjithashtu që senatorit të sipërpërmendur ambasadori serb në Bern Milan St. Protiç ( Milan St. Protić) ia dorëzoi një dosje të madhe kundër liderëve shqiptarë të luftës së armatosur që e kishte përgatitur Beogradi. Këto akuza sot janë pjesë e padisë ndaj të burgosurëve në Hagë, Gjykata Speciale e së cilës deri më tani ka dhënë dënime drakoniane që bien ndesh me logjikën juridike, sepse disa nga dënimet janë më të larta se ato për kriminelët e luftës në Bosnjë që kanë vrarë dhe torturuar qindra e mijëra njerëz. Serbisë mund t’i bëhen lëshime, por jo të tilla që prekin dinjitetin e një populli. Për vrasësit e saj dhe protagonistët lokalë të politikës serbe të shfarosjes së popullit shqiptar nuk mund të ndëshkohen luftëtarët e dikurshëm të UÇK-së. Çdo gjë duhet të vërtetohet mirë dhe asgjë relevante në pikëpamje juridike nuk duhet anashkaluar. Shkurt, krimet pavarësisht maskimit ideologjik duhet ndëshkuar, por ndëshkimi ka edhe një dimension kuantitativ që lidhet direkt me anën kuantitative të krimit. Dhe, mbi të gjitha, vepra penale duhet të vërtetohet në mënyrë të pakontestueshme. Paushallizimi politik i ndëshkimit nuk i shërben askujt.
Autori është ish diplomat karrjere dhe shef i Konsullatës së Republikes së Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë dhe Vjenë të Austrisë.