Një decenie pavarësi e sovranitet
Salihe Salihu – PhD kandidat
Kosova pas çlirimit nga okupimi serb në vitin 1999 nuk arriti që menjëherë prej atij momentumi ta gëzojë pavarësinë dhe ta shtrijë sovranitetin. Normat e fabrikuara ndërkombëtare e ndaluan ecurinë e Kosovës për procesin më dinamik drejt pavarësisë dhe sovranitetit. Ky lloj prolongimi ishte arsyetuar me aspiratën e ndërkombëtarëve që të arrihet paqja para pavarësisë dhe sovranitetit. Me këtë rezonim të faktorit ndërkombëtar u pajtua edhe faktori i brendshëm dhe veproi konform marrëveshjes me ndërkombëtarët, që të kontribuojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Por, pavarësia dhe sovraniteti ishin elementë kyçë që Kosova të bëhej një shtet karshi shteteve të tjera të botës. Prandaj, angazhimet e panumërta të aktorëve politikë për ta kurorëzuar e finalizuar statusin e Kosovës u zhvillua me negociata të ndërlikuara gjatë periudhës prej paslufte e deri te Dita e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008.
Pavarësia e legjitimuar
17 shkurti 2008 ishte data për të cilën ishin sakrifikuar shumë breza dhe tani sakrifica e tyre u hynjëzua në Pavarësi. Me shikim drejtuar në këtë manifestim hynjorë lirshëm mund të konstatohet se kjo ishte Dita më madhështore që po e festonin shqiptarët që prej 1912-s.
Gjaku i heronjve, dëshmorëve e martirëve ishte në gurë themelin e Momentumit të ri. Pavarësia e Kosovës u bë një faktum, një realitet i ri duke e shpallur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e sovran. Pavarësinë e Republikës së Kosovës e mbështeten shtetet më të fuqishme Perëndimore duke e njohur si shtet të pavarur dhe sovran. Me këto njohje Republika e Kosovës fitoj legjitimitetin ndërkombëtar.
Republika e Kosovës si shteti i ri mori përsipër që me një qeverisje të butë por të drejt ta fuqizon performancën e vet shtetërore si brenda vendit edhe jashtë saj. Në raportin e brendshëm qeverisja vendore bëri hapa zhvillimor që të përmirëson jetën e qytetarëve të vet. Mirëpo ndryshim dhe përmirësim nuk arrihen me minutazhat e orëve apo ditëve por kërkohet kohë që të formohet dhe zhvillohet së pari mentaliteti i të bërit shtet, që në radhë të parë të mendohet që shteti të ruhet e te mbrohet. Ky zhvillim i mendësisë është primarë për qëndrueshmërinë e një shteti të pavarur e sovran.
Kur në mendjen e secilit ngulitet se pa një shtet të fuqishëm nuk mund të mbrohet as familja e shoqëria por as prona shoqërore e private atëherë mund të themi se duam shtetin. Kur shteti është me prioritet numër një në mendësinë e çdo qytetari atëherë s’ka forcë që mund ta mposhte ekzistencën e tij. Pas këtij formimi në kokën e secilit mund të mendojmë për zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit. Vetëkuptohet se zhvillimi shoqëror kalon nëpër procese dhe se çdo proces ka ecurit e veta dhe duhet të merret parasysh që procesi zhvillimor përbëhet nga nuancat specifike.
Në vëzhgim të këtyre nuancave në shtetin tonë mund të themi se hapat zhvillimor janë të matshëm por jo të kënaqshëm apo të përmbushur. Zhvillimi ekonomik nuk është i nivelit të dëshirueshëm apo që mund të mburremi se i plotësoj aspiratat as të qeveritarëve por as të popullit. Ngecjet e pakontrolluara shkaktuan një lloj dëshpërimi por fatbardhësisht nuk shkaktuan ndonjë kolaps në zhvillimin shoqëror të vendit. Kjo gjendje duhet që sa ma parë të përmirësohet. Fatmirësisht orvatjet për të hap perspektivën ekonomike me ritëm më të theksuar po vazhdojnë ndonëse këto premtime të udhëheqësve janë ende në formë deklarative megjithëkëtë kjo çështje mbetet në fazën e pritshmërive.
Sovraniteti
Në raportin ndërkombëtar Republika e Kosovës ka një progres të kapshëm përmes anëtarësimit në disa instanca ndërkombëtare dhe vazhdon me përgatitë terrenin për aplikime të reja për t’u anëtarësuar në më shumë instanca tjera ndërkombëtare.
Por në këtë vit jubilar, 10-vjetori i pavarësisë dhe vit i Skënderbeut, duhet të jetë vit i Kosovës evropiane. Kosova duhet të rrisë aktivitetin e saj për integrim në Unionin Evropian. Gjithë liderët shqiptarë të përpiqen që në koordinim me njëri tjetrin të prezantojnë platformën politike në raport me ndërkombëtarët për vitin 2018 – të shpallin vitin 2018 si vit jubilar për anëtarësim si simbolik e 100-vjetorin të përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe të bëhet trysni për të mundësuar shansin për pakon e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
Me një angazhim të gjithanshëm të gjitha përfaqësitë e Kosovës të agjitojnë në vende ku ata përfaqësojnë Kosovën që ky rast të mos humbet sikurse që u humb rasti i propozuar në Samitin e Selanikut që parashikonte që viti 2014 të ishte vit i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Ky argument para ndërkombëtarëve do lëvizë gurët për të mundësuar rrjedhën e procesit.
Përkundër turbulencave të herëpashershme, Republika e Kosovës përballoi çdo stuhi. Në shënimin e një decenie pavarësi dhe sovranitet, Republika e Kosovës, duke qeverisur me parimin e organizimit të lirisë dhe vetëpërmbajtjes, ka arritur të gjenerojë një bashkëjetesë të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Gjithashtu, ka përmirësuar bashkërendimin për një qeverisje të përbashkët që si moto ka për të mirën e përbashkët për të gjithë qytetarët.
Republika e Kosovës sovrane është dëshmuar se ka kapacitete ta mbrojë territorin e saj nga çdo lloj tendencë shkatërrimtare qoftë nga aktorë të brendshme apo të jashtëm. Gjatë një decenie pavarësi Republika e Kosovës sovrane sfidoi planifikimin e aktit terrorist në Prishtinë si dhe parandaloi sulmin pompoz përmes vijës hekurudhore.
Sovraniteti i Republikës së Kosovës ka nevojë për secilin qytetar sepse secili nga ne është sovran dhe me bashkimin e sovranitetit individual kemi unifikuar sovranitetin shtetëror. Me këtë formulë Republika e Kosovës ka rritur fuqinë e shtetit dhe ka kontinuitet për progres për të ardhmen.
Në gjithë botën Republika e Kosovës, me arritjet e veta gjatë një decenie pavarësi e sovranitet, është një dëshmi e një storie të suksesit të shtetit më të ri në Evropë.