Një dekadë burg për ish-agjentin e CIA-s që spiunoi për Kinën
Një ish-punonjës i CIA-s dhe kontraktor për gjuhët me FBI-në, i cili mori para dhe dhurata të kushtueshme në këmbim të spiunazhit për Kinën, u dënua të mërkurën me 10 vjet burg.
Alexander Yuk Ching Ma, 71 vjeç, bëri një marrëveshje me prokurorët federalë në muajin maj, të cilët ranë dakord të rekomandonin dënimin me 10 vjet burg në këmbim të pranimit të fajit për shitjen e sekreteve amerikane një qeverie të huaj.
Ai u arrestua në vitin 2020. Në një letër drejtuar gjykatësit përpara shpalljes së dënimit, i pandehuri Ma shkruante mes të tjerash se, “Shpresoj që Zoti dhe Amerika të më falin për atë që kam bërë”. Nëse nuk do të ishte arritur marrëveshja, ai do të përballej me mundësinë e burgimit të përjetshëm.
Alexander Yuk Ching Ma lindi në Hong Kong dhe u zhvendos në Honolulu në vitin 1968. Ai mori nënshtetësinë amerikane në vitin 1975 dhe u punësua në CIA në vitin 1982. Një vit më vonë u caktua me shërbim jashtë vendit dhe në vitin 1989 dha dorëheqjen. Sipas dokumenteve të gjykatës ai mbante një certifikatë sigurie të nivelit “top-sekret”.
Sipas dokumenteve të gjykatës, gjatë një takimi treditor në një hotel në Hong Kong, vëllai i zotit Ma u dha agjentëve kinezë një sasi të madhe dokumentesh sekrete.
Prokurorët thanë se kishin video që tregonin zotin Ma duke numëruar 50,000 dollarët e pagesës. Dy vjet më vonë, Ma aplikoi për një punë si kontraktor gjuhësh me zyrën e FBI-së në Honolulu. Amerikanët e dinin se ai po bashkëpunonte me agjentët kinezë dhe e punësuan atë në vitin 2004, në mënyrë që të ndiqnin nga afër aktivitetet e tij të spiunazhit.
Gjatë gjashtë viteve në vazhdim, ai vodhi rregullisht dokumente sekrete, thanë prokurorët. Në shumë raste ai i merrte me vete dokumentat gjatë udhëtimeve në Kinë, duke u kthyer me mijëra dollarë dhe dhurata të shtrenjta, thanë prokurorët.
Në një rast kur një punonjës i zbulimit amerikan u prezantua si gjoja agjent kinez, Ma pranoi mijëra dollarë në këmbim të të dhënave sekrete nga e kaluara dhe i tha se dëshironte që të shihte suksesin e “mëmëdheut”, sipas prokurorëve amerikanë.
“Le të jetë një mesazh për këdo që mendon të bëjë të njëjtën gjë”, tha shefi i zyrës së FBI-së në Honolulu, Steven Merrill, në një deklaratë pas dënimit të zotit Ma. “Pavarësisht se sa kohë duhet ose sa kohë kalon, ju do të sillen para drejtësisë”.
Vëllai i tij nuk u ndoq kurrë penalisht pasi ai ka vdekur nga sëmundja e Alzheimerit, thuhet në dokumentet e gjykatës. /VOA