Një delegacion i Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit shqiptar “Nderi i Kombit”, bëri një vizitë në Kosovë
Ky delegacion kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm Veli Myftari në të cilën bënin pjesë edhe nënkryetarja e këtij Komiteti shoqja Elidjana Canaj dhe anëtari i Kryesisë dhe Departamentit i Marrëdhënieve me Jashtë sh. Ksenofon Krisafi
Me porosi të veçantë të shokut Odhise Porodini, kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, u ngarkuan të shkonin në Kosovë për t’u takuar e biseduar nga afër me veteranët e LANÇ, dhe ata të UÇK.
Kjo vizitë u krye më 27.06.2022 duke shkuar në Prishtinë ku u takuan miqësisht me shokët: Xhavit Jashari- kryetar i Organizatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK, Fadil Shurdha – kryetar i shoqatës së invalidëve të Luftës së UÇK, me Faton Klinakun – i ngarkuar tek Organizata e Veteranëve të UÇK, me ish luftëtarin e UÇK – Ismet Sylejmani. Por nuk mundën të takonin drejtues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ çka mbetet për tu zgjidhur më vonë.
Në këto takime shokësh, miqsh u ritheksua nevoja dhe drejtimet e bashkëpunimit dypalësh ne përputhje me interesat e përbashkëta. Reciprokisht do të nxitin dhe do të mbështesin nisma të dobishme në funksion të përmbushjes së misionit tonë si organizata të ruajtjes dhe lartësimit të vlerave etnike historike, vlerat atdhedashëse e liridashëse, vlerat më të spikatura në vitet e LANÇ dhe të luftërave Çlirimtare, Antifashiste, ajo për çlirimin e Kosovës, nga UÇK, vlerat e të cilave të transmetohen në breza.
Organizatat tona i qëndrojnë kohës dhe kohërave, sepse ato respektojnë të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe dënojnë çdo luftë pushtuese! Organizatat tona respektojnë e u janë mirënjohëse ishluftëtarëve të Lirisë, të rënëve për interesat e Atdheut tanë këtej e andej kufirit. Në jemi krenarë për luftëtarët e lirisë të të gjitha periudhave të historisë sonë të përbashkët të lavdishme. Organizatat tona nuk pajtohen me shtrembërimin apo dëmtimin e të vërtetave historike, ato dënojnë si nazifashizmin e djeshëm ashtu edhe çdo nuancë e shfaqje të tij kudo e kurdoherë!
Me rëndësi ishte edhe takimi që bëri delegacioni me Kryeministrin e Kosovës z. Albin Kurti, me të cilin u fol për qëllimin e vizitës në Kosovë.
Kryeministrit ju përcollën përshëndetjet nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ nga Kryetari i këtij Komiteti shoku Odhise Porodini. Mbas falënderimeve të ndërsjella edhe z. Albin Kurti mbështeti nevojën e bashkëpunimit të organizatave tona sepse ne kemi Histori te përbashkët, kemi të sotme të përbashkët dhe të ardhme të përbashkët! Jemi nje Komb! Situatat në botë ndryshojnë! Qendrimet tona gjithashtu do t’u pergjigjen ndryshimeve! Dje Bashkimi Sovjetik ishte shembulli i shpresës, i besimit dhe vlerësohej për qëndrimet Antifashiste e antinaziste! Ishte në krye të luftërave për Liri, ishte pjesë e rëndësishme e koalicionit antifashist botëror! Por sot Rusia është pozicionuar agresive e pushtuese ndaj Popullit të Ukrainës! Qëndrimi i saj sot nuk është Ai i ish BRSS!
Zotit Albin Kurti, ju dorëzua “Distinktivi i 65 vjetorit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ”, për të cilin kryeministri shprehu falënderim e mirënjohje.
Takimet e zhvilluara shënuan një nisje të mirë për institucionalizimin e marrëdhënieve tona, mbasi u këmbyen eksperienca të suksesshme, ide e propozime me vlera për thellimin e marrëdhënieve tona!
Mbetet të kontaktojmë edhe përfaqësues nga Organizata e Veteranëve të LANÇ në Kosovë! Nuk mund ta lemë pa përmendur që përfaqësuesit e të tri organizatave me themele në UÇK ishin bashkëpunues të mirë, mirëkuptues, komplementarë dhe mjaft shoqërorë!
Aty u bisedua edhe për shumë çështje te përbashkëta qe i preokupojnë këto Organizata. Ndërsa u dakorduam që me 20 korrik 2022 te festojmë së bashku ditën e Veteranit dhe 65 vjetorin e krijimit te Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar së bashku në Tiranë!”
Korrespondenti i gazetës “Kushtrim brezash”