Një delegacion i mjekëve nga Turqia do të realizojë 50 operacione të fëmijëve në Kosovë me probleme në buzë dhe hundë
Një delegacion i mjekëve dhe stafit tjetër përcjellës nga Turqia, do të realizojë 50 operacione të fëmijëve në fushën e Kirurgjisë Plastike dhe Kirurgjisë Maksilofaciale që kanë lindur me probleme në buzë dhe hundë, mision ky që po realizohet në kuadër të Shoqatës “Interplast” nga Turqia.
Me këtë rast, për t’i dëshiruar mirëseardhje delegacionit nga Turqia, prezentë ishte ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Zhvillimit Rural, Fikret Damko, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe përfaqësues të organizatës TIK-a, që poashtu, përkrahen projektin.
Në emër të ShSKUK-së, mirëseardhje delegacionit nga Turqia i uroi dr. Ardian Shefkiu, i cili i falënderoj ata për gatishmërinë, kontributin dhe bashkëpunimin që do të japin në QKUK, e cila do të shërbejë edhe si eksperiencë për stafin tanë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar shtetin turk për investimet e deritanishme dhe bashkëpunimin e ofruar.
“Ne si shtetet kemi kaluar fazën emergjente me donacione dhe investime, populli mik na ka ndihmuar, kemi nevojë për ekspertizën e jashtëzakonshme nga shteti mik, prandaj, prania e profesorit dhe profesionistëve nga Turqia do të ndihmojë 50 pacientë. Ajo që më gëzon është se do kemi mundësi edhe të edukojmë stafin dhe të zhvillohemi profesionalisht. Ky ishte hapi i parë i një bashkëpunimi që do të vazhdojmë me Kirurgji Maksilofaciale dhe Kirurgji Plastike”, ka theksuar ministri Vitia.
Ambasadori turk në Kosovë, Sabri Tunç Angili, mes tjerash potencoi se Kosova ka nevojë për përvojën e mjekëve nga Turqia të cilët kanë numër më të madh të pacientëve dhe më shumë eksperiencë. “Kosovën e shohim si vend mik dhe vëlla, ne mendojmë se është e natyrshme vëllazëria dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dua të falënderoj TIK-a, për realizimin e këtij projekti, por edhe ministrin Fikret Damka, që ka realizuar ndihmuar këtë projekt”, përfundoi ambasadori Sabri Tunç Angili.
Ministri i Zhvillimit Rural, Fikret Damka, i cili vjen nga komuniteti turk, e që ka ndihmuar në realizmin e këtij projekti, tha se lidhjen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë dhe përkrahjen po mundohen të forcojnë edhe në fushën e shëndetësisë.
“Ne e kemi dizajnuar me kohë këtë ide, i falënderojmë që na ndihmuar po mundohemi që lidhjen e urës ta forcojmë dhe të bëjmë këtë edhe në shëndetësi, ku ndarja e përvojës është me rëndësi”, ka thënë Damka.
Profesori nga Turqia, Metin Yavuz, kirurg plastik dhe rekonstruktiv, ka thënë se kanë kemi vlerësuar pacientët tek të cilët do kryejnë intervenime dhe kanë marrë vendimet.
“Do të kryejmë operacione tek të porsalindurit me probleme në buzë dhe hundë, këto raste nëse nuk kryhen deri 18 muaj shfaqen probleme që nuk mund të kryhen më vonë. Kemi planifikuar të kryejmë 20 operacione, por pas vizitave dhe kontrolleve do të kryejmë deri në 50 intervenime, përfshirë ato me anestezion lokal dhe të përgjithshëm”, u shpreh ai.