Një delegacion i qytetit të Sarandës viziton Gjakovën
Një delegacion nga qyteti i Sarandës, i prirë nga kryetarja e baskisë, Florjana Koka, kanë qëndruar për një vizitë në qytetin e Gjakovës.
Gjatë kësaj vizite, mysafirët nga Saranda janë pritur në takim nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Në njoftimin e Komunës së Gjakovës, është thënë se këto dy komuna sikurse edhe të gjitha komunat tjera në Kosovë dhe Shqipëri, kanë nevojë për më shumë vizita dhe takime të këtij lloji, pasi qytetarët në të dyja anët e kufirit kanë nevojë për njohje dhe miqësi më të madhe me njëri-tjetrin. “Në frymën e kësaj, udhëqësit e dy qyteteve janë dakorduar që të rrisin bashkëpunimin konkret, duke filluar nga ekskursioni i organizuar i nxënësve në të dyja qytetet, pastaj bashkëpunimi në aspektin ekonomik e deri tek ofrimi i përvojave profesionale nga profesionistë të shumtë të të dyja qyteteve”, ka njoftuar Komuna e Gjakovës.
Për t’u njohur më shumë me historinë, traditën dhe kulturën e qytetit të Gjakovës, mysafirët nga Saranda të shoqëruar nga zyrtarët komunalë kanë vizituar disa prej institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë, atyre kulturore e fetare, siç janë: Xhamia e Hadumit, Teqja e Bektashive dhe ajo e sheh Eminit, Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Biblioteka “Ibrahim Rugova”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, etj. Paraprakisht, të dy delegacionet edhe kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule tek lapidari “Shokët e Lirisë”, duke nderuar kështu të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e Komunës së Gjakovës.
/Epoka e re/