Një delegacion i KGjK-së vizitoi Malin e Zi
Një delegacion nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), i kryesuar nga kryesuesi Nehat Idrizi, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, Muhamet Rexha, Nenad Laziq, Manushe Karaqi dhe Aishe Qorraj – Berisha kanë qëndruar të premten në një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Kjo vizitë është realizuar me ftesë të kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi, dr. Mladen Vukçeviq.
Gjatë këtij takimi, Mladen Vukçeviq, i ka njoftuar të pranishmit me historikun e institucionit që ai drejton, rolin dhe funksionin, procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj, mandatin e tyre, sfidat nëpër të cilat po përballet sistemi gjyqësor malazez.
Ndërsa kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, ka bërë me dije se sfidat për sistemin gjyqësor në Kosovë që nga pas lufta kanë qenë të mëdha, por sfidues sipas tij ka qenë procesi i reformës gjyqësore.
“Ndonëse kuadri aktual ligjor i sistemit gjyqësor garanton në një masë të konsiderueshme pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve, në praktikë janë konstatuar probleme serioze të ndikueshmërisë politike dhe financiare të gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithashtu, edhe nga pikëpamja profesionale sistemi ynë ka nevojë për rritje të standardit profesional krahas vendeve të BE-së. Tani jemi në fazën e ndryshimeve legjislative përfshirë këtu Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe pakon e ligjeve për sistemin gjyqësor dhe prokuroria”, ka thënë Idrizi.
Të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave në mes të dy institucioneve dhe vazhdimin e bashkëpunimit rajonal me theks të veçantë në fushën e drejtësisë.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i KGjK-së ka vizituar edhe Prokurorinë e Lartë të Shtetit të Malit të Zi, si dhe janë takuar me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq.