Një delegacion nga Danimarka viziton Kuvendin, diskutohet marrëveshja për transferimin e të burgosurve
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetari Adnan Rrustemi, kanë pritur në takim anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Parlamentit të Danimarkës.
Në këtë takim kryesisht është diskutuar për marrëveshjen e cila mundëson transferimin e një numri të caktuar të të burgosurve nga Danimarka në Kosovë.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës për Kosovën.
Rrustemi ka thënë se marrëveshjen për transferimin e të burgosurve e sheh si thellim të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.
Po ashtu, ai ka thënë se me këtë marrëveshje Danimarka e ka vlerësuar Kosovën ndër vendet që më së shumti i respekton të drejtat e të burgosurve.
Lidhur me këtë marrëveshje janë shprehur edhe anëtarët tjerë të këtij komisioni, të cilët kryesisht kanë ngritur dilema se mos po shkelën të drejtat e të burgosurve.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Legjislacion të Parlamentit të Daniomakës, Steffen Larsen, ka falënderuar kolegët nga Kosova për pritjen dhe për qëndrimet e tyre lidhur me këtë marrëveshje.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komisionit për Legjislacion të shetetit danez kanë shprehur qëndrime të ndryshme për këtë marrëveshje.