Një delegacion nga Gjeneva viziton QKUK-në
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dr. Basri Sejdiu, ka pritur një delegacion të Qendrës Klinike Universitare të Gjenevës (HUG).
Ky delegacion drejtohej nga drejtoresha mjekësore e HUG Katherine Blondon, drejtor i infermierisë Sebastien Savornin, mjek i urgjencës dhe drejtor i qendrës interprofesionale simuluese Thomas Fassier, të cilët bashkë me disa infermierë shqiptarë që punojnë në këtë qendër spitalore.
Delegacioni do të qëndrojë dy ditë në Kosovë për trajnim të stafit shëndetësor të ShSKUK-së në kuadër të konferencës “Bashkëpunimin ndër profesional, për të përmirësuar sigurinë e pacientëve”.
Me këtë rast, drejtori Sejdiu ka falënderuar delegacionin nga HUG për kontributin që po japin në edukimin e stafit shëndetësor të ShSKUK-së.
“Ata i falënderova për mbështetjen dhe përkrahjen që po ju japin në kuadër të konferencës, e që po ndajnë eksperiencat e tyre profesionale me mjekë dhe infermier/e të ShSKUK-së. Ky bashkëpunim ka lindur pas vizitës që kishte një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ShSKUK patën në këtë qendër spitalore, e që patën premtuar bashkëpunim dhe përkrahje për ShSKUK”, ka theksuar ai.
Sipas tij, ky bashkëpunim do të intensifikohet edhe më tutje dhe do të përfshijë edhe fusha të tjera që për qëllim kanë menaxhimin më të mirë dhe shërbime sa më cilësore për pacientë.
Blondon dhe Savornin, gjatë takimit thanë se kanë pasur kënaqësi që eksperiencat e tyre t’i ndajnë me kolegët nga Kosova.
Ata premtuan se edhe më tutje do të mbështesin Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas projektit që kanë hartuar dy palët për bashkëpunim ndërinstitucional.
/Epoka e re/