Një delegacion turk viziton komunën e Mitrovicës, interesohet për investime në fushën e agroekonomisë
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, së bashku me drejtorin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ferdi Kadriu, kanë pritur në takim delegacionin turk në krye me kryetarin e Platformës të Shoqatave, Mehmet Aydogan, kryetarin e Federacionit Ndërkombëtar të “Giritler”, Zafer Yusuf Guzelkasap, kryetarin e degës të Ballkanit të Platformës së Shoqatave, Mustafa Ulu dhe pronarin e firmës Agronom, Abdurrahman Doruk.
Gjatë këtij takimi delegacioni turk ka shprehur interesimin për të realizuar investime në fushën e agroekonomisë dhe mbështetjen e grave ndërmarrëse.
Kryesuesja Broja i falënderoi për vizitën dhe gatishmërinë duke i premtuar bashkëpunim për projekte në vazhdim.
Tutje, drejtori Kadriu ka folur për gjendjen e bujqësisë dhe e ka njoftuar delegacionin turk për potencialet bujqësore që i posedon Komuna e Mitrovicës.