Një ditë para nisjes në Hagë, Thaçi bën homazhe tek varri i Adem Demaçit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë para se të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar, ka bërë homazhe pranë varrit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Thaçi ka thënë se Demaçi ka dhënë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se sakrifica e tij është sinonim i lirisë së Kosovës dhe motivi për të gjithë që sot janë të lirë dhe të pavarur.
“Jam sot këtu për të nderuar dhe respektuar simbolin e rezistencës kombëtare, emblemën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të nderuar jetën, përkushtimin dhe sakrificën e Adem Demaçit, i cili dha gjithçka për lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe bashkim kombëtar. Jeta dhe vepra e Demaçit do jenë gjithmonë simbol, por edhe janë motiv dhe energji për gjithë atë angazhim që na pret edhe në të ardhmen që të jemi pjesë e NATO-së dhe Bashkimit Evropian dhe ruajtjen e raporteve të përjetshme me ShBA-të. Sakrifica e Adem Demaçit është sinonimi i lirisë së Kosovës dhe motivi për të gjithë ne që sot jemi të lirë dhe të pavarur”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, nesër (e hënë) do të udhëtojë për në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Kujtojmë se më 24 qershor, Prokuroria Speciale ka bërë publike propozim-aktakuzat ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli./Ksp/