Një ditë pas takimit me Osmanin deklarohet kongresisti amerikan: Me presidenten biseduam për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
Kongresisti Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për Inteligjencë, ka shkruar në “X” për takimin e tij me presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Kosovë.
Turner ka thënë se me Osmanin ka diskutuar për marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, që është një dakordim në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të raporteve mes vete.
“Faleminderit presidentja Vjosa Osmani për mikpritjen në Kosovë. E shijova diskutimin tonë rreth raporteve strategjike në mes të ShBA-së dhe Kosovës dhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit për të arritur paqe në rajon”, ka shkruar kongresisti amerikan.
Presidentja Osmani e ka takuar kongresistin Turner të enjten në Prishtinë. Sipas një njoftimi të zyrës së saj, ajo ka përmendur bashkëpunimin në mes të dy shteteve në fushën e sigurisë dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë NATO-n.