Një ditë prilli në Desivojcën e Dardanës, ku dimri nuk ia lëshon udhën pranverës aq kollaj

12 prill 2023 | 11:29

Jepni jetë Desivojcës

Shkruan: Shefik (Murat) Surdulli

Gjatë një vizite të fshatit Desivojcë të Dardanës, në një takim krejt rastësisht me bashkëvendës, ndër të pakët banorë që kanë mbetur akoma k’sajde të cilët shpalosin tregimin për jetën e tyre të përditshme me halle plot, por një më të veçantën – rrugën, që nuk e larguan nga goja tërë kohën.

– E dijmë që ty t’shkojnë për dore shkrimet. Shkruj edhe për neve, nashta dikujt i bjen n’vesh ky za i joni. Thuj që nuk po lypim bukë, as m’ath as vesh’, as shtrojë as m’lojë, as punë, se ato i kemi, i nxjerim diqysh me dur tona, anise me gazep, shesim naj lopë, naj viç, naj bylmet. Por, halli jonë asht rruga e shkatërrueme që pothujse na e ka ba të pamundun dhe të pashpresë jetën kn’ej asaj botës t’juve moderne, – e thanë aq përmallshëm këta njerëz të mirë e të përvuajtun, sa m’lanë pa fjalë.

Njëri nga ta kishte lënë Tërstenën (një fshat fqinj më lart), ishte zhdjergë në qendër të Desivojcës, jo për ndonjë pazar, (se s’ka mbëtë më punë pazari këndej) por vetëm për tu takuar e për të ndërruar ndonjë llaf goje më dikë të gjallë këndej, qoftë mysafirë qoftë banorë t’atyhit.

(Si për koinçidencë, një ditë më parë nxora ca vargje për dhimbjen që shpërfaqë zbrazja e katundeve shqiptare pas luftës!

I njejti tregim dhe sot, veçse në një dimenzion tjetër, real)

Të ulur para një godine të vjetër, dikur mejhanesh, “zadrugash”, e zejtarësh, pranë një shelne të moçme, në trungun e së cilës kishte mbirë një lule e egër (bestytnishë) për jetë të re, po dëgjoja vëmendshëm tek vazhdonin rrëfimin secili prej atyre në mënyrën e vet.

– Shteti jonë, njerëzit tanë na lanë n’këtë deregje, – thoshin me zemërim, ngase dukej që ishin lodhur të vetmuar nga jeta e vështirë. Por, ajo që më goditi tejmëtej, ishte shpresa e tyre e venitur që po merrte fund me lutjen që dimri tjetër të mos i zë më atje lart!

? Me dhimbjen e mallëngjimin po kthehesha prapa, po zhdirgjeshim bashkë teposhtë, duke u trandur pareshtur në makinë, që po ma shkaktonin edhe gropat e thella dhe vadat e shumta që kishte krijuar shiu i këtyre ditëve dhe vërshimet e përroskave të shumta.

Për qudi, në një shpat të rrugës në Lajçiq, m’u shfaqë si një magji, për të ma zbutur melankolinë, një portë e madhe që po rrinte hapur për ta paralajmëruar brenda madhështinë e saj.

E lartë, me shylla prej guri, e punuar bukur, sigurisht nga një usta i rrallë, me strehë prej tjegullash të kuqe, simbolikë kjo portash para kullave fisnike të qëndresës.

E kalova këmbë,  mes-përmes. Udhës më andej më doli përpara një pamje mahnitëse: një oazë gjelbërimi në mes malit, me një shtëpi jashtëzakonisht të bukur dhe një vathë kuajsh, në mes atyre bukurive të ashpra natyrore, që nuk e dije në je diku në perëndim apo në një parajsë të zbritur me porosi nga qielli.

Kjo madhështi (me të zotin e saj – kurbetqarin në pension, Ahmet Robelli), sikur po i rrinte karshi e po e sfidonte migrimin, zbrazjen e shpejt të kësaj ane, mbylljen me qepena të shumë dyerve të shtëpive të braktisura, pas luftës – në liri (!); ikjen e përgjithmonshme të malësorëve të mirë e të vyer të Gollakut, të burrave të rëndë sa mali, në këtë brez kufitar që e ndjekin histori lavdiplote të krenarisë e të luftërave për liri.

Desivojcës i duhet urgjentisht asfaltimi i rrugës. E meriton,  të mos i këputet jeta krejt

Pesë familje në Desivojcë, po aq në Laçiq e në Tërstenë, 22 nxënës që udhëtojnë përditë deri në shkollën e Shipashnicës (sepse shkollën e re të tyre e kanë mbyllur « reformat »), mbajnë jetën gjallë në këtë anë, në Desivojcë me rrethinë, e cila jo aq larg, ishte qendër ku gravitonin e piqeshin krejt kjo malësi, që nuk ia kishte nevojën pothuajse për asgjë që kishin fshatrat tjera të mëdha atje posht.

Madje këtu kishte edhe ambulancë me barnatore. Po ashtu zhvillohej edhe tregu i madh i të premteve (i bagëtive, pemëve dhe perimeve, mishi të freskët, e i plaçkave), kur edhe nga besimtarët falej vakti i “xhumasë”.

Me një fjalë, këtu dikur  kishte jetë. Ujë n’tana anët, tokë bukanike, natyrë e bukur, e rrethuar me male të larta, kullosë, lumenj të kulluar e përronjë të shumtë, qenë damarët e kësaj toke shqiptare, që ushqyen e rritën djem e vajza për të mbajtur lart flamurin e diturisë, atdhetarisë dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar.

Dëshmitë e gjalla akoma flasin se mu këtu, në male, në lumenj e prrojet e Desivojcës, të Lajçiqit e të lumit të Dushicës, kah fundi i luftës së dytë botrore, një brigadë e tërë pushtuese sllave, e ashtuquajtur partizane, kishte lënë kockat në ikje nga luftëtarët trima të rrufeshëm shqiptarë – vullnetarë të Mbrojtjes Kombëtare të udhëhequr nga komandanti Mulla Idriz Gjilani, Sylë Zarbica, Shefki Desivojca, Aziz Surdulli etj.

Duke qenë vetëm 5 km larg në kufi me Serbinë, mungesa e vullnetit, e vizionit strategjik, e interesimit të pushtetarëve tanë lokal e qendror, që nga paslufta e këndej deri në ditën e sotme, për të investuar në infrastrukturën rrugore të kësaj zone kufitare, është njëri prej faktorëve që ka sjellë këtë gjendje të mjerueshme të zbrazjes së Desivojcës, Lajçiqit, Tërstenës, dhe Vriçecit, – e thonë vetë banorët, duke mos i përjashtuar edhe faktorët tjerë.

Rrugës pamë edhe shkatërrimin e natyrës dhe të lumenjve nga ndërhyrjet e egra për përfitime ekonomike të rërës.

Shtatë kilometra rrugë e paasfaltuar dhe e shkatërruar, nga njëmbëdhjetë sa janë gjithsej nga Shipashnica, janë fati i hidhur, tragjik, i malësisë së Desivojcës, që po i “zhbënë” një nga një e përditë, banorët e kësaj ane.

Prandaj, është kambanë e fundit

për institucionet komunale të Kamenicës dhe ato qendrore të qeverisë, për të ndërmarrë hapa konkret për përmirësimin e jetës atje lart – asfaltimin e rrugës në plan të parë, që duhet të jetë edhe interes strategjik shtetëror. Deri atëherë, të bëjnë rehabilitimin apo mirëmbajtjen e rrugës, për ata banorë, e që po ashtu do t’i motivonte edhe të tjerët për të investuar në këtë bjeshkë, siç po e bënë tash e sa kohë me shumë vështirësi e vetëfinancim, një fermer i përkushtuar në Tërstenë (Sadik Dërvodeli) me prodhimin dhe kultivimin e produkteve të qumështit e të mishit « BioFarm AB », dhe një ndërmarrje për prodhimin e ujit të Guri i Zi!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aventura e Thomas Tuchel nuk po shkon si duhet në…