Një ditë shkollë s’e kam, po jam shqiptar e luftoj për kombin (I)
Bisedë me Hysen Tërpezën
Dymbëdhjetë dhjetor 1999.
Ndodhemi në shtëpinë e djegur të militantit dhe heroit kombëtar Hysen Tërpeza.
Kemi ardhur për intervistim, si luftohet e sakrifikohet atdhetari për lirinë kombëtare.
Mirë se ju gjejmë në shtëpinë tuaj! Urojmë që vepra dhe sakrifica juaj të jetë kapitali i fundit për liri!
– Qysh ka thënë Zoti do të bëhet.
Në fillim na tregoni për fëmijërinë tuaj. Na tregoni emrin e babait, të nënës, të motrave dhe të vëllezërve. Sa fëmijë keni qenë?
– Puna jonë gjithmonë ka shkuar me humbje. Jam i lindur më 1910. Nana ka jetuar 104 vjet. Unë jam i Tërpezës, por jam i lindur në Livoç. Baba ka luftuar më 1908. Ai ka luftuar bashkë me Isa Boletinin. Atëherë na u ka djegur shtëpia. Edhe më 1910 ka luftuar bashkë me Idriz Seferin. Edhe atëherë na kanë djegur. Nana ka qenë në rend të fëmijës. Mbasi është djegur shtëpia ka shkuar në gjini në Livoç. Kështu, mua më ka falë Zoti në Livoç. I kanë vdekur edhe do fëmijë përpara. Atëherë, pak si janë rritur fëmija, për shkak të kushteve të vështira, kanë vdekur. Nga katër a pesë fëmijë, zor ka qenë të rriteshin dy prej tyre. Më kishin pas qitur në rrugë të më gjente dikush (besëtytni) e të ma vinte emrin. Atë ditë kish qenë pazar. Ditë e shtunë. Më ka gjetur Hysen (Lubishta), ka qenë i moçëm. Ai ma kishte lënë emrin Hysen, sipas emrit të vet.
Nuk ka shkuar pak kohë e ka hyrë Serbia. Kumbarën ma kanë mbytur bashkë me 93 veta të Lubishtës. Mbasandaj e kemi këqyrur edhe gropën ku i kanë mbytur ata 93 veta. Po çuditem si nuk humbëm krejt e po ekzistojmë prapë. Janë munduar të na qesin fare. Edhe kur erdhi në të ’12-tën Serbia na e ka djegur shtëpinë. Edhe në të ’17-tën na e ka djegur. Atëherë bullgari ka qenë kësajde (këtyre anëve). Edhe atëherë na e dogjën shtëpinë. Dy herë turku, nga dy herë serbi e bullgari.
Në të ’17-tën na morën e na çuan në internim. I mbytën në Tërpezë katër veta: mixhën Brahim, vëllanë e babës, një kushëri, Imerin, dhe Tushin e Veselin, komshinj tanë. Na morën ne, katër shpi (familje), në internim. Baba iku maleve. Nuk mundën ta zinin. Kanë mbytur shqiptarë edhe në Zhiti. Mbytën shqiptarë edhe në Pozharan. E mbytën familjen Demiri, gjashtë vëllezër. Atëherë isha unë shtatë vjeç. Mbytën Hysen Pirën dhe tetë veta në Pozharan. Mbytën në Ramjan djalin e Sahitit të Zenës. Edhe pleqtë e tyre, babën e nanën i morën në internim. Na dërguan në Pozharevc. Shtëpitë tona i kallën. Unë isha me nanën e një motër. Ajo, motra, ka vdekur. Kisha Ahmetin me mixhën. Edhe ai ka vdekur përjashta. Bacin Brahim e mbytën. Edhe të Imerit i morën. Edhe të Tushit i morën. Ne, katër shpi (familje), na morën. Motra tjetër imja ka vdekur, edhe një çikë e saj dy vjeç ka vdekur. Bashkë me nanën bëjnë katër, edhe unë i pesti. Ahmeti me nanën e vet edhe një motër e një vëlla. Po bëjnë nëntë veta në internim. Na dërguan në Pozharevc. Kur nisi lufta atëherë ka qenë bullgari. Por, nga fundi u bashkuan me Serbinë. Kishin pas bërë nam edhe andej. Aty në Pozharevc nuk pashë mashkull 13-14 vjeç përjashta. Aty nuk të shikonte kush. Na shtinë në do shtëpi të djegura. Kishte qenë një shkollë e madhe e djegur, e dëmtuar, e na shtinë aty. Mua nuk më pat rrokur tifoja. Isha shëndoshë, si të isha dhjetë vjeç.
Sa vjeç keni qenë atëherë?
– Shtatë vjeç, për tetë. Aty shkinat na tregonin që kanë hequr edhe vetë prej bullgarit. Shkinat na binin me qerre boça të kallamboqit për t’u ngrohur. Kur bëhej sabah i gjenim katër, pesë a gjashtë njerëz të vdekur. Vdiq gruaja e mixhës. Unë me sy e kam parë kur e kanë hangër qentë. Me pak tesha të trupit e kanë mbuluar me dhe. Vdiq edhe një djalë i vogël. Vdiq edhe një çikë, që ishte më e madhe. Ajo ka qenë nëntë vjeç. Çika e mixhës. Vdiq edhe një fëmijë. Vdiq edhe një motër imja. Dy vëllezër, Brahimin e patën pushkatuar menjëherë. Sahiti mbeti maleve. Ata në aksham i kanë pushkatuar e ne na kanë qitur me qerre prej katundi. Bërtiti nana e Imerit, Sala, kur krisën pushkët. Një bullgar i tha: shuj se ju do të hani bukë në Bullgari. I bëri turr me singi. Na çuan në Pozharan e na shtinë në shtëpinë e Zhikës së Pozharanit. Kishte qenë e zbrazët shtëpia. Ai kishte ikur në Serbi. Aty kish qenë edhe një i Ramjanit me do pleq. Të nesërmen na çuan në Ferizaj me do farë qerresh. Mbas dy vjetëve i kam parë ato shtëpi ku na kanë pas futur. Aty na sillnin kallamboq të zier, kokrra për të hëngër. Na jepnin nga një tas të konservave me kokrra. Aty ka pasur prej Smirës shumë. Ka pasur prej Gjylekarit. Ka pasur familje të mëdha. Tifoja mbyste përditë. Doktor nuk kishte. Një grua e Pozharanit, e Osman Pirës ka qenë, e gjatë sa prekte në tavan. As atë nuk e rroku tifoja. Kish qenë prej Siriniqi. Po më duket po e shoh sa e madhe kish qenë. Morrat desh na mbytën. Ajo grua na sillte do bukë pështjellë e na thoshte: biro, mos e le çel se hyjnë morrat në bukë. Isha mbi shtatë vjeç.
Po më duket po e shoh hala atë gruan e Brahimit tek e hanë qentë.
Zuri të dilte vera. Kish qenë oborri i madh i shkollës aty në Pozharevc. Oborri plot me kumbulla. Mblidhnim degë të thata për të vokur pak ujë e për t’i la xhenazet. Doli vera. Edhe shkiet kishin hequr. Po, vallahi, na kanë mbajtur, se do të ish bërë nami krejt. Sa qe ftohtë na sillnin boça plot qerren. Aty i mbusha nëntë vjet. Vinte një shkinë e më merrte ngrykë. I kish pasur do dhen e unë ia ruaja në livadh afër shtëpisë. Ajo më thoshte: Kur del dielli atje i bjen dhentë në shtëpi. Kur shkoja t’i ktheja dhentë, me jepte tambël, bukë e vezë të haja. Në atë farë kampi ishim treqind-katërqind veta. Pastaj na morën për të na çuar në Turqi nëpër Bullgari. Na çuan në Sofje. Na lanë në skaj qyteti. Kish qenë njëfarë lumi. Aty kemi ndenjur 15 a 16 ditë. Nuk ka ardhur askush të na pyesë a të na e sjellë një kafshore bukë. Veç çka kishim marrë në Pozharevc kur jemi nisur që na patën dhanë shkinat. Pastaj na hipën në një pampur (tren) dhe na çuan në një vend, i thoshin Qupërli. Aty ishte huduti (kufiri) midis Turqisë e Bullgarisë.
Aty na dorëzuan në Turqi. Vdiqën shumë njerëz deri aty. Kishim mbetur nja 300 a më shumë. Për Turqi veç shqiptarët i çonin. Kur na kanë çuar për Serbi kemi qenë nja 500, e deri kemi mbërritur në Turqi kemi mbetur nja 300, se vdiqën shumë deri aty. Na kanë çuar në fushë të Edrenesë. Shtëpi nuk kish pasur aty. Veç njëfarë barake e madhe me dërrasa e ushtrisë. E mbaj mend njëfarë oficeri, civil, i thoshin Mehmet efendi. Na shpërndanë aty. Tifoja ish hala. Nga familja prej (9) nëntë vetave mbetëm katër. Unë, edhe prej hises së vet, Ahmeti. Mbeti edhe një motër imja, e sëmurë, i pat dalë diçka në këmbë. Ajo shpëtoi. Mbasi kemi ardhur në Kosovë u rrit e u martua. Ka lënë fëmijë.
Flinim në çadra. Edhe aty morrat donin të na mbysnin. Tërë ditën, 24 orë, na jepnin njëfarë kulaçi, s’kishte bukë. Ai ishte simite, gatuar prej brumi. Ne kishim mbetur katër veta. Dilnim të lypnim. Unë isha mbi nëntë vjeç. Edhe ndonjë grua dilte të lypte. Ka pasur edhe qen që na frikësonin. Unë jam ruajtur duke shkuar pas grave që lypnin. Gratë turke na shikonin. Kishin qenë me fustane, si shkina. Qeshnin kur u tutsha prej qenve.
Kur u afruam na pyetën: çka jeni? Arnaut! Domuz arnaut.
Nuk kemi lënë miq shumë, bre!
Thonë nga Llapi kanë mbytur turq shumë. U kanë qitur gaz të pinë në vend të ujit. Keq që kanë luftuar me Turqi. Aty ku na çuan ka pasur ushtri afër. Për bukë kemi hequr keq fort. Shkoja, mblidhja do purri (presh) të egër. Nana bënte diçka kishe për të hangër. I grinte ata purri e u hidhte pak kripë me ujë, kishe t’i hanim. Na ishim fëmijë. Nana sa mund qante gjithmonë. Aty ndenjëm tre muaj.
Sa keni ndenjur në Bullgari?
– Po flas për në Turqi kur na kanë çuar. Në Bullgari kemi ndenjur veç nja dy javë.
Pasi i kemi bërë nja tre muaj në Turqi, erdhi ai farë zabiti. Njëri i Beguncës, që ish me ne, kish pas ditur pak tyrqe. Ai na fliste sa mundte: o vëllezër e motra, mos u mërzitni! Ai që dinte tyrqe ish burrë nja 50 vjeç. Kish qenë baba i Hajdinit, atij spiunit të madh të Beguncës. Kinse na jepte gajret. Edhe ai qante sa mundte me lot. Kanë qenë katër shtëpi, familje të Beguncës. Kishin pas mbetur edhe do.
Ai Zabiti po na thotë: a po keni qejf të shkoni në Kosovë, a po rrini këtu e po ju shpërndajmë nëpër Turqi? Po ju japim tokë e shtëpi. Punoni e rrini këtu.
Kush të punojë, more? Krejt gra e fëmijë kishin mbetur! Krejt të sëmurë!
I thamë: jo, valla, po shkojmë në Kosovë.
Na kthyen prapë. Na kthyen në Petrovc, aty afër Pozharevcit. Atëherë bullgari nisi të humbte e mori fuqi Serbia. Na kthyen. Po aty u kthyen edhe shumë serbë që i kishin internuar në Bullgari. Një grua e Hajdarit dinte serbisht. Ajo ka qenë shkinë prej Kllokotit. Ajo na tha: rrini, mos u tutni. Kush nuk ju nguc! Deri të mbarohet udha e trenit që e ka prishë gjermani. Pritni një kohë deri të ndreqet rruga, nja një muaj a dy. Ju çojmë në vendin tuaj. E shanin bullgarin sa mundnin. U kish bërë keq edhe atyre. Kishin pas hequr edhe shkiet prej bullgarit, po edhe ai ishte dorëzuar. Na ishim katër shtëpi. Baci Isuf, Qerim Shuqa, Çuni dhe baba kishin mbetur në katund.
E kanë marrë me vete një shka, kish qenë njëfarë Cela, i thoshim. Këta shkiet edhe baba ishin veshur tebdil, kinse jemi serbë. Janë nisur me këmbë të vijnë të na kërkojnë. Kishin ardhur deri në Bujanoc. Vinin e ktheheshin edhe shkiet, se edhe ata kishin qenë jesirë. Babën e kishin njohur. I kishin thënë serbisht; Josh si zhiv Sahit Terpeza (Ende qenke gjallë, Sahit Tërpeza?). Ai shkau që kishte qenë me ta, i thotë babës: Sahit, ndalu diku, se do të na presin. Baba ishte ndalur në Aleksinc. Ata tre të tjerët me shkaun erdhën atje ku ishim ne. Kishim pak pare, e blemë një ka dhe një lopë e një qerre me rrota. Prejse patëm shkuar atje, mbi katërqind veta, që kishim qenë, kishim mbetur nja 110 veta. Shumica patën vdekur udhës në Serbi, në Bullgari e në Turqi.
Na dhanë një letër këtu ku ishim. Udhës nuk na ka pyetur kush për kurrgjë. 23 ditë kemi bërë deri në Gjilan. Kishin dalë nga dy-tre veta, çka kishin mbetur, kinse të na prisnin. Edhe ne na morën me një qerre tjetër. Erdhëm e hymë në katundin tonë. Ku të hynim, s’kishte vend. Baba ishte lodhur. Ka qenë një mixha Rexhep, plak. Në mëhallë me ne s’ishin. Unë qeshë bërë mbi nëntë vjeç. Ne u kthyem te Rexhep Kupina. Kishim mbetur katër veta, edhe baba që kish qenë këtu, krejt pesë veta. Një motër nuk e kishin pas shkruar askund. Ajo mbeti gjallë. Hala gjallë është. Tash hyn për 95 vjet. Hala e fortë. Mbrëmë e kemi parë.
A është më e fortë se ju?
– Jo, valla! U gëzua që na pa. Shkojmë e shohim sa asht gjallë.
U bëmë idare aty. S’shkoi një vit, erdhën e morën babën, e dënuan 12 vjet burg. Ka ndenjur 6 muaj në Gjilan. Prej aty, atëherë e kanë çuar në Shkup. Në Gjilan kish qenë në burg me njëfarë Tafën e Hajdarit. Baba i kish pas thënë atij: mbasi po del, Tafë, bre, shko sillma ta shoh djalin një herë në Shkup. I pat lindur një djalë sa qe baba në burg. Erdhi ai Tafa e i tha nanës: djalin do të ta marr e ta çoj në Shkup, ta shohë Sahiti. Ne, Pozharan e Trëpezë, nuk jem martuar ndër vete kurrë. Kushëri jemi krejt. Tash po martohen me katund. I kanë harruar këto punë. Një i Alidemëve e ka marrë një të Pirajve.
Atëherë, se nga i ka bërë nana njëzet banka, m’i ka dhanë mua e më ka thënë, kur të shkosh në Shkup, ia jep babës tënd këto pare.
Tokën na e zaptuan serbët krejt. Nuk di nga kemi shkuar për në Shkup, por e di që kemi fjetur diku. Në Shkup burgu ka qenë në Bit Pazar. Ka qenë një kodër e madhe ku ka qenë burgu.
Ajo ndërtesë është rrafshuar kur është dridhur toka në Shkup. Kur shkuam aty, po e bjen milici babën për ta parë, kish qenë me pranga në këmbë. Milici me armë. Kish qenë me dërrasa ajo japia. Babën unë s’po e njoh. Tesha të zhgunta me numër. Ka qenë i madh me trup. Unë ia plasa vajit. Fëmijë, bre! Milici thotë duhet të flisni serbisht. E dija edhe unë serbishten, po më kapi vaji. Më pa ashtu baba dhe ia nisi të fliste shqip. Tha qysh e kam Ademin? A keni korrur, grurë a keni gjetur hiq? Jo, valla, i thashë, na e kanë zaptuar tokën shkiet. Aiii, tha baba, tash dal e ia ngjes.
Milici pyeti çka po thotë?
I treguan se po thotë ia kanë marrë tokën. Duke u dridhur e duke qarë, isha habitur, ia kisha dhanë babës vetëm dhjetë banka e dhjetë më kishin mbet në xhep.
Kur erdha i kallëzova nanës. Mirëpo, Zoti i madh, nuk shkoi gjatë e hipi Aleksandri, u bë mbret i Jugosllavisë, edhe i fali këta që kishin rënë në burg, këta që kishin qenë të internuar nga bullgari.
Tregonte baba, mbasi na lëshuan, këqyra, një dinar e kisha në xhep. Kish qenë njëfarë Rrustem aga prej Dibre. Ai ia kishte paguar me duhan e me kafe sa ka ndenjur baba një vit në burg. I kish pas thënë, sa të jemi gjallë këtu, Sahit Tërpeza, ti nuk do të heqësh. I ardhshin prej shtëpisë atij krejt. Atë ditë baba e kish vendosur në sabah të pinte një kafe e të bënte be ta linte duhanin e kafen.
Tregonte baba, si ka hyrë një milic në derë ka thënë: 80 veta bëhuni hazër. Secili në vend të vet, 80 veta dalin sot prej këtu. Ne i morëm teshat. Menduam se po na çojnë në punë a ku të dish!? Si e ka thirrur njërin, të dytin e kish thirrur emrin e babës; Alivi Sahit, se ashtu është thirrur atëherë. Baba tha m’i kanë hequr prangat. Hop, dola para burgut. S’po di ku po na çojnë! Jeni të lirë, na thënë! Shkoni ku të doni, u kishin pas thënë. Atëherë nuk ka pasur radio as kurrgjë. Kur kanë dalë, goxha shumë përnjëherë, kur i kanë parë njerëzit thoshin: o mbyllni dyqanet se ju vjedhin. Shumë veta i kishin pas falur atë ditë. Vallahi, thoshte baba, po t’i gjeja paret në rrugë nuk i merrja.
E ka pasur një motër të vogël, i ka pas vdekur. Kur erdhi, hala ishim tek ai komshiu në shpi. Motra e madhe ishte para meje katër vjet. Edhe unë u rrita goxha. Dhe kishe nga pak punonim.
Mbas një viti e mbaruam njëfarë shtëpie, kishe për të jetuar. Mbasandaj kemi dalë me shtëpi më në rrafsh. Motra e madhe u martua. Ahmeti ishte mbas meje. U rritëm edhe ne. Ahmeti i ruante lopët. Gjithmonë zbathur e zhveshur pas gjave. As të mbathnim nuk kishim. U forcuam dikur. Kam jetuar me duhan kaçak.
Jam mërzitur çka u bë në Drenicë. Nuk ka katund që nuk kam fjetur atje. Në shtëpinë e Tahir Jasharit kam fjetur dy net. Mbas gjashtë-shtatë dite kemi shkuar në të pame me dy vetura te Jasharët.
I pashë krejt të djegur, 52 vorre, bacit.
Veç Zoti na ndihmoi, se keq i kemi pasur punët.
Ia plasa vajit.
Kam qenë i fortë përpara. Tash jam bërë si fëmija. Ai shoku më njohu. E kam takuar në Gjenevë Rifatin (Jasharin). Nja shtatë fëmijë të tyre, përjashta kishin qenë. Ai më tha: çka po mërzitesh? A po sheh, shtatë fëmijë, tash si binjakë. Katër meshkuj e tri femra, nuk kemi dalë fare, jo!
Rugova as nuk ka shkuar t’u thotë mos u mërzitni. Më është dukur i lig ky njeri. Kur kam folur, do shokë më kanë kundërshtuar nga pak. Unë flas dogri (drejtpërdrejt). Amerika na ndihmoi, e bëri punën. E ka deklaruar një qeveri provizore. Ai po do të na e lërë neve. Jo të themi, po na komandon Amerika. U thashë, zgjidhni më shpejt e bëjeni një qeveri. Por, mendoni mirë kë po e bëni. Bëjeni një trim. Si të mos jetë trim, mos e bëni as polak (rojë fushe).
Gazeta shkroi që keni qenë në Drenicë.
– Cila gazetë?
Ju, Baca Hysen, dikur na keni treguar si i keni ruajtur shkinat çka po lënë te varret, që të shkoni të hani.
– Po, edhe na kanë dhënë të hamë. Ato që lanë te vorret, ato që i kanë tepruar, që kanë hëngër vetë, e u kanë mbetur aty.
Sa vjeç qetë kur filluat t’i shihni këto padrejtësitë që po na bëheshin?
– Unë gjithmonë kam menduar ta nis luftën. Kur u hallakat, unë doja ta nisja luftën. Bile, e thirra Ahmetin. Ai ish i pamartuar. Mbasandaj e kanë martuar. Te ne ka pasur shumë njerëz pa shkollë. Gjermanët ishin këtu.
U formua një komitet i gjaqeve. Unë kam qenë i vuajtur. Gjithmonë pleqve u ndihmoja. Dilaver Prishtina ka punuar mirë. Nuk e ditke shqipen mirë. As gjuhë tjetër s’ditke. Na thirri në Prishtinë. Tevona në Ferizaj. Ai tha se shenjë (simbol) i këtushëm asht plisi i bardhë.
Ilaz Agushi i Prishtinës, turqe ka folur. Erdhi në Ferizaj e në Gjilan, foli e tha: mos bëni çka të mundeni, mos bëni çka ju vjen n’dorësh. Këta gjermanët janë evropianë, se po na sheh bota çka po bëjmë.
Unë shkoja të ndihmoja në komision. Ilazi shkoi në Tiranë si përfaqësues i Kosovës. Unë isha 21 vjeç.
Ai më ka parë që po përpiqem dhe ai më ka propozuar mua për kryetar komune.
Më thirrën me një letërthirrje.
Kur shkova, hyra aty. Ku është Musliu? Një polic tha, ka shkuar në Shillovë. Më thirrën në Gjilan. Erdhi një nënprefekt. Ai pak ka ndenjur, nja dy javë a tri. Pastaj erdhi Rifat Berisha. Çka dija unë? Veshur në tirq. Një shtagë në dorë. Duhanin s’e pija. Kur hyra brenda i thashë: tungjatjeta, zotni prefekt! Ma ktheu: Tungjatjeta. Më dveti:
A je ti Hysen Sahit Tërpeza?
Po!
Urime! Të ka ardhur dekreti për kryetar komune në Pozharan. I thashë: zotni prefekt, mos u ngut, se ka njerëz me shkollë! Unë nuk e di derën e shkollës. Unë nuk di të qes firmën time. Ai ish lodhur me këto telashe. Ka vendosur paria shqiptare, përfaqësuesi i Kosovës në Tiranë, kështu ka vendosur. S’e marr detyrën, i thashë. E lashë, dola. Ku të shkoja kryetar komune pa ditur shkrim, bre? Po shkoj nëpër Cërrnicë. E njihja Vebinë e Smajlit të Hoxhës. I trokita në derë. Kur doli më tha: Hysen?! Isha prishur në çehre. I thashë kur të hyj brenda të kallëzoj. Tha mos të ka goditur kush, a? Jo, valla, i thashë, po i tregova krejt. Ngadalë, – më tha. Kurrgjë nuk është! E dinë ata kush je. Shyqyr që na e ka pru Zoti të bëjmë shtet ne shqiptarët. Gjej ndonjë njeri më vonë. Thashë unë nuk shkoj të qeshen hallki me mua. Bujta aty. Shkova në sabah në shtëpi. I kallëzova Ahmetit.
Ahmeti më tha ne nuk të jemi përzier kurrë, ti e di çka bën. Të nesërmen ma dhanë një letër që ta çoja në komunë kur të shkoj. Shkova. Ma bëri një polic po të thërrasin. E mora me vete një grusht duhan kaçak, një tabak letër, një shtagë në dorë. Po kaloj nga këta të Xhelës të Hasanit nga Pirajt. Sinani ka qenë 21 vjeç atëherë. Duke kaluar para dyerve, ata kishin pas marrë vesh. I rashë asajde. Po duan të më shtinë brenda, të më bëjnë komunist, si vetë. Janë gëzuar. Veç Musliu nuk ka qenë bërë komunist hala, se këta të tjerët qenë bërë krejt. Ka ardhur thirrja. Ani qysh jemi ne. Një Bejta i Alidemëve ka pas ikur, ka vdekur në Turqi. Ditke edhe ai, por jo mirë. Kaluan dy muaj, s’ka kryesi. U prish situata në Shqipëri, s’po mund të vijë hala ushtria. S’po dinë ç’të bëjnë. Sekretari i ka njoftuar 12 mëhallë Pozharanin: Hajdeni se ai po do të mbetet vetë aty kryetar. Kjohja na prishi ne. Qysh e kemi zanat, unë duhet të jem e jo ai, e kështu si e dinë tanë. Po thonë, mos ia lësho vendin. Musliu kish qenë në Ramjan. Në e gjejmë vetë njeriun. Pozharani, katundi më i madh e të vijë i Tërpezës të na komandojë ne a?! Do më folën e do jo. Musliu më ka pas dashur përpara. Dola unë. Hyra në kafe. Kishin marrë vesh krejt. Unë nuk po flas. Ata po thonë: ka ardhur dekreti. Dritarja ishte hapur nga komuna. E kemi pasur veç xhadenë ndërmjet, te komuna. Unë e piva çajin kur erdh Musliu. Unë e kapërceva xhadenë e hyra në oborr të komunës. Si ka ardhur një polic i ka thanë kështu e kështu, ka ardhur dekreti, po mos ia lësho. Hiç s’kish pas folur Pira. Mbasandaj më kallëzoi një polic. Ai ishte 60 vjeç e unë 21 vjeç. Po shkoj, por një germë nuk di ta qes. Po më vjen zor t’i them atij lëshoma vendin. Si kam hyrë në derë…
Po ai burrë i mirë, e çeli udhën. U çua në këmbë: Byjrum Cakiç, bre! Mirë se të ka pru Zoti!
I shikoi ata që ishin aty brenda. Çka po këqyrni? – u tha: Po hiqet vëllai i madh e po vihet i vogli. Shyqyr që na e pruri Zoti kështu! Po më mërthen vaji. Trimat ta çelin udhën.
Tha: baci të ndihmon ty e mos u bëj merak hiç.
Ata, udhëheqja e katundit, u çuan të dilnin. Kish qenë plaku Muharremi i Hajdarit, edhe ata tetë janë mëhallë. Jo, bre, ulu. Jam ulur aty. Po e shoh Todorin. Ai ka punuar 20 vjet në kohë të Jugosllavisë. Ka qenë kryetar. Ai ish sekretar. Sekretari i ka punuar krejt. E njihja mirë.
U ula.
Ma prunë të nënshkruaja.
Mua m’u dridh dora.
Mëshoji, tha!
Bjeri me gisht! Çil udhë, bre mixhë!
Qerimi ish i moçëm. Ai më pa që mua po më dridhet dora. Edhe Musliu doli. Më tha: Mos u mërzit Cakiç, se edhe unë jam këtu. Bejta ish hala aty. Edhe shkau doli.
U thashë: Unë nesër e heq Todorin! Të më bëhet ai si halë në qerpik aty, jo. Ai as vetë s’po di të punojë. Unë këtu, Todori këtu, jo! Më thanë mos u ngut se e ka vënë Ministria. S’pytet këtu më, as kral as mret, por pyetem unë. Ma bëri: shuj ti. Dolën krejt. Edhe unë shkova te mixha Qerim. Hyra në odë. Erdh një Shaban Mani. Ka qenë prej Ferizajt, me mustakë të mëdha kaq. Ai foli keq. Tha çojnë turli fëmije në komunë! Mua Qerimi më tha hesht. Gjithë natën kemi ndenjur duke biseduar. 12 copë katunde kanë qenë, nuk ka një njeri të merret për sekretar. S’ka!
Sinan Hasani 21 vjeç. Ka pas knue këtu në Ferizaj. E dija që nga pak shkruan. Në sabah dola pa fjetur asnjë minutë. E takoj një polic të Pozharanit e i them: Shko thirrma filanin. Shkoi në dyqan. Ishin dy-tri dyqane në Pozharan. Patën ardhur abetare për ta mësuar abc-në. I thashë merrma një abetare në dyqan. Shkoi ai! I ka thënë Sinanit. Shkuam në dyqan. Kur ai shkau u nis të vinte. Janë zatetur me Sinanin e kanë nisë të flasin. Kur kam hyrë unë, të dy mbetën në këmbë siç qenë. Thashë: Todor, dorëzoja detyrën Sinanit! Ai po më thotë serbisht, me shkrim të ma japësh, pse, për çka? Unë edhe isha mbushur. Todor, i thashë, mos e zgjat shumë! Atë ditë që u shkatërrua Jugosllavia ti këtu nuk ke vend. Më vjen keq që je mik i babës dhe keni pirë bashkë, por ai ka vdekur. Ai Todori më ka pas shpëtuar shumë kohë nga ushtria, me arsyetim kishe si mbajtës i shtëpisë. Baba ishte plak e Ademi ishte pesë vjeç.
E mbaj mend kur kanë ardhur të na caktonin për ushtarë. Një oficer i lartë ka qenë. Baba ishte plak. Erdhi me Ademin për dore. Todori ish aty. Mua më patën caktuar për marinar, 24 muaj duhej të kryhej ushtria. E veti babën a e pi rakinë? Po, valla, tha baba, veç kur s’kam. Ai po i thotë: a po e lë rakinë po ta falim djalin. Për mua në daci priteni djalin, se rakinë nuk e lë, – i tha baba. Ai oficeri po i thotë babës je mysliman e nuk bën të pish. Aiiii, tha baba, kur të vdes, nëse shikohet ndoshta qet flakë vorri, nuk qet. Në daçi merreni djalin, në daçi priteni, se unë rakinë nuk e lë. Ashtu nuk kam shkuar ushtar edhe nëntë vjet derisa krisi lufta. Pata shkuar në Vranjë tetë muaj, pastaj u prish Jugosllavia. Je mik i babës, Todor, por vend nuk ke këtu. Dha dorëheqje. Iku Todori, shkoi.
E morëm Sinanin. Kur pas pak kohe një grumbull letra të komunistëve i gjetëm aty tek ai. I thashë çka është kjo, Sinan? Tha më ka thënë prefekti. Ai ishte Rifat Berisha, bash komunist. Ai ka qenë nga Drenica, Drenica e vogël. I thashë unë Sinanit: Hazreti Muhameti sikur të të thotë, këtu s’do të jesh më. Lypa tjetër njeri disa kohë. E gjeta në Sadovinë Mehmet Dushkun. Kish qenë djalë i ri. Na ka thirrur. Kam qenë në darkë tek ai. Ai pat punuar pak. Mbasandaj e mora një tjetër. Ky Mehmeti ka qenë deri vonë. Ka punuar si avokat. Kur e mora detyrën, dhjetë ditë nuk kam shkuar në shtëpi. Pozharanasit më merrnin në darkë, herë ai e herë ai. Ishin dy mijë ushtarë italianë. I patën zënë objektet me ushtri. Ka qenë një zyrë e vogël e sekretarisë, aty e kanë lënë. Unë duhej të rrija edhe të shtunën. E kishin pasur një përkthyes. Një Hamit Nallbani e ditke italishten. E paguanin me napolona. E thirra atë Hamitin e i thashë: Çohu e shkojmë te koloneli italian. Jo, po thotë ai, nuk guxojmë t’u themi lëshojeni ndërtesën e komunës. Ata na kallin. More, i them, ec bre ti! Unë foli shqip, ti e përkthen italisht. Dikur tha po vij. Po u tutke. Po më thotë foli veç tri-katër fjalë, se më thotë ai oficeri mua, se unë po i ndreq fjalët. Hyra te komandanti. I patëm mësuar dy-tri fjalë edhe ne. I thashë unë jam kryetar. Me ka çuar pushteti. Ju jeni ushtri e na keni çliruar. Ishim të okupuar 20 vjet. Mbasi është zënë komuna, nëse ju duhet për ushtri, po e gjejmë një vend tjetër. Po ai e kuptoi dhe e pranoi. Ai më tha: Me leje 24 orë dhe e lëshoj ndërtesën e komunës. Unë i thashë ke leje katër ditë. Nëse keni nevojë, gjejmë edhe objekt tjetër. Aty u ndreq puna, krejt më thërrisnin, hajde kthehu tek unë, herë njëri e herë tjetri.
Bile nana po më thotë: Hajde, ku po rri, biro, se po të lypin fëmija. Brahimi, edhe një djalë imi kanë vdekur më herët, e Isufi… U thosha, baba është në Tiranë, e kanë kërkuar. E qita në rregull aty. Kenë çuar peshë njerëzit. Kur e vura krejt në rregull, po vijnë krejt. Erdhën hoxhallarë e burra pleq, krejt sikur në dasmë. Prej Hamdi Kurteshit, erdhi veç djali. Edhe ai pat ndenjur kryetar, po u tutke atëherë kur pati hyrë Austria. E mora edhe Mehmetin në vend të Sinanit.
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës)