Një dosje krimi për arkivim
Durim Abdullahu
E përdorur gjerësisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, thirrja e të mbijetuarve të Getos së Varshavës, “Kurrë më”, ndër dekada ka qenë kthyer nga moto në një lloj koncepti. “Kurrë më”: një thirrje për kujtesë, një mësim i artikuluar si një betim për veten dhe me të tjerët, që “kurrë më” të mos përsëriten krime si ato të Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, si Holokausti, si gjenocidet e tjera, si masakrat dhe si krimet kundër njerë¬zimit të shkaktuara nga shtetet totalitare dhe regjimet diktatoriale të të gjitha ideologjive.
Në dekadën e fundit të shekullit të luftërave botërore, në kontinentin e Evropës, aty ku më së shumti ishte luftuar dhe ku më së shumti ishte përsëritur thirrja “Kurrë më”, shpërtheu një seri luftërash zinxhirore gjatë të cilave u kryen masakrat dhe krimet më të tmerrshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Si rezultat i politikave ekspansioniste të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, me qëllim krijimin e një Serbie të Madhe, shteti i Serbisë që e kishte dominuar që nga fillimi shtetin federativ të Jugo-sllavisë, nisi të luftonte me radhë me republikat e kësaj federate: fillimisht me Slloveninë, pastaj me Kroacinë, për të kulmuar me Bosnjë-Herce¬govinën, ku në korrik të vitit 1995 vetëm në Srebrenicë u masakruan mbi tetë mijë burra boshnjakë. Në fund të këtyre luftërave radha i erdhi Koso¬vës, dikur një nga dy krahinat autonome të Jugosllavisë. Kosova ishte pushtuar disa herë nga Serbia gjatë shekullit XX: më 1913, më 1918, pastaj më 1945 dhe në fund përmes shtetrrethimit dhe ndryshimeve kushtetuese Serbia e pushtoi faktikisht dhe juridikisht Kosovën gjatë vitit 1989. Ishte viti kur lideri serb Sllobodan Millosheviq u ngrit në pushtet pikërisht për¬mes një retorike agresive dhe kërcënuese nacionaliste, të shpallur me plan veçanërisht në dy tubime mes serbëve në Kosovë.
Mësimet e nxjerra nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë i përcaktuan shumë nga qëndrimet e shteteve të Perëndimit dhe reagimet e tyre ndaj luftës në Kosovë, deri te fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi, që filloi më 24 mars dhe vazhdoi pandërprerë deri më 10 qershor të vitit 1999. Si operacion i gjerë ushtarak ajo vazhdoi si një ndërhyrje ushtarake me karakter humanitar tutje deri më 20 qershor 1999, kur trupat e NATO-s e morën plotësisht nën kontroll territorin e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe të gjatë më shumë se dy muaj e gjysmë, shteti i Serbisë kreu një seri opera¬cionesh policore dhe ushtarake të koordinuara me fushata kriminale njësi¬tesh paraushtarake, duke përshpejtuar veprime të shumanshme për ta spa¬struar etnikisht Kosovën nga shqiptarët vendës. Sipas UNHCR-së, rreth 860 000 shqiptarë u deportuan përtej kufijve të Kosovës, më së shumti në Shqipëri dhe në Maqedoninë fqinje, kurse rreth gjysmë milioni të tjerë u dëbuan si refugjatë brenda Kosovës. E tëra kjo ishte planifikuar shumë kohë më parë në një plan të gjerë veprimi të koduar me emrin “Operacioni Patkoi”, i cili qysh atë kohë u dekonspirua nga inteligjenca e Bullgarisë dhe u denoncua më pas publikisht nga diplomacia e Gjermanisë. Kjo i alarmoi shtetet aleate të NATO-s që u bashkuan për të ndërhyrë dhe pamundësuar realizimin e plotë të gjenocidit që po ushtronte Serbia mbi shqiptarët në Kosovë.
Gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhës 78-ditore kur forcat ajrore të 19 shteteve të NATO-s po e bombardonin Jugosllavinë, policia dhe ushtria e Serbisë, së bashku me grupe paraushtarake që kishin bërë krime edhe në Bosnjë, kryen shumë masakra mbi civilët e paarmatosur shqiptarë në Kosovë. Në pranverën e vitit 1999 emrat e disa nga fshatrat më të varfër në Kosovë u bënë tituj lajmesh në mediet ndërkombëtare. Mes tyre edhe emri i fshatit Poklek i Vjetër, një fshat ky në qendër të Kosovës, brenda qarkut administrativ të komunës së Drenasit (ish-Gllogocit).
Çfarë ndodhi aty? Më 17 prill të vitit 1999, në fshatin Poklek i Vjetër, një grup policësh serbë i vrau me bomba dhe armë automatike 53 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ky krim u krye në shtëpinë e Sinan Muçollit, ku ishin strehuar viktimat, diku rreth 60 anëtarë të familjeve Muçolli, Caraku, Elshani dhe Hoxha. Pasi u vranë, kufomat e të vrarëve u dogjën dy herë, përkatësisht tri herë. Mes të strehuarve, gjashtë prej viktimave patën fatin të shpëtonin të gjallë. Ndërsa ajo çfarë mbeti nga kufomat ishte një grum¬bull eshtrash të djegura dhe mbetjesh kockore të karbonizuara, rroba e sende shtëpiake, fletore dhe libra të fëmijëve, si dhe shtëpia ku u krye masakra, një shtëpi me aq shumë gjak në mure, saqë gjaku kishte rrjedhur nga dyshemeja poshtë bodrumit në tavan, prej nga natyrshëm ka rrjedhur edhe titulli i këtij libri.
“Shtëpia me gjak në mure” mund të lexohet edhe si një dosje e madhe me dëshmi për historinë e masakrës së Poklekut, rrethanat në të cilat është kryer, pasojat e lëna pas dhe trashëgiminë atrocitare të kësaj masakre. Më shumë sesa një libër i shkruar nga autori Afrim Hysenaj, ky është një libër i konceptuar dhe i kuruar prej tij, meqë formalisht ky libër është hartuar si një dosje burimesh historike për masakrën e Poklekut, apo siç sugjeron nëntitulli me dëshmi, rrëfime dhe materiale. Duke qenë se autori edhe vetë kishte qenë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveçse dëshmitar i luftës, Afrim Hysenaj është edhe palë në këtë luftë, një e dhënë kjo që e përcakton pashmangshëm pozicionin e tij ai autor në tërë këtë histori. Por në këtë pikë Hysenaj e ka zgjidhur këtë problem duke zgjedhur të mos ia bëjë akuzën dhe as “gjyqin” dosjes së krimit që ai e ka mbushur me dëshmi, por të mjaftohet vetëm me grumbullimin e dëshmive, rrëfimeve dhe mater¬ialeve. Pikërisht këtu qëndron rëndësia dhe vlera e këtij libri. Për shkak të numrit të madh të masakrave dhe masivitetit të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë, shoqëria demografikisht e pakët dhe profesionalisht e kufizuar në kuadro e Kosovës, është gjendur në vështirësi ta përpunojë trashëgiminë aq të madhe të krimeve të luftës. Andaj çdo vepër empirike që përmbledh dëshmi e burime dhe e rezultuar nga një punë e paqme në terren sikur kjo këtu, është e dobishme për studimet e luftës në Kosovë. Aq më tepër që një vepër tjetër të po kësaj natyre, por për masakrën mbi familjen Deliaj në fshatin Abri e Epërme, Hysenaj e ka botuar më 2018, me titullin “Toka skuq e qielli nxin”.
Teksa në të drejtën ndërkombëtare krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjë¬herë, e njëjta nuk mund të thuhet për provat, dëshmitë dhe dëshmitarët e këtyre krimeve, që koha mund t’i zhdukë, t’i dëmtojë apo t’i dobësojë mes kujtimesh. Andaj çdo nismë për t’i përmbledhur dëshmitë e luftës, duke i fiksuar ato në një vepër të shkruar, ka vlerë prej burimi historie. E tillë do të jetë edhe vlera burimore, dokumentare dhe arkivore e këtij libri: një dosje krimi për arkivim!