Një e përdhunuar e luftës ngre kallëzim penal ndaj tre serbëve në Policinë e Kosovës
Shoqata për Krimet e Luftës Gjakova 98-99 sot kanë dorëzuar kontingjentin e 15-të të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë gjatë luftës në Kosovë.
Këtë herë 80 lëndë janë sjellë dhe në mesin e tyre është edhe një viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës që ka ngritur padi ndaj tre serbëve, të cilët edhe i ka identifikuar në zyrën e organizatës.
Me dorëzimin e këtij kallëzimi penal, shoqata ka thënë se synojnë që të vetëdijesojnë gratë në Kosovë që ishin viktima të kësaj dhune dhe t’i padisin përdhunuesit.
Përfaqësueset e kësaj shoqate shprehen optimiste se do të ketë rezultat në dënimin e kriminelëve edhe për shkak të marrëveshjes që po synohet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryesisht, kallëzimet penale janë për rastet në komunën e Gjakovës dhe të Rahovecit, por, sipas përfaqësuesve, do të merren edhe me rastet që ndodhën në krejt Kosovën.