“Një fije shprese, një fije shkrepëse” flet edhe në gjuhën gjermane për tmerret e luftës në Kosovë
“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i autorit Ag Apolloni, është një roman dokumentar mbi tragjedinë e dy nënave shqiptare që, si pasojë e gjenocidit të ushtruar nga ana e Serbisë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, i humbën djemtë e tyre.
Ky roman, tashmë i përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën gjermane, me titull “Ein Funke Hoffnung, ein zündender Funke” nga Shtëpia Botuese “Xanthippe Verlag” e Zürichut, do t’u flasi tani edhe lexuesve në këtë gjuhë për Pashke Markun, një nënë e cila katër vjet pas luftës digjet kur i kthehen nga Serbia trupat e dy djemve të saj të vrarë, dhe një nënë tjetër, Ferdonije Qerkezi, që vazhdon të shtrojë tryezën e darkës dhe të presë tash e njëzet e katër vjet pas luftës kthimin e katër djemëve si dhe të burrit të rrëmbyer më 27 mars 1999 nga forcat serbe.
Romani është prezentuar sonte në Zürich nën organizimin e shtëpisë botuese.
Janë lexuar pjesë të tij, ndërsa autori u është përgjigjur pyetjeve të shtruara nga publiku përkitazi me romanin.