Një fillim i ri në bashkëpunimin mes Prokurorisë, shoqërisë civile dhe mediave

24 qershor 2021 | 15:37

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit me përfaqësuesit e Platforma CiviKos dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mënyrë që të krijohen procedura standarde për shoqërinë civile dhe mediat për të dorëzuar raste tek Prokuroria e Shtetit.

Memorandumi që është përgatitur me ndihmën e aktivitetit të USAID-it për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse krijon mundësinë për të ndërtuar procedurë standarde për dorëzim të rasteve të identifikuara nga shoqëria civile dhe media tek Prokuroria e Shtetit, dhe angazhimin e KPK-së për të ofruar informata kthyese, që t’ju mundësojë organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të përcjellin rastet e dorëzuara.

Memorandumi parasheh krijimin e formave standarde për të raportuar rastet tek Prokuroria e Shtetit dhe publikimin e këtyre formave në uebfaqet e KPK-së dhe palëve nënshkruese.

Forma standarde është duke u dizajnuar në atë mënyrë që të përmbajë të gjitha informatat e nevojshme për të adresuar raportet tek Prokurori i Shtetit, gjersa mbron burimet e gazetarëve dhe garanton kualitetin e informacionit të dorëzuar.

Procesi që çoi deri tek nënshkrimi i këtij memorandumi përfshiu konsultime me mbi 100 organizata të shoqërisë civile dhe dy punëtori që mblodhën së bashku ekspertë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kryesues i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ka thënë se ulja në këtë tryezë për të nënshkruar këtë memorandum tregon se KPK-ja dhe Prokuroria janë të gatshëm në rritjen e transparencës, rritjen e bashkëpunimit dhe ndërtimit të besimit në sistemin prokurorial të Kosovës. “Shpresojmë shumë që ky memorandum të jetë një hap i parë, një fillim i ri, i bashkëpunimit më të thelluar mes KPK-së, shoqërisë civile dhe mediave”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Donika Emini, drejtoreshë e CiviKos ka theksuar se është kënaqësi që përmes projektit të USAID-it Komuna Transparente, efektive dhe llogaridhënëse të nënshkruajë këtë memorandum për të gjitha organizatat e shoqërisë civile në Kosovë. “Kjo do të mundësojë një komunikim të strukturuar dhe formal me institucione, dhe ngritje të kapaciteteve të organizatave”, ka thënë Emini.

Ndërkaq drejtori i KMShK-së, Imer Mushkolaj, ka pohuar se nënshkrimi i këtij memorandumi është një fillim i mbarë. “Mbetet që memorandumi të zbatohet në praktikë. Mediat do të bëjnë presion që rastet të zgjidhen. Memorandumi ka synim që të lehtësojë punën e prokurorisë, dhe shpresojmë që ky angazhim nuk do të mbetet në letër”, ka thënë Mushkolaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokraci Plus ka publikuar raportin “Covid-19 si pretekst për lidhje…