Një film surreal që të nxit të meditosh për jetën reale
07 shkurt 2024| 08:50
Nga: Çapajev Gjokutaj
Një grua shtatzënë vetëmbytet në lumë. Atypari rastis të kalojë një doktor, gjysmë magjistar e gjysmë i shkarë, që merr trurin e foshnjës fetus dhe ia implanton trupit të së ëmës, për të pasur kështu një qenie me trup gruaje po me të menduar, sjellje e lëvizje prej foshnje. Kjo është parahistoria e filmit “Poor Things” i Yorgos Lanthimos, që e pashë mbrëmë dhe më la mbresë të thellë.
Është fitues i “Luanit të Artë” në Festivalin e Venecias, i lauruar si më i miri nga “Golden Globe” në zhanrin e komedisë dhe i përfshirë në listën e filmave më të mirë në nominimet për “Oscar”-ët e këtij viti. Ç’rrugë do ndjekë qenia me trup gruaje e tru fëmije për të gjetur a krijuar identitetin e vet? Kjo është pyetja që shtron filmi dhe në rrjedhën e subjektit sugjeron se ka dy rrugë, dy mundësi.
E para, të jetoje nën pushtetin e doktorit monstër, duke marrë burrin që i zgjedhin e duke krijuar familje. Në këtë rrugë e shtyn dhe doktori monstër që jo rastësisht quhet Godwin (Willem Dafoe) dhe që Bella e quan herë baba e herë Zot. Ky e shtyn të martohet me njërin nga studentët e tij dhe fejesa konsiderohet e bërë. Atje, nën kujdesin, pushtetin dhe kontrollin e babait perëndi Bella, do të ishte pjesë e një jetë surreale. Jo rastësisht ambientet e shtëpisë së doktorit të kujtojnë pikturat e Salvador Dalisë, ndërkohë që në këto ambiente lëvizin kafshë të çuditshme si p. sh., një patok me kokë derri, një rosak me trup qeni sikur të kishin dalë nga pikturat e Hieronimus Boschit. Surrealja këtu merr vlerë simbolike si për të thënë se në një ambient të shtrembëruar nga konvencionet dhe etja për pushtet e burrave, Bella vështirë se do ta përmbushte veten dhe rrezikonte të mbetej një qenie me trup gruaje dhe tru fëmije.
E shohim heroinën të zgjedhë një rrugë tjetër, arratiset me avokatin që do t’i përgatiste letrat e martesës dhe nis një jetë gjithë aventura rrugëve të botës, në Lisbonë, Mesdhe, Aleksandri e Paris, për t’u rikthyer në Londër. Kështu, në kontakt me njerëz dhe vende të ndryshme, kërkon dhe gjen a krijon identitetin e vet si njeri e si grua. Të bën përshtypje edhe fakti që vetëm pasi njeh dhe provon të gjitha llojet e marrëdhënieve seksuale (duke filluar nga masturbimet pothuajse perverse në shtëpinë e babait perëndi, te përvojat në shtrat me avokatin e deri te punësimi në një bordello të Parisit), e pra, vetëm atëherë gjen edhe veten, gjë që në film jepet edhe vizualisht: Bella (Emma Stone) lë mënjanë lëvizjet dhe tiparet prej manekineje dhe përfton pamjen e një gruaje sharmante.
Po ta matësh si sasi imazhesh që ofron filmi, marrëdhëniet seksuale zënë goxha kohë, aq sa hera-herës të ngjan se aventura e Bellas nuk është aq rrugëve të botës sa rrugëve të seksit. Natyrisht, nga kontaktet me njerëz të tjerë, gruaja fëmijë merr dije e formohet, filozofinë e mëson nga Marta dhe Henri në Lisbonë, kurse socializmin ia mëson një grua me ngjyrë në bordello, në Paris. Vetëm se filozofitë, ideologjitë e dije të tjera vijnë si dytësore – primare mbeten përvojat seksuale.
Parë në këtë rrafsh dhe përtej filmit “Poor Things”, vetiu lind pyetja: seksi zë vend relativisht të vogël në jetën e njeriut, rreth një për qind të së gjithë kohës që gjallojmë, por në art, letërsi apo edhe në ligjërimin njerëzor, në përgjithësi, duket se zë shumë më tepër vend. Po të shtosh këtu edhe krijimet e ligjërimet për dashurinë, balanca anon dukshëm nga seksi dhe dashuria.
Si ta shpjegosh këtë dukuri; është diçka e rastit apo lidhet me faktorë të tjerë. P. sh., në shumë shoqëri, ligjërimi për seksin ka qenë dhe mbetet tabu dhe dihet që tabuja, e ndaluara, të shtyn në ngasje ta flasësh e ta riprodhosh në mediume të ndryshme. Seksi i folur a i riprodhuar vizualisht, thuajse instinktivisht, e tërheq njeriun; athua që duke ditur këtë, artistët e përdorin si karrem për të pasur më shumë shikues e lexues? Po mbase lidhet me faktin që seksi është burim i jetës, mjet i riprodhimit të species dhe, si i tillë ngjall kurdoherë vëmendje, kërshëri e zbulime siç ka ndodhur edhe me disa nga mendjet me të ndritura si Freudi, Foucault, Kinsey e të tjerë që kanë hedhur dritë mbi marrëdhëniet shpesh misterioze të seksit me zhvillimin psikologjik të njeriut, me pushtetin, normat sociale etj.
Që të kthehemi te filmi, edhe diçka tjetër të bën përshtypje. Megjithëse i mbushur me çudira, monstra e imazhe surreale, thuajse asnjëherë s’të krijon ndjesinë e diçkaje artificiale e të kërkuar; gjatë gjithë kohës ndihesh mes jetës e jetësores dhe kur del nga salla e kinemasë ndihesh i çlodhur e i freskët, megjithëse ke ndenjur pa lëvizur, i ngujuar në një ndenjëse të ngushtë për dy orë e gjysme. Punë ustai thua me vete dhe ndjen se respekti i kahershëm për grekun Yorgos Lanthimos bëhet më i thellë e më i qëndrueshëm.