Një fjalë nga Patra për veprën “Vetëm me vetminë” të Bedri Zyberajt
Iliaz Bobaj, shkrimtar, poet dhe përkthyes
Poezia e Bedri Zyberajt, një lëndë e ngjeshur poetike vetëm në pak rreshta, nuk di të vërtitet për të kaluar kohën nëpër hapësirat poetike, ajo niset direkt drejt objektivit të saj, të cilin e ka të qartë dhe të fokusuar me një saktësi që të befason. Trajektorja e saj nuk di të devijojë nga rruga e përcaktuar që më parë, për të mbërritur aty ku do të godasë, gjë që do të thotë edhe arritje e qëllimit të saj dhe dhënie e masazhit poetik në mënyrë të precizuar, pa asnjë ekuivok. Në këtë lëndë poetike të ngjeshur dhe të punuar mirë, ajo përfshin një tematikë të gjerë, ku atdheu, në të gjithë hapësirën e tij gjeografike natyrale dhe veçanërisht Kosova e sapoçliruar nga shtypja shekullore serbe, janë kryefjala e kësaj poezie. E gjithë dashuria dhe dhimbja e poetit në këtë tematikë, ka edhe ndjeshmërinë më të lartë njerëzore dhe arritjen më të lartë poetike. Atdheu është dashuria, krenaria e poezisë së tij, por ai është edhe trishtimi, dhimbja, madje edhe pikëllimi ndaj atyre që korruptojnë dhe e pengojnë ecjen e shpejtë të Kosovës drejt Evropës, drejt zhvillimit dhe mbrothësisë. Poezitë e tij me këtë tematikë janë një britmë e fuqishme poetike, intelektuale, shoqërore, janë britma të një luftëtari të vijës së parë për çlirimin e Kosovës.
Por poeti ka dalë krejt natyrshëm edhe jashtë kësaj tematike, me nënën, tematikën shoqërore e më tej, duke të befasuar me poezitë e tij lirike, të cilat do t’i vlerësonte gjithkush që ia di vlerën poezisë. Në këto poezi me gjetje të bukur dhe të veçantë artistike, poeti Bedri Zyberaj arrin deri në veçanti dhe origjinalitet të tillë që të mrekullon, deri në një majim poetik:
“Unë,
ti
dhe dashnia,
Zotin
le ta marrin të tjerët”.
Libri i tij nuk të lodhë. Ai të tërheq bukur mirë dhe të mban komod deri në faqen e tij të fundit.
E përzgjedhur me shumë kujdes dhe e përkthyer edhe në gjuhën greke, kjo antologji e poetit Bedri Zyberaj, do të thosha se e dyfishon vlerën e saj.
Botuesi, i nderuari Berat Dakaj i “Armagedonit” të mirënjohur, meriton vlerësimin dhe nderimin e plotë të një botimi komod e bashkëkohor.
Ju falënderoj dhe ju përshëndes të gjithë juve që jeni të pranishëm në promovimin e veprës “Vetëm me vetminë”, në të cilën isha i ftuar dhe unë, por, përkundër dëshirës së madhe, për arsye familjare, nuk pata mundësi që sot të isha përkrah autorit, Bedri Zyberj, botuesit, Berat Dakaj dhe në mesin tuaj pjesëmarrës të këtij promovimi.
Ju përqafoj vëllazërisht!
Patra, më 7 dhjetor 2024