Një gjuhë e thjeshtë, një mesazh i fuqishëm
Imer Topanica
(Për përmbledhjen ‘Zemër me lëkurë leopardi’)
Zeja e poetit nuk është e lehtë. Ndryshe nga shumë të tjera, ajo nuk mësohet në ndonjë shkollë e as nuk mund të përvetësohet duke i shkuar prapa si shegert ndonjë mjeshtri të poezisë, po qe se, siç thotë Bukowski, “…nuk të ka shpërthyer nga thellësia e shpirtit tënd si një raketë, për sa kohë që të qëndruarit indiferent karshi saj nuk të bën të çmendesh, të vrasësh veten apo dikë tjetër”; dhe me kushtin që kur të jetë vërtet koha “dhe nëse je ti ai i zgjedhuri”, atëherë ajo do të ndodhë vetë. Ose jemi, ose s’jemi të tillë. Për këtë më nuk ka dilemë: nuk ka të mesëm në këtë lloj!
E kujtuam këtë përsiatje të shkrimtarit të njohur amerikan, ndërsa para nesh kemi dorëshkrimin e poetit Uran Krasniqi. Ka fije që i lidhin të dy poetët, për të cilat, mbase, do të flas në fund por, si një ndër lexuesit e parë të librit, mund të them me siguri se kjo përmbledhje, e dyta me radhë nga Krasniqi, e titulluar Zemër me lëkurë leopardi, vetëm sa e ka etabluar stilin e thjeshtë me të cilin shquhet ai. Një gjuhë e thjeshtë, pa shumë ngarkesa stilistike, e ngjeshur, e kursyer për nga volumi i përdorimit të fjalëve, ndërsa synon të thotë shumë.
ERË
Ti erë e madhe që fryn
po deshe të jap leje
ta rrëzosh qytetin
duhet ta plotësosh një kusht
sille tek unë
një fije floku të saj
Pikërisht ky lloj i vargut, kjo lloj poezie, që fuqinë estetike e mbështetë te një fjalë, te një figurë, e karakterizon vargun e Krasniqit. Subjekti lirik te poezia Erë shfaqet indiferent ndaj katastrofës që i kanoset qytetit. Nuk brengoset nëse era mund ta rrëzojë qytetin dhe ka vetëm një kusht, që ajo t’ia sjellë “flokun e saj”. Gjashtë vargje që kuptohen qartë, por që mund të interpretohen në qindra variante. Ato sikur rreken të na e kujtojnë mendimin aq të përhapur gjithandej se “të dashuruarit s’janë veçse të marrë”. E çfarë dashurie e fuqishme duhet të jetë kjo? Një fije floku e të dashurës t’i mjaftojë për t’ia qetësuar zemrën? Po pra, ky është synimi, nëse mund të themi – i gjuhës poetike, të mbjellë dilema, të shtrojë pyetje, të na mahnitë duke thënë shumë me pak fjalë…
Përmbledhjen e karakterizon edhe një element tjetër, në këtë rast në rrafshin tematik. Sikurse në rrafshin stilistik, ku gjuha na shfaqet e thjeshtë dhe e pangarkuar, ashtu edhe në rrafshin tematik lajtmotiv del dashuria.
EKSPOZITË
Kur të plakem (nëse mbërrij)
dua ta hapë një ekspozitë
me fotografi mjekësore
të zemrës
të syve
të trurit
të këmbëve
dhe do të ftoj (nëse je gjallë)
për ta parë
se si një jetë
të kam bartur në qenien time
Ai ka potencial të lëvrojë edhe variante të tjera, por sikur “habitati poetik” të jetë ky stil dhe kjo tematikë. Një ndër poezitë që e dëshmon se poeti di të dalë përtej këtij habitati është Fëmijët e viteve ‘90. Vargjet e kësaj poezie mbruhen nga një gjuhë më e figurshme, për të nxjerrë në shesh oksimoronin e kontekstit kohor për të cilin flet poezia.
Duke qenë fëmijë i viteve ‘90, përkatësisht duke qenë se e ka përjetuar në lëkurë segregacionin sistematik, të cilin provoi ta impononte ish-sistemi jugosllav, përkatësisht serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, ai përshkruan besnikërisht atë lloj jete të pajetë:
Lumturi ishte
të shihje se prindërit ishin gjallë
ashtu siç ishin të vdekur në jetë
…i thonë disa prej vargjeve. Ose disa të tjera:
Pastaj
që edhe vetë jeton
ashtu duke e vuajtur jetën
Ose:
Ishte gënjeshtër
ajo fëmijëri
mashtrim i dukjes
se
ne kishim
vetëm forma të fëmijëve
dhe fëmijëria jonë
vetëm formë të fëmijërisë
Zeja e poetit nuk është e lehtë. Shumë provojnë, por pak ia dalin. Siç na thotë Bukowski, ajo vjen natyrshëm tek ata të cilët janë të përzgjedhur. Pikërisht poezia e poetit amerikan, i cili u shqua për stilin e tij të thjeshtë, duket se e ka pasur njëfarë ndikimi te Krasniqi. Poezia e këtij të fundit, e titulluar Zoti në fundjavë, vjen si një reminishencë e poezisë When God created love. Dua të them, sado të largëta e të zbehta të jenë këto ndikime te poezia e Krasniqit nga poetët botërorë, të cilët i ka lexuar, ato e kanë ndihmuar ta forcojë identitetin e tij poetik nëpërmjet stilit të thjeshtë. E thotë edhe vetë autori te emisioni Kuadër, kur e citon Sebastiano Grasson, një poet dhe gazetar italian, i cili kështu shprehet për krijimtarinë e tij: “Poezia nuk është elitare, por shkon drejt një publiku që e do atë dhe shprehjen e sintetizuar në vargje. Problemi i poezisë është që disa herë bëhet e vështirë. Në fakt, poezia ime është e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë, sepse unë jam gazetar. Duke pasur këtë profesion, shqetësimi ynë është të shkruajmë për të na kuptuar të gjithë. Kjo, pa dashur, bëhet natyrë e dytë. Pa e kuptuar, edhe kur shkruan vargje, i shkruan në mënyrë të qartë. Disa mund të thonë që vargjet e tua nuk më pëlqejnë, por nuk mund të thonë që vargjet e tua nuk i kuptova”.
Kështu mund ta përshkruajnë poezinë e Krasniqit, lexuesit, pa mëdyshje, do ta “shijojnë” e kuptojnë, në mënyrën e tyre (secili në mënyrën e vet), të cilët nuk do të jenë të paktë.