Një grua ankohet se u “pre në besë” nga rrethi i ngushtë familjar
Vlora Berisha Blenishti e kishte marrë rrugën e mërgimit qysh në moshën 7 vjeçare së bashku me familjen e saj.
Ajo ishte vendosur në Gjermani, vend në të cilin u rrit, u shkollua dhe më pas u martua dhe u bë nënë.
Më pas, në vitin 2010, më saktësisht më 1 gusht, ajo me bashkëshortin e saj e mori një ofertë për t’u zhvendosur në Zvicër, ku iu premtua një jetë më e mirë.
Sipas saj, ishte xhaxhai i burrit të Vlorës, I.B., së bashku me shokun e tij, N.G, ata që i ftuan për ta vazhduar jetën në shtetin helvetik.
Por, transferimi në këtë shtet Vlorës me familje nuk i doli ashtu siç e kishte paramenduar.
Pas disa vitesh pune dhe bashkëpunimi me ta, burri i Vlorës u përball me një të papritur, thotë ajo.
Ai, pa pikë faji i kaloi tre muaj në paraburgim dhe për 5 vjet është në “llupë” të autoriteteve zvicerane pasi një gabim i vogël mund t’i kushtojë atij me dy vjet burg.
Vlora thotë se burri i saj u tradhtua dhe u pre në besë pikërisht nga mixha i tij, I.B, në bashkëpunim me shokun e tij të ngushtë, N.G.
Kjo grua me prejardhje nga Peja e tregon rrëfimin e saj rrëqethës, i cili ia ndryshoi jetën për të keq, duke i shkaktuar jo pak probleme dhe thuajse shkatërrim të familjes.
Dhe atë, pa pikën e fajit.
“Burri im krejt kohën ka punuar me ta, që nga viti 2010. Në vitin 2014 e hapi firmën e tij të ndërtimtarisë në emrin tim, pra të bashkëshortes. Por, unë e pash që diçka nuk ishte në rregull dhe kërkova që të hiqej emri im nga pronësia e biznesit. Mandej, bashkëshorti e hapi firmën në emrin e vetë, ndërsa N.G. mundohej kinse ta ndihmonte dhe ndërkohë i jepte oferta për ‘baushtellë’”, thotë fillimisht në rrëfimin e saj Vlora Berisha Blenishti.
“Më pas, N.G., nuk e di se për çfarë arsye, ka bërë ankesë dhe akuzë në polici për burrin tim në vitin 2016, kinse ai ka bërë dallavere dhe keqpërdorime në një tender, të cilin ju siguroj që nuk e ka keqpërdorur. Policia e ka marrë burrin pas një viti, pra në vitin 2017 pas akuzave të pabaza dhe të habitshme të N.G. Ne s’kemi mundur t’ju besonim syve kur e kemi parë letrën e ankesës në polici të N.G., të cilën e posedojmë ende. Burri im e kishte firmën NB Group Metal, e cila ishte mbyllur më pas, pas atij rasti. Por, më pas e kishte hapur firmën e re të ndërtimtarisë dhe puna po i ecën mirë”, shton ajo.
“Imagjinojeni, N.G. i ka mbajtur krejt financat e burrit tim, unë nuk e kam ditur se sa para i ka burri im. Ai s’ka pasur dëshirë që ne të përparonim, u ankua në polici pasi e pa që ne po zhvilloheshim dhe ndoshta na ka parë si kërcënim dhe si konkurrentë të fortë që do t’ia kalonim me biznes. Nuk kam pa njeri më të poshtër dhe të pabesë se ai”, e vazhdon rrëfimin Vlora Berisha Blenishti.
Ajo ndër të tjera e fajëson më së shumti axhën e burrit të saj, I.B., për të cilin thotë se është kthyer në Kosovë për të jetuar para një viti dhe se i ka kthyer edhe pesë fëmijët e tij këtu për t’i humbur gjurmët e pista që i kishte lënë në shtetin helvetik.
“Ai ka pasur interes t’i marrë paret nga shteti, ndërsa e ka futur nipin e tij në probleme familjare dhe në bela. E kanë futur burrin tim në kurth pasi bashkëshorti ka punuar me nder dhe me djersë. Si familje na ka dëmtuar shumë, e kishte për qëllim që të na shkatërrojë si familje. E kemi konsideruar si prind tonin, i kam shtruar edhe bukë, por na ka tradhtuar I.B., na ka ngulur thikën mbas shpinës. Nuk e kuptojmë se si një njeri dëshiron ta çojë nipin e tij, pra gjakun e tij në burg”, nënvizon ajo.
Berisha tregon tutje se burri i saj duhet t’ia paguajë shtetit zviceran 150 mijë franga për diçka që nuk e ka bërë, pra pa asnjë arsye dhe për asnjë vepër të kryer.
Ndërkohë, edhe gjyqin duhet ta paguajë dhe ai do t’i kushtojë hiç më pak se 50 mijë franga, që i bie në total 200 mijë franga.
Personin që e akuzon ajo, N.G., thotë se ai e kishte marrë me vete edhe një person si dëshmitar për të dëshmuar ndaj burrit të saj kinse është ashtu, personin e quajtur I.S., për ta përforcuar dëshminë e rreme.
Burri i Vlorës kishte menduar se dy persona të tjerë e kishin akuzuar atë për keqpërdorim, por më pas e kishte kuptuar se ata nuk kishin gisht në këtë punë dhe e kishte tërhequr deklaratën.
Më pas, ai dhe gruaja Vlora e kuptuan se ishte pikërisht N.G., personi që, me direktiva të I. B., e kishte paraqitur në polici nipin e këtij të fundit.
Ata e kanë akuzuar burrin e Vlorës se i ka marrë paratë e një tenderi, gjë për të cilën ajo siguron se nuk ka ndodhur, por që ato para i kanë marrë vetë ata dhe ia kanë lënë fajin bashkëshortit të saj.
Vlora insiston se I.B. bashkë me shokun e tij, N.G., ishin munduar ta përçanin çiftin dhe që në fund t’ia linin fajin asaj për futjen në burg të burrit të saj.
“I.B. nuk i intereson gjaku i vetë, ndërsa i thoshte burrit tim se ‘kjo, pra unë, nuk është gjaku yt, kjo ka me të shti në burg, ka me të dërgu në polici’. E kishin bërë me plan që me mendu burri im se unë e kam futur në burg. I.B. ka qenë i bindur se do të ndaheshim dhe që, kur të ndaheshim, burri të mendojë që unë e kam futur në burg. Por, ne i pamë deklaratat e tyre në gjykatë, kanë menduar se nuk do të mundë të kemi qasje aty”, shton gruaja e tronditur nga ky rast.
Gjithashtu, Vlora Berisha Blenishti e tregon edhe një ngjarje tjetër tronditëse, duke e akuzuar N.G. se ishte munduar ta joshte me para atë për t’ia kryer një shërbim.
“Mi ka ofruar 15 mijë franga në vitin 2016 për të shkuar dhe për të bërë deklarata të rrejshme, është munduar të më përdorte, për ta mbrojtur atë nga akuzat pasi e kishte një rast që e kishte dhunuar seksualisht një grua. Por, unë natyrisht se refuzova, ndonëse ai e dinte se i kisha veç 10 franga në xhep. Por, mua nuk mund të më blejë askush me para. Nga ajo kohë duket se ka nisur hakmarrja e N.G. ndaj meje dhe ndaj familjes sime”, tregon ajo.
“I.B. na ka thirr mua dhe burrin tim në shtëpinë e tij dhe mua më ka paragjykuar, e këndej kurthin që na bëri në shtëpinë e tij, pra vajzën e dikujt e uli aty, e ndërkohë e kishte çuar shokun e tij në polici të mos kuptohet se si ka shkuar shoku i tij për ta çuar nipin e tij në burg, duke u munduar të ma mveshte mua fajin”, vazhdoi ai.
Ajo në fund e ka një porosi për dyshen I.B. dhe N.G.
“Nëse ju keni shkuar me mendjen për të na futur në gropë, ne kemi dalë nga gropa dhe jemi edhe më lartë. I.B. na ka tradhtuar, e ka tradhtuar nipin e tij dhe fëmijët e tij, pra gjakun e tij. Mixha është si baba apo jo? Të paktën unë e shoh kështu xhaxhain tim. Por, po shihet se I.B. nuk del kundër N.G. pasi ky mund t’ia qesë në shesh krejt të zezat që i kanë bërë bashkë. Pra, del kundër nipit të tij sepse nuk guxon t’ia kthejë shpinën shokut, i cili do t’ia zbulonte të zezat dhe hajnitë që i kanë bërë së bashku më pas”, thotë ndër të tjera ajo.
“Desha ta tregoj këtë histori për ta treguar të vërtetën, se nuk e kemi ndërmend të hakmerremi me gjak, sepse kemi familje, kemi fëmijë. Ata duhet ta qesin veten në vendin tonë, se si mund ta përjetojnë fëmijët një histori të tillë”, thekson Vlora.
Në fund, Vlora Berisha Blenishti tregon se I.B. e ka lëshuar shtetin e Zvicrës vitin e kaluar me 500 mijë franga më shumë pasuri dhe habitet se si e ka bërë këtë pasuri.
Ndërkohë, e akuzon xhaxhain e burrit se familjen e saj e ka dëmtuar shumë dhe e ka lënë me pasoja të ndryshme dhe me vuajtje.
Vlora Berisha Blenishti, e cila thotë se ka raporte të mrekullueshme me familjarët e saj, por jo edhe me ata të burrit, jeton në Kantonin e Friburgut me tre fëmijët e saj.
Vlora, një grua e fortë dhe e pavarur, e ka hapur një biznes të vetin dhe po shkon duke përparuar dita-ditës.