Një hap historik për bashkimin energjetik të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

28 prill 2025 | 13:16

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po realizojnë një projekt historik që do të forcojë më tej lidhjet mes dy shteteve.

Duke hapur tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e interkonektorit 400-kilovoltësh, ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit energjetik rajonal dhe do të sjellë stabilitet dhe siguri për të dy vendet, duke i ofruar qytetarëve një furnizim më të qëndrueshëm dhe më ekonomik me energji elektrike.

Drejtori i ShA MEPSO, Burim Latifi, në postimin e tij në rrjetet sociale theksoi se ky është një moment historik për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët.

“Sot, me nder dhe ndjenjë të veçantë përgjegjësie strategjike, dua t’ju informoj që tashmë është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400-kilovoltësh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë – një projekt kyç për integrimin rajonal dhe stabilitetin elektroenergjetik të vendit tonë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

HAP HISTORIK, PAS 30 VITEVE PO FILLOJMË PROCEDURËN PËR NDËRTIMIN E INTERKONEKTORIT MAQEDONI E VERIUT – SHQIPËRI

Të nderuar përfaqësues të mediave, kolegë dhe miq të dashur,
Kur para disa muajsh morëm përgjegjësinë për të drejtuar ShA MEPSO, me vetëdije të plotë e pranuam detyrën që kishim para nesh: modernizimi rrënjësor I rrjetit të transmetimit dhe forcimi I sigurisë energjetike që qytetarët e presin dhe e meritojnë.
Sot, me nder dhe ndjenjë të veçantë përgjegjësie strategjike, dua t`ju informoj që tashmë është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e interkoneksionit 400-kilovoltësh ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë – një projekt kyç për integrimin rajonal dhe stabilitetin elektroenergjetik të vendit tonë.
Ky projekt përfaqëson shumë më tepër se sa ndërtimin e infrastrukturës energjetike; është një hap themelor drejt përfundimit të korridorit energjetik rajonal Lindje–Perëndim, i cili lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Italinë përmes një kablli nënujor.
Më vjen keq që për më shumë se tri dekada, pavarësisht pluralizmit politik dhe ndryshimeve demokratike, nuk ka pasur guxim dhe vizion institucional për të vendosur një lidhje elektroenergjetike me Shqipërinë. Sot, ne po korrigjojmë këtë mungesë historike.
Ndërtimi i këtij interkonektori do ta pozicionojë sistemin tonë si një pjesë thelbësore e infrastrukturës elektroenergjetike evropiane, duke mundësuar pjesëmarrje të qëndrueshme në tregjet rajonale, qasje në shërbimet e sistemit dhe balancimit, si dhe sigurimin e një furnizimi më të sigurt dhe më ekonomik për të gjithë qytetarët.
Maqedonia e Veriut po konfirmon ambicien e saj strategjike: të bëhet një nyje energjetike në Ballkan.
Kur menaxhmenti i ri mori detyrën, gjetëm një projekt seriozisht të lënë pas dore: nga 269 themele të planifikuara për shtyllat e linjës së transmetimit, ishin përfunduar vetëm 24. Kontraktori i mëparshëm, përmes kërkesave të pajustifikuara për fonde shtesë dhe braktisjes së njëanshme të punimeve, rrezikoi projektin dhe interesin publik.
Ne zgjodhëm një qasje të vendosmërisë dhe integritetit: e anuluar kontratën me kontraktorin e mëparshëm, kryem një analizë të plotë të dokumentacionit teknik dhe projektues dhe, së bashku me partnerin tonë strategjik – Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) – vendosëm një model të ri të veprimit transparent dhe profesional.
Rezultati i kësaj pune intensive është tenderi i hapur sot, i bazuar në kriteret më të larta për performancën teknike, cilësinë dhe aftësinë financiare.
Çfarë parashikon projekti?
Parashikohet ndërtimi i rreth njëqind kilometrave linjë transmetimi ajrore nga stacioni transformator Manastir 2 deri në kufirin maqedonas-shqiptar. Projekti vlerësohet të kushtojë rreth 17 milionë euro, i financuar përmes kredisë dhe granteve nga BERZH dhe fondet evropiane.
Afati për dorëzimin e ofertave është 45 ditë, ndërsa zgjedhja e ofertuesit më të favorshëm pritet në tremujorin e tretë të këtij viti, me fillimin e realizimit të planifikuar për fillim të vitit 2026.
Çfarë do të thotë kjo për shtetin?
Rritje e konsiderueshme e qëndrueshmërisë së rrjetit të transmetimit, me minimizim të rrezikut nga ndërprerjet dhe goditjet e çmimeve;
Hapësirë e hapur për lidhjen e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së rinovueshme, çelës për tranzicionin energjetik;
Integrim strategjik në tregjet rajonale dhe evropiane, që në afat të gjatë do të kontribuojë për çmime të qëndrueshme, të përballueshme dhe konkurruese të energjisë elektrike.
Sot, ne dërgojmë mesazhin se MEPSO është i përkushtuar ndaj parimeve më të larta të transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit. Puna jonë udhëhiqet nga vizioni për zhvillim të qëndrueshëm, stabilitet institucional dhe forcim i besimit të publikut në aftësinë e shtetit për të zbatuar projekte me interes të lartë kombëtar.
Në fund, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministritë përkatëse, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, USAID dhe kolegët tanë nga operatori shqiptar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Falënderim edhe për mediat, të cilat me vigjilencën e tyre kritike dhe objektivitetin profesional kontribuojnë në transparencën e proceseve.
Jam i bindur se të gjithë së bashku, me një vizion dhe përkushtim të përbashkët, do të ndërtojmë një sistem elektroenergjetik modern, efikas dhe të qëndrueshëm, i cili do t’u shërbejë gjeneratave të ardhshme.
Ju falënderoj për vëmendjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka diskutuar për hartën…