Një hero që frymëzon!
Shkruan: Musli Krasniqi
Kur koha po piqte kushte të reja dhe re të zeza po mbushnin pareshtur qiellin e Kosovës, plot trishtim, atdheu po i mblidhte bijat e bijtë e vet më të mirë.
Të tillë djemsh e vajzash që te thoi ende u rridhte gjak ilir.
Në kreshtat e larta do të bëhej betimi sublim, që do të prekte nervin shqiptar: askush më nuk do të mund të bëjë nder me tokën tonë. Hasmi i vjetër s’do të na shkel më barin mbi varre. Po qe nevoja, edhe Drinit do t’ia ndërrojmë ngjyrën…
Në Kliqinë të Pejës, atë natë, ajo pushkë lirie davariti tisin e vjeshtës së trishtë.
Antitanku që goditi muret e stacionit policor, tani aty, pranë gjurmëve të gjakut djaloshar, ishte prelud i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Vranoc nëna po priste ta shtrëngonte fort në krah të birin, por ai u kthye në krahët e shokëve, së bashku me jehonën e pushkës lajmëtare.
Djaloshi që hapin kishte para moshës.
Nga 16 tetori 1997 në tokën e Kosovës do të dëgjohej kënga e lirisë, ndërsa në oborrin fqinj gjama e një fundi meritor, parashikueshëm të turpshëm e fatal.
Kosova doli të ishte ashtu siç kishte qenë gjithmonë: një arrë e fortë.
Emri i Adrian Krasniqit u skalit në kujtesën historike të popullit shqiptar, ndërsa lavdia e veprës së tij u muros përjetësisht në kullat e Kosovës së lashtë.