
Një histori e dëshmi e Trulsit, pilotit ushtarak norvegjez i NATO-së
Shkruan: Fatmir Krasniqi, mësimdhënës i pensionuar
Më 24 Mars 1999, aeroplanët luftarakë të NATO-së, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hodhën bombat e para mbi forcat serbe për shpëtimin e Kosovës.
Bill Klintoni, kryetari i SHBA-së pati thënë:” Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”.
Për këtë ngjarje të veçantë, pjesën e aeroplanit të ruajtur me shumë kujdes, e të vendosur në një këndë të veçantë të korridorit të shkollës, si dhe kthimin e vizitën e papritur të pilotit norvegjez në Tërpezë, na rrëfen e tregon me shumë krenari Emine Krasniqi, ish nxënësja ime shembullore, mësuese e dalluar, pedagoge e çmuar e drejtoreshë e suksesshme e ShMU “Hasan Prishtina”, Tërpezë.
Pjesa e aeroplanit të rrëzuar serb nga Forcat e NATO-së në Tërpezë të Malishevës, me datë 24.3.1999, kur për herë të parë filluan bombardimet në Kosovë, është dëshmi e regjimit të egër shtypës serb.
Piloti që e kishte rrëzuar aeroplanin serb, ishte norvegjez dhe quhej Truls.
Për këtë ditë dhe mbrëmje të trishtë na rrëfen edhe Naxhi Krasniqi, ish nxënës imi, i njohur me nofkën “Kaçurreli”, ushtar trim e i dalluar, luftëtar i tri luftërave.
Ai, tregon se një ditë më parë aeroplanët serb fluturonin ultë mbi kokat tona dhe bombardonin caqe të caktuara.
Që nga orët e hershme të mëngjesit të 24 marsit, ne ishim në Zonat e luftës në Tërpezë të Ultë, Nishor, Semetisht, dhe në mbrëmje jemi kthyer në Lladroc.
Ishte një fat i madh i Tërpezës, dhe i tërë trevës së Malishevës, se në çastet më vendimtare sikur mos të qëllohej e bombardohet aeroplani serb nga piloti trim norvegjez, Tërpeza e vargmalet e Berishës, si dhe fshatrat përreth do të shndërroheshin në shkrumb e hi dhe do të ndodhte një tragjedi e paparë!
Banorët e ushtarët ishin tmerruar nga eksplodimi i fuqishëm i aeroplanit serb, i pajisur me tërë arsenalin luftarak shkatërrues sa që flakët e mëdha kishin ndriçuar e mbuluar qiellin.
Tërë natën kishin vazhduar detonimet e fuqishme.
Të nesërmen në mëngjes ushtarët e UÇK-së kishin vërejtur e gjetur pjesë të aeroplanit serb, karrigen e parashutën e pilotit serb të shpërndara në vende të ndryshme e me largësi të madhe.
“Kaçurreli”, thotë se nga gëzimi kemi vazhduar të festojmë.
Drejtoresha e shquar Emine, tregon se Trulsi, piloti norvegjez, pas përfundimit të luftës ka vizituar vendin në arat e Tërpezës, ku dhe ka rrëzuar aeroplanin.
Po, atë ditë, tregon e emocionuar drejtoresha Emine, Truls viziton edhe Shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Tërpezë. Ai, u fascionua me këtë monument të ngelur në luftën e Kosovës, ku dhe vet ka marrë pjesë në sulmet e datës 24 mars 1999 në Tërpezë.
Me këtë rast në shenjë respekti e humanizmi, Trulsi gjatë vitit shkollor 2024- 2025, ka ndihmuar nxënësit e shkollës sonë me mjete didaktike në vlerë prej 1200€.
Këtë pjesë të mbetur të aeroplanit e kishte ruajtur me kujdes dhe e kishte sjellë në shkollë Blerim Krasniqi, ish nxënës, mësimdhënës e drejtor i shkollës, tani profesor në Malishevë.
Gëte, shkrimtar i njohur gjerman e botëror, thotë se arti është për ta shikuar e jo për të folur mbi të.
Edhe kjo pjesë e aeroplanit luftarak serb në Tërpezë të Malishevës, është një artefakt e dëshmi e madhe e historisë sonë.
Shkolla e Tërpezës, është vatër e shquar e dritës dhe diturisë, e edukimit dhe e arsimimit.
Është njëra ndër shkollat e rralla e ndër të parat në Kosovë, në vitet e 70-ta, e të 80-ta, të shekullit të kaluar me muze.
Por, regjimi serb e dogji shkollën, e e dogji edhe muzeun…
Andaj, në këtë datë të madhe historike të 24 Marsit 1999, i propozojmë Tërpezës e komunës së Malishevës, që pilotin ushtarak norvegjez Truls, për trimërinë e heroizmin, guximin e shpirtin luftarak, humanizmin e fisnikërinë, ta shpallin Qytetar Nderi të Tërpezës e të Malishevës, dhe ti ndahet Mirënjohje apo edhe Dekoratë e Lartë.
Faleminderit Truls, shpëtimtari e miku ynë i shtrenjtë.