Një histori rrëqethëse e ish-të burgosurit Ylber Topalli, i arrestuar gjatë vitit 1998
Ylber Topalli, i lindur në vitin 1965, atëherë i moshës 33 vjeçare, nga fshati Greme – Ferizaj, është pranuar më 30.06.1998 në gjendje të rëndë në Kujdesin Intensiv në Qendren Klinike Universitare me Diagnozën e pranimit ishte Dg: Vulnus sclopetarium regio lumbalis lat.sin. Vulnus lacerocontusio region scroti.
Fractura ulnae. Paraplegia. (Plagë me armë zjarri të regjionit të belit të anës së majtë. Plagë shqyese-goditëse të regjionit të qeskës së skrotumit. Thyerje e ashtit të parakrahut. Paralizë e dy këmbëve).
Pas qëndrimit për katër ditë në Kujdesin Intensiv më 03.07.1998 e dërgojnë në spitalin e burgut në Beograd të pa mjekuar. Gjatë qëndrimit në Kujdesin Intensiv në Prishtinë pacienti ka qenë i lidhur me pranga për shtrati si dhe është keqtrajtuar nga policia serbe.
Përjetime Lufte
Shkruan: Ylber Topalli
Arrestimi im ka ndodhur me datën 25 qershor 1998, në kohën sa ne me shokë ishim duke i shtrirë celulat organizative të UÇK-së në Ferizaj.
Duke qenë se unë, Ahmet Hoxha, dhe disa shokë të tjerë ishim pjesëtarë të Grupit të parë të stërvitur në Shqipëri në tetor të vitit 1991, interesi i Serbisë ishte që sa më shpejtë të kapeshin këta ushtarë dhe të pengohej shtrirja e luftës në Kosovë.
Arrestimi im, i Ahmet Hoxhës dhe i Enver
Topallit shënon fillimin e arrestimeve të para në Ferizaj me rrethinë e që më vonë do të pasohej edhe me arrestimin e grupeve të tjera.
Hetimet kanë qenë tejet të rënda dhe shkatërruese për shëndetin e shumë prej shokëve. Disa janë vrarë gjatë hetimeve nga mjetet e forta si kërbaç, shkopinj bejsbolli, gypa hekuri, hekur elektrik, rrymë, elektro¬shok, shpim me kaçavide dhe me net të tëra pa gjumë etj. Pesë ditë hetime ishin shkatërruese për secilin prej shokëve të arrestuar.
Pas pesë ditësh deri sa ishim duke shkuar ne Gjykatën e Qarkut dhe po filloja dhë¬nien e deklaratës para gjyqtares hetuese Danica Marinkoviq, në momen¬tin e zgjidhjes së duarve kam tentuar të iki nga gjykata, duke kërcyer nga dritarja në pjesën e përparme të gjykatës. Me atë fuqi që më kishte mbetur, kam tentuar të largohem, por gjykata kishte rrethim te hekurt dhe u ndala pasi plumbat me kapën në trup në boshtin kurrizor, duke ma thyer unazën e katërt të shtyllës së kurrizit.
Aty kam rënë përtokë, por vetëdijen e kisha të kthjellët. Koha deri sa ka ardhur ndihma e shpejtë nga spitali ishte shumë e gjatë apo së paku mua më dukej ashtu. Së pari ka ardhur njësia e krimit për t’i regjistruar pozicionet e rastit të plagosjes duke e fotografuar vendin e ngjarjes e tek më vone e kanë ftuar ndihmën e parë, e cila është vonuar bukur shumë.
Me të ardhur ndihma e parë, kanë konstatuar atë që unë veç e dija, dëmtimin e shtyllës kurrizore dhe ndihma që më është dhënë aty duke më hedhur në bartëse dhe në veturë mendoj se ka qenë profesionale dhe e kujdesshme.
Në spital besoj se më kanë dërguar aty kah mesdita dhe më kanë bërë rëntgenin ku kanë konstatuar dëmtim të pjesës kurrizore unaza e 4-të. Në atë kohë pothuajse të gjitha kompetencat e spitalit ishin në duar të serbëve, por fatmirësisht aty kishin qenë edhe disa mjekë shqiptarë për të cilët kam një respekt tepër të lartë.
Doktoresha Burbuqe Bruçi, është personazhi kryesor e cila është marrë me gjendjen time dhe ajo është njohësja më e mirë e tërë asaj katrahure që kam kaluar në spital për 3 apo 4 ditët në vijim.
Doktori tjetër, Talat Gjinolli me të dëgjuar rastin kishte ardhur, (nën masa strikte të përcjelljes sepse ne trajtoheshim si terroristët më të rrezikshëm të vendit) në emër të vizitës për të konstatuar shkallën e lëndimit. Unë në ekstremitetet e poshtme isha 100 % i paralizuar dhe në atë gjendje më kishte humbur interesi për jetë. Doktori me një shkrepëse më preku në gjoks dhe më pyeti a po e ndien prekjen. – Po, i thashë, pastaj më poshtë i ndieja prekjet, ka kërthiza i ndieja dhe në fund të barkut kisha një ndjesi tejet të reduktuar, por ajo pak ndjesi u shpërfaq me një buzëqeshje te Doktor Talati.
Kurrë në jetë nuk kam parë një grimasë aq pozitive, aq të gëzuar dhe aq domethënëse të shprehur me çiltërsinë e thellë shpirtërore. Ajo ishte sinjal për mua se palca kurrizore ka shpëtuar. Doktori heshtazi mu ofrua te veshi dhe më tha se çdo gjë do të jetë në rregull, t’i do të ecësh përsëri.
Nga ajo dëshirë e flaktë për të mos jetuar, gjithçka u shndërrua në shpresë për një jetë dhe për të marrë energji të reja për ruajtjen e shokëve sepse jashtë burgut kishin mbetur edhe shumë ushtarë të tjerë, të cilët i kishin punët e veta organizative. Trajtimi në Dhomën intensive në Spitalin e Prishtinës ka qenë trajtim policor e mjekësor, sepse mjekët që vinin nga repartet e tjera për të dhënë mendimet e veta profesionale për gjendjen time shëndetësore, në intensive e kishin të ndaluar të hynin pa përcjelljen e policisë, e cila ishte e angazhuar në ruajtjen time.
Hetuesja famëkeqe, Danica Marinkoviq, kishte urdhëruar që nuk mund të futeshin barna me destinacion për mua pa dhënë ajo pëlqimin paraprak. Kjo mjekëve shqiptarë u shkaktonte tejet shqetësim dhe vështirësi për të më mjekuar mua, sidomos në fazën e parë kur unë duhej të pranoja terapi për mos infektim.
Kisha plagë të shumta, tre plumba, dy prej të cilëve tejshpues, një plumb e kisha në unazën e katërt, kisha plagë në kokë, isha i qarë në gjunjë, në duar, kisha humbur gjak aq shumë sa fillova që njerëzit të mos i identifikoja qartë. Në rrethana të tilla doktoresha Burbuqe ka arritur që me një trimëri dhe zgjuarsi të më ofrojë tërë ndihmën e nevojshme, në fakt edhe shpëtimin tim, për të cilin përjetësisht i jam mirënjohës.
Në orët e vona pas mesnate, doktor Faton Morina kishte ardhur në spital për të më kontrolluar pasi unë nga një plumb e kisha të thyer dorën e majtë. Vështirësitë dhe përpjekjet e tija mbinjerëzore për të ardhur në dhomë tek ushtari i plagosur, mundet vetëm ai t’i përshkruajë, por unë e kam dëgjuar se bukur zhurmë e madhe është bërë deri sa ai ka hyrë në dhomën intensive me një rëntgen lëvizës dhe e ka fotografuar krahun e thyer.
Ai atë natë e mobilizoi krahun me gips dhe në vesh më tha mbahu ushtar se pas e ke një popull. Natën vonë arrita që doktoreshës Buqe t’ia jap një numër telefoni që të lajmëronte te disa miq të mi për gjendjen shëndetësore, sepse e dija çfarë shqetësimesh kishin përjetuar familjarët e mi.
Doktoresha e kishte dërguar porosinë dhe ma bëri me shenjë se çdo gjë ishte e kryer. Për çudi doktoresha e kishte ruajtur atë numër telefoni dhe pas disa ditësh kur në po të njëjtën dhomë e kishin sjellë të burgosurin Rexhep Bislimi pak para vdekjes, e kishte lajmëruar rastin e tij te miqtë e mi për të bërë gjithçka të mundnin për Rexhep Bislimin sepse gjendja e tij ishte tejet e rëndë.
Rexha, tashmë Hero i Kombit, u vra me torturat më çnjerëzore që ia bënë hetuesit serbë. E kam të vështirë t’i mbaj në mend emrat e të gjithë atyre që në një formë apo një tjetër kanë shprehur guximin për të ardhur në dhomën intensive për të më ndihmuar, por dëshiroj t’i falënderoj Doktoreshën Tefta Ahmeti, pastaj Sylejman Dulla, Dr. Sokol Hajdini, Dr. Salih Krasniqi, Dr. Valbonë Govori dhe motrat Shqipe dhe Nebahate, mbiemrat e të cilave nuk i di. Ka edhe shumë të tjerë por në pamundësi për t’i ditur emrat të gjithëve, unë u shpreh mirënjohjen time të përjet¬shme.
Në rrethana të tilla, vërtet ka qenë bukur trimëri e stafit mjekësor për të më dhënë ndihmë apo për të shprehur edhe solidaritetin me mua. Në dhomën intensive në fillim kam qenë i lidhur për krevati, e më pastaj erdhi një epror policor dhe filloi të bërtiste se pse e keni lidhur për krevat.
Unë mendova se ndoshta mos mi zgjidhin prangat dhe mi lirojnë duart sepse prangat ishin aq të shtrënguara sa edhe infuzioni i vendosur në shputën e dorës nuk qarkullonte dhe ishte ënjtur dora si një balon.
Oficeri në fjalë tha: “Ky është terroristi më i madh dhe këtë ka mundësi që ndokush prej UÇK-së vjen dhe e vjedh me krevat, andaj ky duhet të lidhet për gypin e radiatorit!” Dhe ashtu bënë. Më lidhën për gyp të radiatorit, madje sipër një pjese metalike ku gypi ishte i fiksuar për muri.
Kjo bëri që unë tashmë e kisha të varur dorën shumë lartë dhe trupi pothuaj ishte i varur në dorë, i ngjaja një kofshe mishi të varur në mishtore, e për çudi në gjoks kisha tërë aparaturën mjekësore për pulse e gjëra të tjera, kurse në të njëjtën dorë kisha edhe infuzionin. Sikur ndonjëri nga mjekët të kishte mundësinë e të bënte një foto në atë gjendje, i varur me aparatura e infuzione, me siguri se ajo foto do të bënte xhiro në tërë botën.
Pas disa ditësh më transferuan në Burgun Qendror – Spitalin Qendror në Beograd. Erdhën në spitalin e Prishtinës në një mëngjes më nxorën nën masat tejet të përforcuara sa edhe vet çuditesha kush jam unë, dhe ashtu siç më kishte bërë nëna, lakuriq më ngujuan në një veturë kombi pa asnjë shtrojë, por në llamarinë në një temperaturë tejet të lartë dhe filluan rrugën për Beograd.
Po mos të ishte dikush nga stafi përcjellës diku në mes të rrugës ta hapte derën dhe të më jepte një shishe me ujë, vështirë së do t’ia kisha dalë. Me duar të lidhura pas, krahun e thyer, i paralizuar në ekstremitetet e poshtme, me plagë të pashëruara, deri në Beograd isha buzë vdekjes dhe nuk kisha besimin se do të arrija gjallë atje.
Të gjitha plagët që kishin filluar të thaheshin, përsëri u hapën madje edhe më shumë sa edhe kombi ishte i mbushur me gjak. Me të shkuar në Burgun e Beogradit, erdhën dhe nga vetura kombi më nxorën disa të burgosur, të cilët i komandonte një epror i burgut. Këtu fillon një golgotë e paparë sa është e vështirë të besohet si rrëfim!
Këtë pjesë do ta shkruaj në kujtimet e mija që do ua lë si kujtesë brezave për përjetimet e shqiptarëve në burgjet serbe.