Një i burgosur përshkruan “rrëmujën misterioze” një natë para se të raportohej vdekja e Navalnyt
Trupi i Alexei Navalny është transferuar në një morg, sipas një gazete ruse, me rojet që thuhet se po kontrollonin “në mënyrë misterioze” qelitë e burgut një natë para vdekjes së tij.
Shumë kanë fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e liderit të opozitës, e cila u raportua të premten, dhe thirrjet për një hetim të pavarur po rriten.
Trupi i tij është dërguar në morgun e Spitalit Klinik të Qarkut Salekhard, raporton Novaya Gazeta Europe, por që nga e shtuna nuk është kryer asnjë ekzaminim pas vdekjes, shkruajnë mediat e huaja.
Dhe një zyrtar ka thënë për gazetën se procedura e zakonshme nuk dukej se ishte ndjekur pas vdekjes së tij.
“Zakonisht, trupat e njerëzve që vdesin në burg dërgohen direkt në Byronë e Mjekësisë Ligjore… por në këtë rast janë dërguar në spitalin klinik për disa arsye”, citohet të ketë thënë ai.
“E çuan në morg, e futën brenda dhe më pas vendosën dy policë para derës”.
“Ata gjithashtu mund të kenë vendosur një tabelë duke thënë ‘diçka misterioze po ndodh këtu’”.
Ndërsa vdekja u raportua për herë të parë të premten, një i burgosur i tha mediumit se kishte një “rrëmujë misterioze” të enjten mbrëma.
“Gjithçka filloi kur ata me të vërtetë shpejtuan procedurat e mbrëmjes, kjo zakonisht ndodh gjatë festave kur rojet nxitojnë të shkojnë dhe të festojnë, por [ajo ditë] nuk ishte festë”, ka thënë i burgosuri.
“Pastaj na mbyllën, ndaluan çdo lëvizje mes kazermave dhe forcuan masat e sigurisë”.
“Ne dëgjuam makinat që shkonin në ambientet e burgut vonë natën, por nuk mund të shihnim nga dritaret e qelisë sonë se çfarë ishin”.
Ai tha gjithashtu se rojet kryen një kontroll të thellë në qelitë e të burgosurve të premten në mëngjes, duke sekuestruar telefona dhe sende të tjera.
Burimi i “Novaya Gazeta Europe” tregoi se ai mendonte se autoritetet u shfaqën të befasuar nga vdekja e tij, duke pretenduar se gardiani dhe kreu i operacioneve dukeshin të shqetësuar.
Ndërkohë nëna e tij, Lyudmila Navalnaya, vizitoi burgun – IK-3 në Kharp, të vendosur në Rrethin Arktik – të shtunën, ndërsa gruaja e tij ndau një imazh të të dyve së bashku në Instagram.
Asaj iu tha se ai vdiq nga “sindroma e vdekjes së papritur”, por ajo nuk ka mundur ta shohë trupin.
Ndërkohë homazhet po vazhdojnë në sheshin Lubyanka në Moskë, i cili është një monument që përkujton viktimat e shtypjes politike.
Më shumë se 400 njerëz janë arrestuar në ngjarjet në kujtim të Navalny, sipas grupit të të drejtave OVD-Info.
Korrespondentja e Sky News në Moskë, Diana Magnay, tha se vizitorëve të monumentit po u thuhet nga policia që të largohen më shpejt dhe të mos qëndrojnë në memorial për një kohë të gjatë. /Telegrafi