Një i vdekur, 228 të shëruar dhe 398 raste të reja me Covid në Kosovë

21 shkurt 2021 | 15:04

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë persona si pasojë e infektimit me Covid-19.

Po ashtu, ky institut ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe kohore janë shëruar 228 persona dhe janë paraqitur 398 raste të reja me Covid, raporton “Epoka e re”.

Njoftimi i plotë i IKShPK-së:

228 TË SHËRUAR DHE 398 RASTE ME COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.996 mostra të marra nga ShSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 398 raste pozitive.

Brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Drenas 1 rast (39 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 66.380 raste nga 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.572 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 228 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.169 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.639

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 141 raste, Pejë 37 raste, Ferizaj 34 raste, Gjilan 24 raste, Prizren 23 raste, Mitrovicë 20 raste, Gjakovë 19 raste, Fushë-Kosovë 16 raste, Lipjan 10 raste, Podujevë 10 raste, Vushtrri 10 raste, Klinë 9 raste, Istog 8 raste, Obiliq 8 raste, Skenderaj 6 raste, Drenas 4 raste, Kaçanik 4 raste, Malishevë 3 raste, Rahovec 3 raste, Viti 3 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Mamushë dhe Suharekë.

Të nderuar qytetarë!

Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 398 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit.

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e ngelizhimit të masave.

Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore.

IKShPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

Andaj rekomandojmë edhe një herë:

  1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
  2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
  3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
  4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
  5. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.

IKShPK-ja  vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKShPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit Covid-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

Fytyra e mbuluar me maskë! duart e pastra! Distanca dhe hapësira e bollshme!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Llapi ka shfaqur një lojë të madhe të dielën në…