Një i vdekur dhe tre të plagosur në një kafiteri në Skenderaj
Një vrasje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në një kafiteri në Skenderaj. Aty ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.
Më saktësisht ngjarja ka ndodhur në fshatin Runik të Skënderajt rreth orës 01:21.
Lajmin për medie e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, ka thënë ai.
Sipas tij, bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, një nga të lënduarit, viktima N. L., 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.
Të gjitha veprimet e ndërmarra policore janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes, ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë Zahiti.