Një i vdekur e katër të lënduar nga aksidenti në Veternik, Policia jep detaje
Një person ka vdekur e katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën Prishtinë-Ferizaj.
Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila tha se në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete – një veturë e parkuar dhe dy të tjera që kanë qenë në lëvizje.
Ahmeti tha se me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.
“Sot rreth orës 01:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, tri automjete (një veturë e parkuar), ndërsa dy kanë qenë në lëvizje.
Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar pesë persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti.