Një i vrarë dhe dy të plagosur në Tiranë

05 tetor 2018 | 12:43

Policia e Shqipërisë ka lëshuar një deklaratë për media rreth ngjarjes së mbrëmshme që ndodhi në një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, personat e përfshirë janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri- tjetrit.

Në këtë ngjarje një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Njoftimi i Policisë së Shqipërisë pa ndërhyrje:

Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga Specialistë të Taks Forcës Qendrore, Specialistë të Policisë së Shtetit, Specialistë të Hetimit të Krimeve ndaj jetës dhe pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e një grupi Prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë

– Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit :

– E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë

– F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë

– M. B., 41 vjeç, banues në Tiranë

Këta shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri – tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. M., dhe E. H., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– armë zjarri tip “Glock”

– 11 gëzhoja

– 10 000 euro

– tre automjete

– aparate celular

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, të parashikuar nga nenet 79/dh-25, 278 të Kodit Penal”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Turqia nuk do të largohet nga Siria derisa populli sirian…