Një ikje e parakohshme
Shkruan: Faik Krasniqi
Vdekja është njerëzore dhe këtë e kishte të qartë mësuesi Imer Berisha.
Isha ndër të parët që mësova prej tij, për një sëmundje shumë të rëndë dhe tinëzare që iu kishte shfaqur.
E takova rastësisht në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, me disa letra në duar, rezultate të analizave mjekësore.
U ulëm për nga një kafe dhe më tregoi lehtë, duke buzëqeshur, për diagnozën. U brengosa shumë, por u përpoqa të mos jepem.
Nuk e pata të vështirë t’i jepja kurajë, pasi Imeri edhe në rastet më të rënda shpërfaqte dhe rrezatonte pozitivitet.
Imer Berishën e kisha të afërt jo vetëm nga familja, por edhe koleg e shok të mirë.
Fiziku i tij prej atleti, fytyra gjithnjë e buzëqeshur, zëri i artikuluar, dorëshkrimi i bukur, përkushtimi i madhnë punë, e bënte të dallueshëm nga ne të tjerët, e mbi të gjitha, e bënte shumë të dashur e të suksesshëm në punën me nxënës.
Punën me nxënësit e tij të dashur nuk e ndërpreu asnjëherë për më tepër se katër dekada, as në rrethanat sfiduese nëpër të cilat kalonte shkolla shqipe në Kosovë, e as gjatë përballjes me problemet serioze shëndetësore.
Për mua, Imeri ishte një koleg, një shok, ndër të rrallët që ruaj vetëm kujtime të mira.
Ikja e tij para kohe, nuk është humbje vetëm për familjen, për nxënësit dhe shkollën “Ganimete Tërbeshi” në Llukar, në të cilën ishte i angazhuar, por për tërë rajonin e Gollakut.
Me punën dhe përkushtimin e tij të paepur si mësues, Imer Berisha përgatiti kuadro me vlerë, prandaj kontributi i tij do të jetë do të jetë i paharrueshëm.
Lamtumirë mësuesi Imer!