Një jetë kushtuar atdheut/ Rrugëtimi im nga aeroporti i Rinasit të Shqipërisë për në Kosovë
AJAZ EMINI – Ditari (X)
E Hënë, 14 Qershor 1999
Pas zgjimit tonë në orën 10:00 para dite, patëm edhe takimin e fundit edhe me Gjeneralin Joe Hendrix në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës Amerikane në Rinas të Shqipërisë, i cili na mbajti një fjalim para turmës së 40 ushtarakëve. Fjalimi në përgjithësi ishte falënderues ndaj të gjithëve që ishim aty, si dhe për sukseset që arritëm së bashku me shtetet aleate të NATO-së dhe për ndihmën e Republikës së Shqipërisë si dhe për ndihmën nga njësitë e UÇK’s.
Gjithashtu tregoi se dëshira e tij personale kishte qenë që armikun jugosllav duhej shkatërruar tërësisht. Poashtu nuk e fshehi dëshirën e tij, e që ishte hyrja edhe e këmbësorisë ushtarake e NATO-së. Ai tha se do të ishte shumë mirë sikurse të kishin marshuar deri në Beograd, atje ku edhe do ta kapte Presidentin e Jugosllavisë Millosheviqin, e që ta shqelmonte për të gjitha këto të zeza që i kishte sjellë popullit shqiptarë dhe të gjithë rajonit të ish Jugosllavisë! Sipas fjalëve të tij, marrëveshja e nënshkruar në mes të NATO-së dhe Jugosllavisë ishte shumë pozitive, sepse gjerë më tani nuk kishim të humbur as një pjesëtarë ushtarak, përveçëse atyre të disa aksidenteve që kishin ndodhur gjatë kësajë kohe. Në fund të fjalimit, Gjenerali Hendrix na u falënderua që të gjithëve për detyrën e kryer me shumë sukses, si dhe na dëshiroi kujdesë edhe më shumë suksese në punën e mëtejme tonën pasi se të shkojmë në brendësi të Kosovës. Pas përfundimit të fjalimit të Gjeneralit Hendrix, para se të niseshim nga Rinasi, që të gjithë kolegët që ishim nga grupi ynë, shkuam në zyrat përkatëse që të kryenim punët tona personale që kishim.
Në orën 17:00 u mblodhëm që të gjithë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Armatës Amerikane, dhe shkuam në pjesën tjetër drejtë aeroportit të Rinasit, aty afër pistës së fluturimeve, kudo të qëndronim për një kohë të shkurtë për t’u bërë gati deri në largimin tonë nga Shqipëria drejt vendit fqinjë Italisë, por kësaj here si triumfues.
Në orën 18:00 të mbrëmjes kaluam në anën tjetër të Aeroportit të Rinasit, në pistën kryesore ku po na priste një aeroplan transportues ushtarak C-17, me të cilin do të vazhdonim fluturimin drejtë për në aeroportin e Brindisit në Itali, dhe pastaj nga aeroporti do të kalonim aty afër për në bazën ushtarake amerikane të Brindizit.
Fluturimi ishte mjaftë i shkurtë, ku zgjati rreth 40 minutash për derisa kaluam në anën tjetër të detit Adriatik. Lartë nga ajri, gjatë largimit nga Shqipëria, pamë Alpet e larta me fushat e bukura për rreth, si dhe bregdetin e bukur shqiptar. Në të kaluar Detin Adriatik, tani në anën tjetër të detit na u paraqitë edhe pamja e bukur e qytetit të Brindisit i cili dukej mjaftë piktoresk nga ajri.
Nga aeroporti i Brindisit për në bazën ushtarake amerikane udhëtuam me një autobus ushtarak. Gjatë rrugës pamë bukuritë dhe pastërtinë e këtij qyteti bregdetarë të Italisë. Një ishte pastërtia diçka krejt ndryshe nga ajo që i mungonte Shqipërisë, si dhe ato pamjet e dhimbshme me fabrikat e shkatërruara dhe pasurive shoqërore që ishin lënë pas dore…
Destinacioni ynë në Brindisi ishte baza ushtarake e Aviacionit Amerikan “San Vito Dei Normanni Air Station” e cila ishte 7 km. nga Aeroporti i Brindisit. Pas disa minutash arritëm brenda bazës ushtarake, ku më pas na dërguan në një godinë që më tepër i përngjante një konvikti studentor, ishte vendi ku do të qëndronim për disa ditë.
Personeli ushtarak që ishte aty, në të mbërrimë aty, secilit prej nesh na dhanë çarçafët dhe jastëkët si edhe na caktuan dhomat e gjumit të cilat i përngjanin më tepër moteleve amerikane. Pas vendosjes aty menjëherë dolëm jashtë për të parë se ç ’kishim për rreth brenda kësaj baze ushtarake. Aty afër pamë se kishim disa restorante dhe shitore që i përngjanin dhe ishin të njëjta si plasat tregtare në Amerikë.
Krejt në afërsi ku ishim vendosur kishim edhe antenën gjigante të përgjimeve, të cilën po e quanin Kafazi i Elefantit (Elephant Cage), e që dikur gjatë luftës së ftohtë ky objekt përgjimi ishte shfrytëzuar për përgjime të bisedave, tetelefonatave dhe radio- lidhjeve të Paktit të Varshavës (Rusisë)!
Tani me shkatërrimin e paktit të Varshavës ky objekt thuajse kishte dalë jashtë përdorimit, dhe tani më tepër po i përngjante një ringu të cirkut!
Gjatë qëndrimit në këtë qytet në Jug të Italisë përballë bregdetit të Adriatikut, më risjelli përkujtimin e Gushtit 1991 të eksodit të dhjetëra mijërave refugjatëve të ikur nga shteti amë i Shqipërisë, e shumë prej tyre kishin ardh dhe zbarkuar për rreth këtyre brigjeve, buzë këtij bregdeti të bukur të Italisë! Këta të rijnë kishin ardh për të gjet një jetë sa më të mirë, siç e provuam shumica prej nesh. Një histori prej shumë sosh, të dhimbshme të popullit tonë shqiptarë. Këtu krejt afër qytetit të Brindizit, në rajonin e Puglias kemi edhe shumë vendbanime të vëllezërve tonë Arbëresh, siç janë vendbanimet: Apulia, Basilicata, Calabria, Campania, Molise e deri në jug në Sicili të cilët dhe zbarkuan po në të njëjtat brigje, eksodet shqiptare të shekullit XV para 500 vitesh. Po, menjëherë pas vdekjes se kryetrimit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nga egërsia dhe rreziku i pushtimit Otoman.
Në Brindisi kaluam dy net, ishte kënaqësi që tani pas afër tre muajsh fjetje në thesin ushtarak të gjumit, këtyre netëve këtu në Brindisi po bënim gjumin në shtretër normal, ku kushtet jetësore ishin shumë më të volitshme se sa i kishim pasur gjerë më tani.
Ardhja jonë në këtë qytet të bukur bregdetarë për ne ishte edhe si një dhuratë e mirëseardhur, një pushim i shkurtër nga e gjithë ajo punë që patëm që nga shkuarja ime në bazën Amerikane në Rinas, e në veçanti nga arritja në Kukësin e bukur të Shqipërisë!
Të nesërmen me disa prej pjesëtarëve të grupit tonë i bëmë vizitë edhe në brendësi të këtij objekti gjigant të përgjimeve, në Kafazin e Elefantit (Elephant Cage) një objekt ku ishin bërë përgjimet e telefonatave dhe radio lidhjeve të liderëve të ndryshëm komunist për dekada të tëra, qysh pas mbarimit të luftës së dytë botërore kur bëhet ftohja e marrëdhënieve Lindje- Perëndim apo Komunizëm-Kapitalizëm!
Në Brindisi qëndruam deri të Enjten më 17 qershor 1999, atëherë kur na erdhi leja për të vazhduar udhëtimin tone drejt destinacionit tonë të fundit, destinacion që po e ëndërroja për muaj të tërë, për në Kosovën e Lirë!
Informacionet e 24 orëve të fundit
Sipas informacionit gjatë këtij mëngjesi në Kosovë kishin hyrë 14,000 trupa paqeruajtëse të aleancës së NATO-së: 4,300 trupa britaneze, 2,800 franceze, 2,500 gjermane, 2,300 italiane edhe 2,100 amerikane, ndërsa kontingjenti amerikan prej 10,000 trupave pritet të kryhet brenda 30-45 ditët e ardhshme, kurse nga Kosova deri më tani ishin tërhequr mbi 10,000 trupa jugosllave, dhe më tani gjithëçka po shkonte sipas planit të marrëveshjes.
Prezenca e 200 trupave ruse që erdhën në Kosovë në mënyrë klandestine, të pa pritur dhe të cilët ishin vendosë tani në Aeroportin e Prishtinës kishte shfaqë telashe të mëdha, sepse kishin bllokuar trupat angleze dhe franceze që të themelojnë shtabin e tyre në atë hapësirë të aeroportit siç ishin marrë vesh.
Më 12 Qershor, nga SACEUR Gjenerali Clark këtë akt të shëmtuar rus e kishte kritikuar në mënyrë të ashpër, edhe tha se sipas rezolutës së OKB-së që ishte nënshkruar se si të udhëhiqen trupat paqeruajtëse kishte thënë: “Gjeneralin anglez Jackson, duhet t’i thotë trupave ruse që menjëherë duhet të largohen prej aty”.
Më 13 qershor 1999 Gjenerali Clark tha se “Në këtë moment ky është problem politik” dhe se ky problem duhet të zgjidhet nga liderët politik.
Gjithashtu edhe lëvizja e refugjatëve shqiptarë kosovarë sot ishte ndalë krejtësisht, kurse autoritetet malazeze kishin lajmëruar se atje gjatë këtyre ditëve të fundit, deri më sot kishin arritur mbi 4,400 refugjatë dhe në përgjithësi të komunitetit serb që ishin larguar nga Kosova.
E enjte 17 qershor 1999
Njëri nga personeli i Njësisë së Forcave Speciale të grupit tonë, erdhi dhe ma bëri me dije që të bëhem gati sepse sot pas dite do të largohemi edhe nga kjo bazë ushtarake e Forcave Ajrore “San Vito dei Normanni Air Station” në Brindizi të Italisë.
Në orën 14:30 pas dite, përsëri u mblodhëm para godinës me plaçkat që kishim me vete aty ku kaluam dy netët e fundit, ku erdhi një autobus ushtarak dhe na mori të gjithëve, dhe vetëm pas disa minutash arritëm në aeroport, para një aeroplani ushtarak amerikan C-17 për të vazhduar udhëtimin më tutje.
Në orën 15:00 u nisëm me aeroplanin ushtarak C-17 në drejtim të Shkupit, për ku patëm një fluturim të rehatshëm, dhe ishim shumë të kënaqur se tani po iu afroheshim destinacionit të fundit për ku ishim nisë, ku tjetër pos në Kosovë. Fluturimi nga qyteti italian e deri në Shkup zgjati rreth 40 minuta.
Pas arritjes në aeroportin e Shkupit, prej dyerve të aeroportit erdhën dhe na morën dy autobusë ushtarak dhe na dërguan brenda në bazën ushtarake të NATO-së që gjendej në këndin tjetër të aeroportit. Me të arritur në bazën ushtarake na bënë regjistrimin e secilit prej nesh, dhe pastaj shkuam për të darkuar. Darka ishte mjaftë e mirë, shumë më mirë se siç ishim ushqyer deri më tani!
Pas darkës me dy autoblinda ushtarake Hamvee’s, po të njëjtit që i kishim pas në Kukës të Shqipërisë e që ishin sjellë para nesh këtu në Shkup, grupi ynë u ndamë në dy makina dhe menjëherë vazhduam rrugën për në Kosovë.
Gjatë rrugës gjithçka ishte në rregull. Autostrada në drejtim të Kosovës nëpër Elez Han ishte gati se e zbrazët, përveçse diku diku që po hasnim në makinat e ndryshme ushtarake të NATO- së që gjithashtu po udhëtonin në të njëjtin drejtim, drejtë në brendësi të Kosovës.
Kaluam rrugës nëpër Grykën e Kaçanikut, rrugë të cilën e kisha kaluar për shumë vite qysh nga fillimi im në gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik. Vend për të cilin kisha shumë kujtime të mira, aty ku kisha kaluar një pjesë të rinisë time, aty ku kalova dy vitet e para të gjimnazit para se të kthehemi në Kumanovë për të hapur gjimnazin Shqip. Vend ku edhe kisha shumë shokë dhe miq, si dhe vendlindja e Shahadijes, shoqes time të jetës!
Pastaj vazhduam rrugën nëpër Ferizaj dhe shkuam deri në afërsi të Prishtinës, aty ku ndahen arteret e rrugëve kryesore për Gjilan dhe Prishtinë. Aty përsëri u kthyem në drejtim të Ferizajit. Në hyrje të Ferizajt kthyem majtas në drejtim të Gjilanit, dhe jo shumë larg, vetëm se pas disa kilometrash në afërsi të fshatit Sojevë. Dolëm nga rruga kryesore në krahun e majtë dhe shkuam në një shtëpi 3 katërshe të re e që gjendej krejt afër rrugës e cila ishte ende pa përfunduar, pa dyer dhe pa dritare e që kishte një stil të veçantë, më tepër të lindjes së largët. Në bazë të mbeturinave që gjetëm në atë shtëpi, shifej se ajo shtëpi kishte qenë e shfrytëzuar edhe si strehimore për forcat e armikut serb. Meqenëse ishte vonë në mbrëmje, natën e parë brenda Kosovës e kaluam në brendësi të kësaj shtëpie, në dhomat e pa kryera të shtëpisë, pa dyer dhe dritare, në tokën e pa shtruar, vetëm se në thasët tonë të gjumit të shtruar në tokën e thatë.
Informacionet e 24 orëve të fundit
Sipas fjalëve të Lt. Gjeneralit Anglez Mike Jackson, ai tha se tërheqja e trupave jugosllave po lëvizte saktësisht sipas marrëveshjes, dhe deri më tani nga Kosova ishin tërhequr rreth 26,000 trupa prej gjithsej 40,000 trupave jugosllave që ishin, që na tregon se ata do të tërhiqen krejtësisht deri në ditën e paraparë më 20 qershor 1999. — -Gjenerali Wesley Clark kishte dyshimin se ndoshta një numër i madh i paramilitarëve serb do të mundohen që të infiltrohen dhe të mbesin brenda Kosove për t’i sjellë telashe trupave të KFOR’it.
Numri i trupave paqeruajtës të KFOR’it brenda Kosovës tani kishte arritur në 15,000 trupa: 7,209 trupa britaneze, 2,000 trupa amerikane, 1,747 trupa gjermane, 1,474 trupa franceze, 1,111 trupa italiane, 307 trupa kanadeze dhe 159 trupa daneze. Në vazhdim në Maqedoni ishin në pritje edhe 11,000 trupa shtesë të gatshëm për të hyrë në Kosovë.
Sot gjithashtu kishim edhe viktimat e para të paqeruajtësve të KFOR-it nga kontingjenti italian kur dy ushtarët e tyre ishin lënduar nga minat.
Gjatë ditës së sotme në Shqipëri janë duke u zhvilluar bisedime në mes të përfaqësuesve të NATO- së dhe asaj të UÇK-së, për një marrëveshje të demilitarizimit të forcave të UÇK-së, si dhe ushtrimin dhe inkuadrimin pjesëtarëve të sajë në forca policore civile. Ky plan parasheh që brenda 30 ditësh pjesëtarët e UÇK-së të çarmatosen dhe të dorëzojnë armët e rënda si dhe ato automatike.
Sot gjithashtu në Helsinki kishin vazhduar bisedimet në mes të Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Ivanovit dhe Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA’s Cohen, për marrëveshjen në lidhje me trupat ruse, që kishin okupuar aeroportin e Prishtinës.
Tani gjithashtu pritet që nesër të vijë në Kosovë edhe ekipi forenstike që përfaqëson krimet e luftës jugosllave për në tribunalin e Hagës, të cilët do të fillojnë me hetimet e varreve masive në Kosovë.
Në Prizren pjesëtarët e UÇK-së morën përsipër administratën e qytetit, pasi se u larguan autoritetet serbe. Kontingjenti Gjerman i KFOR-it në Prizren tha se nuk donë të ndërhyjë në marrjen në dorë të qytetit nga UÇK-ja.
Në të njëjtën kohë nëpër shumë vende të Kosovës trupat paqeruajtëse kishin hasë në varret e shumta masive të shkaktuara nga forcat jugosllave… Nga ana tjetër, që të gjitha rrugët ishin të nxanun në të dy anët, në njërën anë prej kthimit të refugjatëve shqiptar në shtëpitë e tyre në Kosovë, e në anën tjetër të rrugës shifshin duke u larguar refugjatët serb dhe rom, nga frika e ndonjë aksioni të hakmarrjes nga shqiptarët.
Sipas UNHC-së, mesë 6,500 shqiptarë etnik e lëshuan Maqedoninë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre duke iu bashkuar edhe 3,400 refugjatëve të tjerë që veçse ishin kthyer dje, edhe mese 20,000 të tjerë që veçse ishin larguar nga Shqipëria duke iu bashkangjitur edhe 15,000 refugjatëve nga dita e me parme për në Kosovë. (vijon).