Një kafe ma familjen Hoxha
Dje, pasdite, në Gjilan u shpalos shtatorja e heroit të Kosovës, Abdullah Tahiri, para një publiku të nderuar. Viti 2020 u shpall ‘Viti i Heroit’ për qytetin e Gjilanit, ku me aktivitete të ndryshme do të kujtohet figura e Abdullah Tahirit.
Me të mbaruar të inaugurimit të shtatores dhe nderimeve në emër të institucioneve, takova bashkëshorten dhe vajzën e patriotit të kësaj ane të ndjerin Nazmi Hoxha, Zijaveren dhe Festën. Familja Hoxha jeton në Cërrnicë. Është mbiemër i njohur që dha atdhetarë të shquar.
Me Nazmi Hoxhën (1951 – 2001) kam pasur fatin të qëndroj në burgun famkeq “Zabela” të Pozharevcit në periudhën maj 1984 deri në dhjetor 1986. Nazmiu shquhej me një karakter të fortë dhe një trup të lidhur, çelik. Ai e përballonte burgun me durim frymëzues dhe mbillte qëndresë te të burgosurit shqiptarë.
Nazmi Hoxha i përkiste asaj kategorie që burgu e forcon edhe më shumë në bindjet dhe përcaktimet e tyre jetësore. I dashur me njerëz, vigjilent, i pathyeshëm, i kujdesshëm për shokët, Nazmiu ishte ndër të burgosurit më seriozë në Pozharevc.
Në janar të vitit 1987 vizitova familjen e Nazmiut në Cernicë. Ishte dimër, por si askund tjetër gjeta ngrohtësi në shtëpinë e Nazmiut, tek vëllai i tij Samiu, te bashkëshortja dhe fëmijët. Duke kujtuar atë vizitë, zonja Zijavere përmend gëzimin e vajzës së madhe, atëherë fëmijë, Arberitës. Ajo kishte festë atë ditë.
Në rrethana të atyre viteve, familjet e të burgosurve kanë përjetuar një lloj izolimi, i cili është reflektuar edhe në botën e fëmijëve. Zijaverja shpalos kujtime nga jeta me Nazmiun, njohjen me të dhe thellësinë e mungesës së tij. Nazmiu i la para 19 viteve. Ndonëse në Kosovë të lirë, nuk ishte e lehtë për fëmijët dhe gruan thyerja e një shtylle të fuqishme, siç ishte Nazmiu.
Festa jeton me krenarinë e emrit të babait. Ajo është vajzë e cila shkallën e zgjuarsisë dhe ndjeshmërisë i ka në të njëjtin nivel. Mungesa e babait ia ka bluar ndonjë ëndërr. E ka ndier mungesën e ndihmës që do të mund t’ia bënte babai së bijës. Ka mllef. Të arsyeshëm. E kuptoj thellësisht dhe më zë një dozë faji. Harrojmë shpesh se njerëzit kanë nevojë t’i thërrasim, t’i vizitojmë, t’i pyesim për shëndetin, për hallet. Së paku një njeri nga ish shokët e burgut, Bejtullah Tahiri, ka qenë i kujdesshëm.
Zonja Zijavere në shpirt ka edhe dhembjen për vdekjen e djalit, Ngadhënjimit në moshën 31 vjeçare. Kjo vdekje e ka tronditur zemrën e nënës. Jeta me sprova dhe sfida e ka rryer. Shenjat i lexohen në fytyrë. Më shumë se përkrahja metariale, bie fjala, edhe zonjën Zijavere edhe Festën i pengon mospërkrahja morale.
Nazmi Hoxha nuk është i vetmi patriot dhe sakrifikues i madh që paksa mbulohet nga pluhuri i harresës. Në Kosovë duhet të kesh krah të fortë që të jesh “in”, brenda. Edhe brenda gjeneratës ka diskriminim. Edhe me ardhjen e gjeneratave të reja në skenën jetësore, ka diskriminim. Diskriminim sipas asaj shprehjes popullore se kur të delë rrushi i bie vlera bostanit. E ndërrim gjeneratash kemi çdo 10 – 20 vjet.
Në terasën e Hotel “Kristal” pasditen e 25 qershorit pimë kafe dhe bëmë foton me bashkëshorten e Nazmiut, Zijaveren dhe vajzën e tij Festën, me premtim që së shpejti do t’i vizitoj në Cërrnicë.
Nazmi Hoxhën (1951 – 2001)