Një kandidat reformist tërhiqet nga gara presidenciale në Iran
Është tërhequr nga gara zgjedhore njëri nga dy kandidatët reformistë të Iranit, i cili ishte certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje.
Zgjedhjet presidenciale në Iran do të mbahen më 18 qershor.
Ish-nënpresidenti, Mohsen Mehralizadeh, u tërhoq nga gara më 16 qershor në ditën e fundit të fushatës zgjedhore. Ai ishte një nga dy reformistët e vetëm që u lejua të garojë në zgjedhje për të zëvendësuar presidentin, Hassan Rohani, i cili ka shërbyer dy mandate radhazi.
Në garë mbesin gjashtë kandidatë, por parashikimet janë që zgjedhjet do t’i fitojë një ultra-konservator, Ebrahim Raisi. Ai është një figurë e afërt me Liderin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Tërheqja e Mehralizadeh mbase do të rrisë mundësitë e ish-shefit të Bankës Qendrore, Abdolnasser Hemmati, i cili konsiderohet reformist dhe është ende në garë.
Mijëra kandidatëve, shumë prej tyre të moderuar dhe reformistë, iu ndalua të kandidojnë në zgjedhje.
Zgjedhjet presidenciale të Iranit do të mbahen në kohën kur vendi përballet me sanksione shkatërruese të SHBA-së, trazira ekonomike dhe një pakënaqësi në rritje të qytetarëve. Raisi ka kërkuar që të hiqen të gjitha sanksionet. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, po angazhohet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që synon kontrollin e programit bërthamor të Iranit.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, zbatoi një politikë të “presionit maksimal” ndaj Iranit dhe u tërhoq nga kjo marrëveshje. Ndërkohë, regjimi iranian ka shtuar ashpërsinë, sidomos gjatë protestave anti-qeveritare, më 2019. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje pritet të jetë e ulët, pasi Raisi nuk ka asnjë kundërkandidat të fortë dhe aktivistët po bëjnë thirrje për bojkotimin e tyre.
Sipas një hulumtimi të Agjencisë Studentore për Sondazhe të Iranit, vetëm 37 për qind e qytetarëve me të drejtë vote planifikojnë të dalin në votime./rel/