Një kapitull i ri dhe historik për Malvina Hazirin

21 nëntor 2024 | 17:07

Me pasion, përkushtim dhe punë të palodhur, Malvina Haziri është tashmë zyrtarisht pjesë e Washington State University – një nga universitetet më prestigjioze në SHBA dhe me renome në NCAA.

Me fillimet në KBF Vushtrria dhe sukseset në KBF Prishtina, Malvina është një shembull i shkëlqyer i talentit kosovar që sfidon kufijtë. Prej vitesh ajo ka përfaqësuar Kosovën me krenari, duke luajtur si me grupmoshat e reja ashtu edhe me Përfaqësuesen A.

“Ky kalim është një nga momentet më të rëndësishme të karrierës sime”, u shpreh Haziri. “Të jem pjesë e një programi si WSU, i cili është i ranguar lart në NCAA, është një privilegj dhe një mundësi e jashtëzakonshme”.

Malvina e sheh këtë eksperiencë si një platformë për t’u rritur profesionalisht dhe personalisht:

“Do të shfrytëzoj çdo stërvitje, çdo ndeshje dhe çdo sfidë për të avancuar aftësitë e mia. Përtej sportit, kjo eksperiencë do të më ndihmojë edhe në rritjen emocionale dhe pjekurinë time”.

Në Washington State Cougars, Haziri do të bashkohet me një tjetër yll të basketbollit kosovar, Astera Tuhina, duke i dhënë Kosovës dy përfaqësuese në këtë nivel elitar.

Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të jashtëzakonshëm për Malvinën, një basketbolliste që po vendos standarde të reja dhe po frymëzon brezat e rinj. Urime Malvina – Kosova është krenare me ty!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të sqarojë çështjen…