Një kompani e ndërtimit në Prishtinë gjobitet me 500 euro, kjo është arsyeja
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka shqiptuar një gjobë prej 500 euro ndaj një kompanie e cila nuk e ka respektuar lejen e ndërtimit, duke bërë që të shembet rruga “Sami Plakolli” në kryeqytet.
Kjo komunë ka njoftuar se kësaj kompanie i janë ndërprerë punimet si dhe është urdhëruar që ta rregullojë shembjen e rrugës në fjalë.
“Sot jemi njoftuar për një rrëshqitje të dheut në rrugën ‘Sami Plakolli’. Menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dy ekipe të Inspekcionit, një nga Sektori i Rendit Komunal edhe një nga Sektori i Ndërtimit. Pala në këtë rast nuk e ka respektuar lejen ndërtimore, sepse ende nuk e ka ndërtuar murin mbrojtës. Si rrjedhojë, Inspektori kujdestar nga Sektori i Ndërtimit e ka obliguar që t’i ndërpresë të gjitha punimet, si dhe e ka shqiptuar gjobën në vlerë 500 euro. Inspektori kujdestar i Sektorit të Rendit Komunal e ka shqiptuar gjobën tjetër për dëmtim të rrugës, gjithashtu 500 euro, si dhe e ka urdhëruar palën që menjëherë ta rikthejë terrenin në gjendjen e mëparshme. Vazhdimi i punimeve në ndërtimin e këtij objekti do të jetë i mundur vetëm pasi të vendoset muri mbrojtës sipas lejes ndërtimore, dhe pasi të rregullohet pjesa e dëmtuar e rrugës”, është bërë me dije në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
/Epoka e re/