Një kompani nga Kanadaja interesohet për zinkun e Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës Dardan Gashi, i cili njëherësh është edhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, priti një delegacion të kompanisë Trevali, kompani kjo e fokusuar në sektorin e minierave në veçanti atë të zinkut.
Në prezantimin e kësaj kompanie, Mark Cruise, që është president dhe CEO i kompanisë, tregoi për operacionet të cilat momentalisht i kanë në Kanada dhe Afrikë, ndërsa tash janë të interesuar në sektorin e minierave të Kosovës.
“Nga prezantimet të cilat i pamë në Konventën e PDAC ku ju ishit prezent në Toronto, u interesuam për këtë sektor në Kosovë, dhe si prodhuesi i 8 më i madhi në botë i zinkut, ne jemi specializuar në minierat e vjetra të cilat i kemi revitalizuar dhe i ke mi bërë të leverdishme .Nga kjo, buxheti ynë i përgjithshëm e tejkalon shifrën e 1 miliardë dollarësh”, deklaroi Cruise.
Gashi, i informoi delegacionin nga Kanadaja për ndryshimet të cilat do t’i bëhen Ligjit për investime strategjike në sektorin e minierave ashtu që ai të jetë akoma më i mirë për kompanitë e mëdha që vijnë në Kosovë me projekte serioze, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Diasporës.
“Ne jemi duke e përmirësuar legjislacionin. Tani në sektorin e minierave do të kemi atë që quhet one stop shop, ndërsa për kompanitë të cilat kualifikohen si investitor strategjik me ndryshimet e ligjit do t’i heqim edhe disa barriera shtesë për ta bërë procesin akoma më të lehtë dhe më të favorshëm”, ka deklaruar Gashi.
Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, delegacioni që po shoqërohet edhe nga zyrtarë të qeverisë kanadeze do të vizitojë minierat në Kishnicë, Hajvali dhe Artanë për tu njoftuar nga së afërmi me mundësitë për investime siç thanë ata afatgjate dhe qindra milionëshe.